Akademiku Artan Fuga: Sot ligji elektoral në Shqipëri është për faqe të zezë

601
Sigal

Shanse të njëjta në zgjedhje për partitë, listat qytetare dhe individët kandidatë!

Disa kohë përpara, ndofta një vit, dëgjoja se do të bëhej një reformë në sjelljen dhe vlerësimin e deputetëve. Deputetët gjoja do të mund të shkarkoheshin nga populli, do të punonin përditë me kohë të plotë pune, do të ngrinin vende takimi të përjavshëm me elektoratin, do të qendronin me ditë të tëra në terren etj. Atëherë qeshja nën zë me këto propozime, sepse e dija si buka që ha që ishin krejt të parealizueshme dhe pa sens në kushtet e një statusi të caktuar dhe nga mënyra sesi zgjidhet deputeti shqiptar sot e prej dekadash. Ne nuk na serviren reforma, por lojë fjalësh të bukura e pa objekt. Po ashtu dëgjova përpara nja dy ditësh kryetarin e një partie fare të vockël që bën pjesë në koalicionin opozitar, burrë simpatik, në vëmendjen time, të thoshte pak a shumë se dy partitë e mëdha po e bëjnë «pas gardhit» ligjin e ri elektoral, por ne nuk kemi çfarë bëjmë, qendrojmë të bashkuar kundër kryeministrit! Parimi kështu hidhet në plehra për shkak të pragmatizmit politik! Nuk ka gjë më të gabuar, fatkeqësisht, që na ka mbajtur në llum për vite me radhë në fushën e zgjedhjeve dhe parimeve elektorale. Në vend të ngrihet e të thotë, që ‘ne partitë e vogla i bojkotojmë zgjedhjet, nëse nuk kemi të njejtat të drejta si edhe partitë që hanë pjesën e luanit’. Por, edhe të mendosh vetëm për partinë në zgjedhje do të thotë të bësh vetëm gjysmën e rrugës, sepse në fakt duhet menduar për qytetarin, për të drejtën e barabartë të gjithkujt për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Një individ qytetar duhet të ketë të njëjtat shanse për të kandiduar dhe zgjedhur po aq sa një individ që në ndryshim nga ai shkon në zgjedhje nën strehën e një partie politike dhe prej andej merr privilegje që nuk i ka me hak në bazë të kushtetutës. Ku është barazia qytetare këtu? Askund! Nëse kjo barazi mes qytetarëve që e kërkon dhe garanton kushtetuta nuk realizohet, atëhere mos bëjmë llam-llam kot nëpër kafene për politikë, më mirë shkoni i fusni një dorë bilardo a luani në loto, sesa humbni kohën me fjalë që nuk kanë qëllim tjetër, veçse të shtyjnë kohën derisa të vdisni. Tani ka dalë edhe parrulla e vetingut të politikanëve, po aq e çuditshme dhe pa asnjë përfitim qytetar sa edhe vetingu i njerëzve të ligjit. Është e qartë që qërimi nga hapësira publike e juristëve dhe politikanëve të korruptuar dhe lidhur me krimin, është pozitive. Por, nuk mbaron këtu puna. Çfarë u pa që flitet për vetingun e politikanëve dhe nuk mendohet për atë mekanizëm që e mban politikanin të pastër. Dhe ky mekanizëm është pikërisht ligji elektoral, i cili duhet ta kryejë misionin e një site që shoshit politikanin e keq, të korruptuar, mediokër, interesaxhi, budalla, të ngushtë në horizont, ekstremist, racist, homofob etj., duke u hapur rrugë njerëzve që nuk duan të jetojnë prej politikës, por dëshirojnë t’i kushtohen politikës. Nëse aprovohet ligji elektoral kështu sikurse është, ose pa integruar atje të drejtat dhe liritë qytetare, pastaj, kur të vijë koha e zgjedhjeve është e kotë të debatohet se për këtë do të votojmë. Koha ka ikur. Eshtë njësoj sikur të dëshirosh të hash fiq që t’i kesh këputur nga pema në mes të kallkanit dimëror! Pasi partitë tradicionale që bëjnë rrotacioneme njëra tjetrën t’i kenë përjashtuar të gjithë kandidatët e tjerë duke monopolizuar mundësinë e zgjedhjes vetëm në duart e tyre, pastaj do të shihni që do të jeni si te ajo historia e atij babait që i thoshte të birit: “Zgjidh lirisht bir se çfarë do të bësh sot! Po deshe ruaj pulat, ose shko ushqe derrat!”

