Aksidentohet autobusi i ekipit të Ballshit, shtyhet ndeshja Lushnja-Bylis

19

Autobusi i skuadrës së Bylisit është aksidentuar ditën e sotme në aksin Ballsh-Patos, teksa po udhëtonte drejt qytetit të Lushnjës për të transportuar ekipin ballshiot për takimin e vlefshëm për Kategorinë e Parë. Autobusi ka goditur nga mbrapa një mjet tip “Benz”. Për fat të mirë përplasja nuk ka shkaktuar asnjë viktimë. Disa futbollistë të Bylisit janë dëmtuar me shembje në kraharor dhe janë tronditur nga aksidenti.

Ndërkohë FSHF ka njoftuar se ndeshja e futbollit mes Lushnjës dhe Bylisit, e programuar për t’u luajtur ditën e sotme në orën 14:00 është shtyrë.

Njoftimi i FSHF-së

“Ndeshja Lushnja-Bylis, e planifikuar per t’u zhvilluar sot ne oren 14:00. Per shkak te nje aksidenti automobilistik me autobuzin e KF Bylis, do te shtyhet per diten e neserme me Date 1, Ora 14:00.”