AKEP gjobë 500 mijë USD “Unifi Holding Shqipëri”

740
Sigal

Dega e një kompanie të fuqishme amerikane për shërbimin e internetit, e regjistruar në Nju Jork nga shqiptari Adrian Shatku, erdhi në tregun shqiptar me projekte ambicioze, në vitin 2009. Por “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, me administrator Florian Shatku, u detyrua të hiqte me urgjencë pajisjet teknike nga zyra e saj në Tiranë dhe pezulloi aktivitetin, në Gusht 2018. Kjo lëvizje e shpejtë dukej si një manovër për të shmangur kontrollorët e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) të zhvillonin një inspektim në ambientet e këtij biznesi, pas dyshimeve për praktika të paligjshme të zhvilluara prej saj. Gjithsesi, në muajin Nëntor 2018, AKEP gjobiti me gjysmë milion dollarë kompaninë “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, kryesisht për shkak të parregullsive të shumta që janë konstatuar në marrëveshjen që kjo kompani ka nënshkruar në vitin 2014 me “Vodafone-Albania”. Në korrik të vitit 2014, Unifi-dega Shqipëri nënshkroi një Marrëveshje Interkonjeksioni me “Vodafone-Albania. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Unifi-dega Shqipëri, merrte përsipër shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare, hyrëse e dalëse, për sipërmarrësin “Vodafone”. Kjo marrëveshje ka qenë funksionale deri në Gusht të vitit 2018, kohë kur inspektorët e AKEP thelluan kontrollin mbi veprimtarinë e “Unifi-dega Shqipëri”, të cilin e kishin nisur në janar të vitit të kaluar. AKEP ka konstatuar se, për të paktën 6 muajt e parë, marrëveshja e interkonjeksionit ka qenë e paligjshme, për shkak se Unifi nuk ishte pajisur me licencën përkatëse. Në vijim të kontrollit, AKEP ka zbuluar gjithashtu se Unifin-Dega Shqipëri nuk ka deklaruar në bilancet e saj faturat e paguara për llogari të “Vodafone”, si edhe ato të shitjes tek klientët përdorues të shërbimit telefonik ndërkombëtar, për thuajse 3 vjet (2014-2016), duke hedhur dyshime për veprimtarinë e pastrimit të parave. Në përfundim të hetimit administrativ, AKEP gjobit “Unifi-dega Shqipëri” me 50 milionë lekë.

Veprimtaria e “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”

Unifin Holding inc-dega Shqipëria ka ardhur në tregun shqiptar në vitin 2009. Dega kishte mbi vete reputacionin e kuruar mirë të kompanisë mëmë, “Unifi Holding llc”, e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e drejtuar nga Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, i cili ka ngritur biznesin e tij të fuqishëm në Nju Jork. Në profilin e saj në rrjetin “Linkedin”, i cili është i specializuar për biznesin, “Unifi-Holding LLC prezantohet si një prej kompanive kryesore në botë për tranzitimin e thirrjeve telefonike dhe aktiviteteve të tjera telekomunikacioni, me rreth 100 milionë përdorues aktivë të shërbimeve të saj. Drejtori Ekzekutiv i saj, Adrian Shatku, është intervistuar nga gjigantët mediatikë botërore, si BBC e “forbes.com” për të treguar mbi ecurinë e kompanisë së tij dhe shtrirjen e aktivitetit, sidomos në Afrikë. Në vitin 2009, kompania mëmë “Unifi-Holding” vendosi të hapë degën e saj në Shqipëri. Me administrimin e degës së Tiranës ngarkohen Florian Shatku dhe Enkeleda Shatku, dy familjarë të afërt të bosit të madh, Adrian Shatku. Dega Shqiptare hyn fuqishëm në tregun vendas. Në vitin 2010, Këshilli i Ministrave miratoi, në parim, vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtare me fibër optike Bari-Durrës. “Unifi holding inc-dega Shqipëri” u lejua për të kryer studimin përkatës për shtrimin e kabllit. Afati i kësaj leje ishte 12 muaj. Në një vendim të mëvonshëm, të vitit 2011, Këshilli i Ministrave shtyn lejen edhe për dy vjet, deri në vitin 2013. Në janar 2014, Këshilli i Ministrave vendos të shtyjë edhe me 3 vjet të tjera, lejen për studim, të dhënë “Unifi-Holding-dega Shqipëri”. Prej vitit 2017, kohë kur mbaronte leja tre-vjeçare, nuk ka më asnjë njoftim zyrtar mbi ecurinë e studimit.

Pronari i kompanisë

Bosi i madh i kompanisë mëmë, Adrian Shatku ka ruajtur një profil të ulët në terrenin shqiptar. Ai nuk është shfaqur publikisht në Tiranë, megjithëse, pesha e tij financiare i ka dhënë mundësi të krijojë lidhje të forta politike në vendin tonë. Këto lidhje duket se i kanë krijuar një aureolë mbrojtëse aktiviteteve të degës së kompanisë së tij në Shqipëri. AKEP, në inspektimin e saj, e prek në mënyrë indirekte këtë mburojë. Në vendimin për gjobitjen e “Unifi-dega Shqipëri”, AKEP shprehet se “kontrolli mbi këtë kompani nisi për shkak se ajo nuk ishte kontrolluar për më shumë se tre vjet”. Nëpërmjet kësaj shprehjeje, AKEP, i cili aktualisht drejtohet nga ish-deputetit socialist Ilir Zela, i vendos një kritikë për “neglizhencë” institucionit, për kohën kur ai drejtohej nga Piro Xhixho. Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku kompanitë e Adrian Shatkut janë përballur me problem ligjore. Në vitin 2012, ai u përfshi në një konflikt gjyqësor me ish-ortakët e tij, vëllezërit Blerim e Shkëlqim Devolli, të kompanisë “Devolli”. Shatku dhe Devollët ishin bashkë aksionerë të “Dardafon”, para se pronari i kompanisë Unifi Holding të akuzonte ortakët e tij për manovra financiare. Devollët, si edhe disa zyrtarë të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës u përballën me gjykatësit e EULEX-it pas kallëzimit të Adrian Shatkut. Por, në përfundim të procesit penal, në vitin 2013, gjykatësi francez Viktor Hyo Pardal i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Sipas gjykatësit, çështja ndërmjet Devollëve dhe Shatkut mund të zgjidhej në mënyrë civile, pa qenë e nevojshme zhvillimi i një procesi gjyqësor penal. Media e Kosovës, e cila ka raportuar për këtë proces gjyqësor, shkruante në atë kohë se Shatku ishte përfshirë në fenomenin e mashtrimit të njohur “SIM to Sim”. Në atë që media kosovare e konsideronte mashtrim, mendohet se Postë Telekomunikacionit të Kosovës i është shkaktuar një humbje prej 20 milionë eurosh. Në procesin gjyqësor të iniciuar nga Adrian Shatku, avokatët e Devollëve deklaron se “klientët e tyre kanë blerë për një milion euro aksionet e Shatkut brenda Dardafone LL C, për ta ruajtur imazhin e kompanisë, pasi kuptuan se Shatku ishte i përfshirë në mashtrimin “SIM to SIM”. Boldnews.al