Një liri e futur në kurth.

Na është bërë zakon që në vend të merremi me çështje thelbësore sikurse është më thelbësorja e thelbësoreve, ligji zgjedhor, merremi gjithë ditën me histori rozë, ose edhe të dhimbëshme,por që nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me politikën, apo me batuta në kuvend, ose me veshjet e deputetëve, ose me historitë e tyre personale në familje, shtëpi e ku e di unë se çfarë tjetër.

Sot ligji elektoral në Shqipëri është për faqe të zezë.

Deputetët janë numra në një listë që i vendos kryetari i partisë sipas, ose pothuajse, sipas qefit. Këtë po na e thonë tani edhe deputetë të dikurshëm, pavarësisht se ne e dinim dhe ua kishim thënë edhe atyre që vijnë me vonesë te kjo e vërtetë. Radha në listë nuk përcaktohet nga votuesi, por nga kryetari i partisë, sipas midesë të tij. Madje një deputet i sotëm shkon u thotë studentëve të UET se demokracia na qenka një solidaritet shokësh! Kryetarët e partive po na thonë me gojën e ndonjerit prej tyre, që kandidaturat e treta ose të katërta në listë as i kanë ditur fare se kush kanë qenë. Kryetari i partisë madje edhe di se kush është intelektual i shquar dhe kush nuk është. Mbamëni se po bie! Ndërkohë deputetët dinë që fatin e tyre e përcakton jo zgjedhësi, por kryetari i partisë. Grusht shtrënguar rreth kryetarit, pra. Fluturon gomari! Fluturon! Fluturon shqiponja? Fluturon! Po, harabeli? Jo, është peshk! Nuk fluturon! As ne si zgjedhës nuk kemi të drejtën që të votojmë atë individ që duam. Ne nuk dimë se ku shkon vota jonë. Votojmë ta zemë për një individ që ndodhet në listë i tridhjeti, por votat mund t’i marrë i pesti në listë, të cilin nuk do ta votonim për qamet. Aleanca midis partive të vogla në zgjedhje janë bërë të pamundura. Pra, kot qahemi për demokracinë. Kot themi që kemi liri dhe të dejta politike. Kemi thjesht të drejtën për të mos u vrarë, internuar, por për të drejta politike bazë as që bëhet fjalë. Dhe kur nuk kemi të drejtat politike bazë çfarë u shpjegoni studentëve, o derdimenë se jemi në demokraci! Pse qaheni nga demokracia, kur asnjëherë ajo nuk është zbatuar si duhet. Një pjesë e klasës politike, nga të dy anët e saj, kërkon të na mbushë mendjen që, po qe se do t’i lihej popullit të vendoste për deputetët, atëhere të fortët, mashtruesit, demagogët, me forcën e parave, të liqtë, do të arrinin të zgjidheshin dhe kështu do të kishim një Kuvend të papastër. Koha e ka bërë këtë argument si një letër higjenike pas përdorimit dhe të harruar nga pastruesja prapa WC për një kohë të gjatë!

E para, a thua sikur kur partitë kanë në dorë zgjedhjen e deputetëve, kështu përjashtohet që njerëz pa asnjë kontribut qytetar, pa këllqe, pa nder e dinjitet, të përzjerë me krimin, egoistë, matrapazë gjithëllojesh, të hyjnë në këshilla municipale dhe në Kuvend! Nëse paska qenë kështu, atëhere përse na lodhni kokën me vetingje politikanësh?!

E dyta, kush na garanton që kryetari i partisë nuk bashkëjeton me mediokrin, matrapazin, hiçmosgjënë, trafikantin, kurse populli, qytetarët, u gënjekan prej tyre? Ku është prova e kësaj kur populli nuk është lënë asnjëherë të votojë i lirë?

