AKEP favorizon Albtelecom, i jep të drejtën të caktoj rritjen e tarifës mujore sipas dëshirës

834
Janë me qindra rastet e denoncuara nga qytetarët shqiptarë, të cilët kanë dalë hapur me deklarimet e tyre, se Albtelecom ka mashtruar disa herë, lidhur me rritjen e tarifës mujore, ndërkohë që qytetarët nuk janë njoftuar ashtu siç parashikon rregullorja e AKEP, në të cilën thuhet se, një muaj para ndryshimit të tarifës në rast rritjeje, të gjithë abonentët duhet të njoftohen. Ky njoftim, mund të bëhet nëpërmjet faturave që qytetarët marrin çdo muaj. Ndërkohë që shkeljet dhe denoncimet janë të panumërta, AKEP merr në mbrojtje këtë të fundit, duke thënë se, tarifa mujore për telefoninë fikse nuk është më e larta në vend dhe se njoftimet nga ana e Albtelecom për rritjen e tarifës mujore janë zbatuar, edhe pse kjo deklaratë e AKEP bie në kundërshtim me denoncimet e mijëra qytetarëve që pohojnë të kundërtën. Aktualisht tarifa fikse mujore prej 700 lekë, ka larguar më shumë se 90 mijë abonentë. Aktualisht Albtelecom mashtron 182 mijë abonentë, të cilët nëpërmjet tarifës mujore prej 700 lekësh shfrytëzohen nga kjo kompani, pasi tarifa me të cilën operon Albtelecom është më e larta në vend dhe rajon edhe pse AKEP i ka dalë në mbrojtje kësaj kompanie, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë. Bashkëpunimi mes këtyre dy bashkëpunëtorëve shtohet akoma më shumë, kur AKEP me një vendim të diskutueshëm i ka dhënë të drejtën e plotë Albtelecom të vendosë vetë për rritjen e tarifës mujore për telefoninë fikse. Edhe pse AKEP në këtë rast duhet të dalë në krah të vjedhjes që ju bëhet qytetarëve, kjo e fundit kërkon të lehtësojë barrën e Albtelecom, lidhur me këtë skandal. Ndërkohë që Albtelekom operon me këto çmime stratosferike, vendet e tjera, si Maqedonia, Serbia, Mali i Zi apo dhe Bullgaria kanë momentalisht tarifa më të ulëta se Shqipëria. Ndërkohë që Kosova ka një tarifë fikse mujore rreth 3.4 euro, Serbia një tarifë rreth 4.5 euro, Shqipëria (Kompania Albtelecom) ka një tarifë mujore prej 700 lekësh. Një hetim, lidhur me këtë çështje ka bërë dhe “Channel One”, e cila trajton gjerësisht këtë problem. Një tjetër skandal i Albtelecom është ajo e mungesës së njoftimit të 182 mijë abonentëve për rritjen e tarifës mujore, këtë fakt e kanë pohuar qytetarët, të cilët janë shprehur se, nuk janë njoftuar asnjëherë për rritjen e çmimit edhe pse ky njoftim është i detyrueshëm të bëhet. Ka vite që çmimi merr vlera të larta dhe abonentët nuk janë njoftuar në asnjë moment për rritjen e tarifës fikse. Nga ana tjetër qëndron AKEP, e cila nuk ka ushtruar asnjë kontroll për rregullimin e tarifave. 
