Aksi Kavajë-Rrogozhinë, segmenti i vdekjes. Humb jetën nëna me vajzën 1 vjeçe

696
Sigal

DURRËS/ Firmat e ndërtimit lënë përgjysmë punimet, aksidentet rrugore po marrin jetë njerëzish

Një nënë e re 26 vjeçe me vajzën e saj ende pa bërë një vjeçe janë aksidentuar për vdekje në këtë aks rrugor, pranë Komunës së Golemit, rreth mesditës, teksa janë përplasur nga një automjet. Ngjarja kaloi si një re, frikë, ankthi, paniku, si një ofshamë e psherëtimë dhe ka mbuluar me trishtim të gjithë qytetin, ata që e dëgjuan lajmin e kobshëm. I kobshëm, sepse nëna e re përpiqej të kalonte nga një krah i rrugës në tjetrin me vogëlushen në krahë, rrugë që asnjëherë nuk e përfunduan asnjë prej atyre që e nisën. Pikërisht, aty ku ca muaj më parë një 28-vjeçar nga Kavaja humbi jetën dhe gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur. Është kjo rrugë, e cila po ha jetë njerëzish, sepse punimet janë lënë përgjysmë përsa i përket infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Segmenti rrugor nga Plepat derri tek Mali i Robit ka përfunduar prej kohësh, por vijimi ka mbetur pezull. E ndërsa rruga nuk ka sinjalistikë e infrastrukturë, po ha çdo ditë jetët e njerëzve dhe këtë të enjte, aty kanë dhënë shpirt një nën e re e një vogëlushe, të cilës nuk i kishin dalë ende dhëmbët e qumështit, sepse donin të kalonin nga një krah i rrugës në tjetrin.

Rreziku

Në kufirin që ndan Komunën e Rrashbullit, e cila në administrim ka segmentin e Shkëmbit të Kavajës, me Komunën e Golemit situata është mjaft e rrezikshme për të gjitha makinat. Devijimet e rrugës janë të shumta dhe në këtë kufi, ku ende mungon asfaltimi rruga është e pakalueshme. Të gjithë shoferët duhet jo vetëm të kenë kujdes nga shkatërrimi i makinës, por edhe nga aksidentet e mundshme. Pas Komunës së Golemit deri në Rrogozhinë punimet janë ende në fazën fillestare të hapjes së trasesë së re dhe mbyllja e tre nuk dihet ende. Zona për të cilën bëhet fjalë është kthyer, sipas tyre, në një pikë rreziku të lartë për çdo hyrje e dalje duke e etiketuar si “Dalja e Vdekjes”.

Situata

Rruga nga Mali i Robit e deri në Rrogozhinë nuk ka mbikalime në pjesën më të madhe të saj për këmbësorët, ndërsa në nyjet, ku kryqëzohet me qytetet janë mbikalimet për automjetet. Në mungesë të tyre rruga është rrezik vdekje e jo rrugë kalimi. Ka disa tabela orientuese për punimet që nisin e bllokohen, madje si autostradë që është e parashikuar shpejtësia e lejuar kalon mbi 100 Km, por që nuk ka asnjë siguri apo garanci as për drejtuesit e mjeteve e sa për këmbësorët. Punimet në aksin Plepa- Kavajë Rrogozhinë janë bllokuar, disa herë ndërsa janë larguar firmat e ndërtimit dhe punëtorët e tyre. I gjithë segmenti është ndarë në 10 lote. Për më shumë se 35 kilometra rrugë nuk ka asnjë punëtor pavarësisht se tabelat u kujtojnë drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes gjatë udhëtimit. Situata është kaotike, sepse firmat e ndërtimit i kanë lënë përgjysmë punimet përmbyllëse dhe nuk është vënë  sinjalistika për shmangien e aksidenteve rrugore.

Mungojmë mbikalimet

Punimet në këtë segment nisën në 2009 dhe deri tani janë zhvilluar me ritme shumë të ngadalta nga ana e firmave, të cilat  sipas kontratës duhet të mbyllnin punimet në 30 qershor të vitit të 2010. Mastreplani i Komunës së Golemit parashikonte ndërtimin e 6 mbi ose nën kalimeve, ndërsa projekti i ndërtimit të rrugës, nuk i kishte marrë në konsideratë këtë masterplan duke u bërë shkak për ndërprerjen e punimeve disa herë që nga fillimi i zbatimit të projektit me vlerë rreth 500 milion lekë.