Aktivitet i përbashkët KLSH-SIGMA “Zhvillimi i Marrëdhënieve Efektive të punës ndërmjet KLSH dhe Parlamentit”

610
Sigal

Në datën 4 qershor 2018, në Tiranë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SIGMA–një nismë e OSCE, e financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, organizuan takimin sensibilizues “Zhvillimi i Marrëdhënieve Efektive të punës ndërmjet KLSH dhe Parlamentit”, si dhe prezantimin për palët e interesit të Strategjisë për Zhvillim të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2018 -2022.

Takimi prezantoi eksperiencat e mira evropiane në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes institucioneve të larta të auditimit dhe parlamenteve, për t’i ndihmuar parlamentet në mbajtjen e qeverive përgjegjëse për shpenzimin me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të parasë publike dhe për t’i ndihmuar institucionet e larta të auditimit të kenë më shumë ndikim në jetën e qytetarit, me punën e tyre audituese. Takimi mblodhi së bashku rreth 60 përfaqësues të institucioneve të pavarura, të organizatave të shoqërisë civile, profesoratit dhe gazetarë, për të diskutuar mbi një nga elementët kyç në forcimin e llogaridhënies, marrëdhëniet SAI–Parlament. Në takim morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, Sekretari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Akademik Anastas Angjeli, deputeti Florion Mima, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, z. Engjëll Agaçi, Këshilltari i Lartë i SIGMA, z.Alastair Swarbrick, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, z.Stephen Stork etj.

Zoti Gramoz Ruçi theksoi se “Praktikat e deritanishme të drejtuara kryesisht në dy raportimet vjetore të KLSH do të plotësohen nga instrumente të tjerë të kontrollit parlamentar, të tilla si dëgjesat, seancat e pyetjeve në komisionin përgjegjës të ekonomisë e financave dhe komisione të tjera, si edhe ngritja e komisioneve të posaçme hetimore. Pra, rekomandimet e Kontrollit të Shtetit do të kalojnë përmes një procesi diskutimesh e debatesh midis Kuvendit, ju si institucion rekomandues dhe institucioneve të tjera e grupeve të interesit. Kjo do të mbështetet dhe për nismat ligjvënëse të propozuara nga KLSH, të cilat do të finalizohen nëpërmjet një konsultimi të gjerë publik. Në këtë mënyrë, rekomandimet apo propozimet për penalizime ndaj shkeljeve e shkelësve të ligjit nuk do ta kenë të lehtë të fshihen apo zvarriten pas teknikaliteteve e justifikimeve të burokratëve përgjegjës”. “Kuvendi po mbështetet gjithnjë e më shumë në indiciet dhe gjetjet e institucionit suprem te auditimit ne vend. Rezoluta e Kuvendit e tetorit 2016 për Kontrollin e Larte të Shtetit ka rritur pritshmëritë e Kuvendit qe auditimet tuaja të dalin më analitike dhe cilësore. Ju jeni gardiane te ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës se aktivitetit qeveritar. Do të marr masa qe brenda këtij sesioni legjislativ të mundësojmë krijimin e nënkomisionit të posaçëm për shqyrtimin e raporteve te auditimit te KLSH-së”’ përfundoi z. Ruçi.

Aktivitetin e përshëndeti edhe z. Stephen Stork, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Tiranë, i cili vlerësoi rolin e KLSH-së si gardian i parasë publike dhe gjithashtu duke u nisur nga Progres Raporti i fundit i KE për Shqipërinë veçoi progresin e bërë nga KLSH, veçanërisht në përmirësimin e cilësisë së raporteve të auditimit dhe të rritjes së transparencës së veprimtarisë audituese. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, akademik Anastas Angjeli, në cilësinë e Sekretarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, vlerësoi punën e viteve të fundit të KLSH-së, veçanërisht rritjen e nivelit profesional të audituesve dhe trajnimet e zhvilluara. Si një nga arritjet më të mëdha të KLSH z. Vrolijk theksoi se si politika e ndjekur nga Kryetari z. Leskaj ka ndikuar në “profesionalizimin e institucionit”, duke nënvizuar se “Gjatë kësaj kohe KLSH ka ndryshuar nga një institucion që shikon vetëm nga brenda me një qasje tradicionale të auditimit të përputhshmërisë në një institucion largpamës me lloje të reja të auditimit, auditimin e performancës dhe auditimin financiar, në pajtueshmëri me ISSAI-t”.