E treta, lëreni popullin të gabojë dhe të mbajë përgjegjësi për zgjedhjen që ka bërë duke çuar këtë apo atë kryetar bashkie, këshilltar, apo deputet në kolltukun e pushtetit! Mbasi të gabojë njëherë, dy, tri, ai tashmë do të ishte rritur, pjekur, dhe do të bënte zgjedhje gjithnjë e më të mira. Në procesin e zgjedhjes sikurse deritani populli ka në dorë opingat e Sheros. Mjaft me fajësimin e popullit, sikurse del me këtë teorinë e deleve. Delet prodhojnë lesh. Dhe kjo teori nuk na jep qumësht, na ofron vetëm lesh.

Populli e paska fajin?

Po hidhini një çikë vështrimin te sjellja e elektoratit dhe e popullit sesa e zgjuar është! Një pjesë e popullit po na le shëndenë dhe po ikën në emigrim. A nuk është kjo një revoltë për faktin që niveli i asaj që quhet demokraci është kaq i ulët, kaq qesharak, kaq banal, te ne? Ikin në vende më të zhvilluara por ku nuk kanë asnjë të drejtë politike, dhe braktisin vendin ku gjoja paska të drejta politike. A nuk mjafton kjo që liritë politike janë fare të neglizhueshme në vendin tonë saqë populli i braktis pa asnjë problem. Nuk reagon populli? Por, a nuk e shihni, o budallenj që populli i ka braktisur zgjedhjet dhe me një shkallë abstenimi kaq të lartë, a nuk tregon ai se nuk e ha sapunin për djath. Populli shet votën? Po çfarë ta përdori kur sheh se asnjë nga kandidatët që ka shans për të fituar nuk përfaqëson vullnetitn popullor, por thjesht tekat e kryetarit të partisë? Më mirë e shet në këto kushte. Ja pra, analiza e shkurtër e gjendjes ku ndodhemi. Vetê një budalla nuk e di që mesatarisht niveli kulturor i deputetëve te ne është më i ulët se niveli kulturor mesatar i shtresës të arsimuar në Shqipëri, sigurisht pa përjashtuar individë të veçantë. Vetëm një budalla nuk e di që në Shqipëri profesioni më i mirë për t’u pasuruar pa lodhje dhe pa meritë është të bëhesh deputet. Krahasoni pak privilegjet e deputetëve shqiptarë me të ardhurat mesatare të popullsisë, pastaj krahasojini pak me këto diferenca në vendet europiane a më gjerë, dhe do të shikoni sesi shërbëtori, deputetI, ja ka hypur, zotërisë, pra qytetarit. Çfarë hipokrizie e pashoqe! Krahasoni pak sa deputetë për banorë kemi ne dhe sa ka në vendet europiane ose edhe më gjerë ! Do të shihni se Shqipëria do të dukej jo një vend i vockël me pak votues, por sikur të ishte një vend i madh si Persia, apo perandoria Kahn! Çfarë klase mbajmë mbi shpinë numerikisht krejt të ekzagjeruar dhe me privilegje që ato të kohës të qepës do të ishin thjesht shakara me kripë! Mos të sillemi kot vërdallë. Poqese ligja elektorale nuk ribëhet jo duke menduar për pushtetin, madje duke mos menduar as për opozitën, nëse ajo nuk na bind se do vërtet emancipimin politik të vendit, duke mos menduar as edhe për partitë e vogla, por për qytetarin, për zgjedhësin që do të zgjedhë dhe të zgjidhet, ne do të jemi në kurth! Kur bie njëherë në të e ka fajin ai që të futi atje, kur bie për herë të dytë, e ke fajin vetë, kur bie për herë të tretë, katërt, pestë, je një copë budallai, një trap, atje e ke vendin, aty qëndro! Sepse ka sidomos në rrjete sociale por edhe në rrugë qytetarë që me të drejtë i hedhin shigjetat ndaj intelektualëve: E mo çfarë po bëni? Vetëm llafe ju! Çfarë të bëjnë intelektualët, artistët, pedagogët, kërkuesit shkencorë, inxhinjerët, në kushtet kur për të kandiduar duhet të hysh në parti, pra ta braktisësh rolin dhe misionin tënd si intelektual, dhe të përdorësh rrobën e intelektualin, për të përfituar privilegjet dhe të bësh shërbimet e politikanit të sotëm.

