Aksidenti, Andrea Memollari: Më kapi paniku

572
Policia e Tiranës ka referuar në prokurori dy akuza për 20-vjeçarin Andrea Memollari, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë të së mërkurës, ku humbi jetën shtetasja Dhurata Prifti, por fatmirësisht shpëtuan dy fëmijët e saj. Memollari akuzohet për “aksident me pasojë vdekjen” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Ndërsa në deklarimet e para që ka dhënë për uniformat blu, ai ka shfaqur pendesë për ngjarjen e rëndë. 
“Nuk e di si ndodhi, pasi e godita në fillim më zuri paniku, më pas s’e di çfarë bëra. U tremba shumë dhe nuk e mendova se do t’i kaloja përsipër”, ka thënë Memollari. 20-vjeçari, që njihej si tip probematik dhe kishte pasion shpejtësinë, ka rezultuar negativ sa i përket testit të alkoolit, ndërsa për testin e përdorimit të narkotikeve ende nuk ka një përgjigje. Por në vendin ku ndodhi aksidenti i rëndë, ekspertët e sigurisë rrugore flasin për keqfunksionim të semaforëve. 
“Semaforët tek rruga e stacionit të trenit është vetëm me flesh, pra, që bën pulsime. Me rregullore, vetëm pas orës 11 të natës ai duhet të pulsojë, gjatë ditës duhet të punojë me tre ngjyrat. Ky është një element që bën që trafiku aty të mos jetë në mënyrën e duhur”, deklaron eksperti Artur Sulçe. Një ditë pas aksidentit, semaforët funksionojnë normalisht, por sipas Sulçes, për shkak të mungesës së kulturës së këmbësoreve në njolla të tilla të zeza, enti pronar i rrugës duhet të vendosë mini gardele, apo gardhe rrethuese.
Sigal