2300 ankesa në zyrat e Albtelecom, për shkelje kontrate
Albtelecom, kompania që ofron telefoninë fikse është në shkelje të plotë të kontratës me abonentët e saj. Saktësisht janë shkelur 2300 kontrata, pra janë 2300 ankesa që i janë depozituar Albetelecom për shkelje kontrate. Shkelja e kontratës konsiston në rritjen e tarifës fikse, duke e çuar 700 lekë në muaj, pa bërë asnjë njoftim lidhur me rritjen e tarifës mujore. Që në muajin prill të viti 2014 është abuzuar me abonentët nga ana e Albtelecom, pasi në këtë kohë u bë rritja e tarifës mujore nga 200 lekë që ishte, rritet gradualisht, duke shkuar aktualisht në 700 lekë. Skandali vazhdon akoma më tej, pasi kjo tarifë është e detyrueshme për abonentët edhe atëherë kur telefoni nuk është në përdorim. Ndryshimi i çmimit ka nisur që në vitin 2007, ku Albtelekom u privatizua. Në vitin 2007 tarifa fikse për abonentët familjarë ishte 200 lekë në muaj, ndërkohë që kjo shifër ka ardhur duke u rritur, pavarësisht se shërbimi nuk ka ndryshuar. Ndryshimi i tarifës sipas dëshirës së Albtelecom, nuk denoncohet nga askush përveçse nga qytetarët, pasi AKEP, institucioni që duhet të bëjë kontrollin e çmimeve të kësaj kompanie telefonie fikse, nuk e pranon këtë gjë, madje hedh poshtë të gjitha të dhënat, se Albtelecom ka çmimet më të larta në rajon. Ajo që vërehet është se, kontrata e kompanisë Albtelecom ka disa “probleme” të qëllimshme, kjo lidhur me transparencën që kjo kompani duhet të ketë ke abonentët e saj. Saktësisht pika dy e saj, flet për tarifat, tregon tarifat e publikuara, këto të fundit si emërtesa dhe jo si shifra, pra një mundësi e studiuar mirë, që i hap rrugën vazhdimit të skandalit, lidhur me rritjen e tarifave, të cilat aktualisht nuk janë duke u kontrolluar nga askush. 
Qytetarët, përveç çmimit ankohen dhe për ndërprerje të sinjalit telefonik
Përveç rritjes së tarifës, një tjetër ankesë nga ana e abonentëve të Albtelecom ka të bëjë me ndërprerjen e sinjalit, të cilat janë të shpeshta dhe të gjata. Kjo sipas qytetarëve është bërë diçka e zakonshme edhe pse ankesat për këtë problem kanë qenë me qindra, askush nuk interesohet lidhur me ofrimin e shërbimit edhe pse ky i fundit paguhet majmë nga qytetarët. Vetë abonentët në ankesat që kanë depozituar pranë zyrave të kësaj kompanie kanë shpjeguar, se këto ndërprerje kanë qenë të shpeshta, jo vetëm me abonentët që mund të mos kenë qenë të rregullt, por edhe me ata abonentë që kanë qenë të rregullt me pagesat dhe me rregulloren e kontratës së nënshkruar nga të dyja palët. Në kontratë thuhet se, në rast ndërprerje teknikët do të duhet të bëjnë riparimin e problemit, por ndërhyrja e teknikëve sipas abonentëve që kanë depozituar ankesat pranë zyrave të kompanisë Albtelecom shprehen se, teknikët vonohen në riparimin e defektit. Ky problem i përhershëm, përbën shkelje të kontratës së nënshkruar mes abonentit dhe kompanisë. Në këtë kontratë, thuhet se “Albtelecom” është e detyruar të respektojë disa ligje, të cilat kanë lidhje me mirëmbajtjen e rrjeteve të komunikimit, riparimin e tyre dhe cilësinë e shërbimit. Mirëmbajtja dhe funksionimi i rrjetit të komunikimit dhe infrastruktura shoqëruese me të, duhet të jetë në përputhje me kërkesat e abonentëve në bazë të kontratës. Gjithashtu edhe përmirësimin i rrjetit të komunikimit, rindërtimin e sistemeve dhe antenave ekzistuese, zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese apo instalimin e sistemeve të reja të komunikimit. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur në realitet, këtë fakt e pohojnë abonentët, të cilët së fundmi kanë depozituar ankesat e tyre pranë zyrave të Albtelecom. 
Sigal