Nga kjo pikëpamje ka pesë parime themelore që duhen rivënë në vend, pastaj të tjerat konkretisht realizohen hap pas hapi:

  1. 1. Kodi elektoral, pra mënyra sesi zgjidhen të zgjedhurit tanë duhet të zgjidhet nga populli, së paku nuk mund të jetë monopol i partive parlamentare. Pra, me një fjalë ligja elektorale duhet të hyjë në fuqi pasi të konkurrojnë disa modele dhe të zgjidhet njeri prej tyre, ai që së paku merr 50 përqind të votave të elektoratit. Përndryshe ne do të kemi gjithmonë një ligj elektoral që do ta bëjnë ata që i japin atij ligji atë përmbajtje dhe atë formë që i bën të zgjidhen pa konkurrencë. Kjo quhet as më shumë e as më pak monopolizim i pushtetit. Vetë zot e vetë shkop. Bëj një ligj elektoral që më zgjedh dhe më jep monopolin që të vazhdoj të bëj atë ligj elektoral që më intereson mua. Eshtë njësoj sikur tigri të thotë: “Marrim vendime për të zgjedhur njerin prej nesh, kafshëve të pyllit, por ai që do të zgjidhet duhet të ketë kthetra, ta ketë lëkurën me ngjyra vija-vija dhe duhet të gërthasë si tigër! Tani hajde zgjedhim! Lepuri, breshka, miu pastaj le të shkojnë në votime! Tigri do të zgjidhet gjithmonë.
  2. 2. Komisionet e votimit dhe të numurimit të votave duhet t’i shpëtojnë kontrollit të partive kryesore, sepse nuk mundet që lojari të jetë dhe arbitër dhe arbitri të jetë njëkohësisht edhe lojtar. Modelet në botë që sigurojnë neutralitetin e këtyre komisioneve zgjedhore në botë janë kaq të pasura me përvoja të çmuara, sa do të ishte vërtet mëkat të mos mësohej prej tyre. Përndryshe ne vazhdojmë të jemi sot e mot në formulën: «Ju votoni, ne numërojmë!»
  3. 3. Individi që kandidon në çfarëdo niveli përfaqësues i popullit, këshilltar, kryebashkiak, deputet etj., pavarësisht nëse përfaqëson një parti parlamentare politike, një parti joparlamentare, një listë qytetare, ose edhe vetëm vetën e tij, duhet të gëzojë të njejtat të drejta dhe shanse për t’u zgjedhur. Përndryshe i vihet kazma lirive dhe të drejtave të barabarta në zgjedhje për çdo qytetar të Shqipërisë, pra rrëzohet parimi kushtetues i të drejtës të barabartë politike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Me një fjalë, ka vend t’u lihet partive parlamentare, listave qytetare, individëve po ajo hapësirë e barabartë në zgjedhje sa edhe partive parlamentare.
  4. Fituesit në zgjedhje mund të përcaktohen vetëm nga vullnetit i elektoratit dhe jo nga vendi që partia i përcakton deputetit në një listë shumëemërore. Lista shumë emërore e mbyllur shkel kushtetutën edhe sepse zgjedhja e përfaqësuesit të popullit nga vetë populli cenohet, por edhe sepse humbet parimi i votimit të drejtpërdrejtë.
  5. 5. Shpenzimet për fushatat zgjedhore duhet të jenë minimale sipas kufizimeve të shprehura në ligj dhe përfaqësimi i tyre në media falas duke u mbuluar nga shteti.

Vetëm kështu ne nuk do të kemi një Monarki Republikane, pra një Republikë Monarkike. Përndryshe burrat në vend të merren me diskutime politike të luajnë bilardo, dhe gratë në vend të dëgjojnë llogjet politike të burrave të shohin telefilmat turq me intriga pallatesh Sulltanësh.