Akademik Jorgaq Kaçani/ Menaxhimi Mjedisor i Porteve të Korridorit Ndërkufitar 8

143

Të nderuar lexues me anë të këtij artikulli duam t’ju bëjmë të ditur se në kuadrin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar për Europën Juglindore, me mbështetjen e Bashkimit Europian, që prej më shumë katër vitesh Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Autoriteti Portual Durrës bashkëpunojnë për realizimin e projektit “Menaxhimi Mjedisor i Porteve të Korridorit Ndërkufitar (ECOPORT 8)”, i cili përfundoi me sukses dhe si rrjedhim, u miratua dhe po punohet për fazën e dytë të  tij, të titulluar “Zgjerimi ndërkufitar i rrjetit të ECOPORT 8” (TEN ECOPORT).

Në strategjinë e transportit europian, trafiku detar ka një rol të rëndësishëm falë ndikimit dhe kostos së tij relativisht të ulët në mjedis. Gjithsesi, intensifikimi i një trafiku të tillë nxjerr në pah çështje serioze mjedisore në ujërat e zonave bregdetare. Projekti “ECOPORT 8” kishte synim zhvillimin dhe forcimin e institucioneve për një bashkëpunim territorial për përftimin e një cilësie të kënaqshme të mjedisit të porteve dhe korridoreve transnacionale, duke vlerësuar aspektet mjedisore si p.sh. Cilësia e ujërave të akuatoriumit, menaxhimin e sedimenteve, mbrojtjen e biodiversitetit etj..

Realizimi i këtij projekti u arrit nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të qendrave kërkimore siç është Universiteti Politeknik i Tiranës me autoritetet vendore të portit, siç është Autoriteti Portual i Durrësit. Për të siguruar një mbarëvajtje adekuate, projekti u vlerësua nga Organizma të kualifikuar ndërkombëtare në rolin e oponentit. Gjithashtu, ecuria e projektit u vëzhgua nga institucione kombëtare të secilit partner, për vendin tonë, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.

Si projekt ndërkufitar, këtu morën pjesë universitetet, Qendrat kërkimore dhe Portet e vendeve partnere si: Italia, Bullgaria, Greqia, Rumania dhe Mali i Zi, ku partneri lider është Politekniku i Barit.

Duke patur parasysh që vendet partnere kryqëzohen me linja të tjera të transportit të Bashkimit Europian, të cilat lidhin Perëndimin me Europën Qendrore dhe Detin e Zi, përkatësisht Korridoret 10, 4 dhe 9, të lidhura ngushtë me Korridorin 8, ky i fundit merr një rol strategjik në zhvillimin e rrjetit të transportit në Europën -Juglindore.

Puna këmbëngulëse dhe e vazhdueshme si një ekip i vetëm e Institucioneve Kërkimore dhe Autoriteteve Portuale, ka çuar në realizimin me sukses të detyrave të parashikuara, ku në mënyrë të përmbledhur po rendis: Analizën SËOT të porteve si një sintezë e Legjislacionit Mjedisor të vendeve pjesëmarrëse dhe Legjislacionit Europian, Programin e përmirësimit të performancës mjedisore, Ngritjen e një rrjeti monitorimi pilot të mjedisit detar (ujë, ajër, tokë) trajnimin e specialistëve të rinj për menaxhimin mjedisor të zonave portuale etj..

Ky projekt është një fillim i mbarë për krijimin e rrugëve, si korridore mjedisore  në Europën- Juglindore, ku do të aplikohen praktikat më të mira për zvogëlimin e ndikimit në mjedis nga operatorët e transportit detar duke respektuar rregullat, Konventat Marpol dhe Direktivat e Bashkimit Europian. Studimet dhe testet e monitorimit në porte do të ofrojnë shërbime të tilla me synim Certifikimin si Porte Mjedisore.

Duke u nisur nga rezultatet pozitive të “ECOPORT 8”, u aplikua për vazhdimin e këtij projekti dhe u fitua faza e dytë e këtij projekti e titulluar “Përmirësimi Transnacional i Rrjetit ECOPORT8 (TEN ECOPORT)”. Duhet theksuar që falë punës cilësore të kryer gjatë projektit “ECOPORT 8” Universiteti Politeknik i Tiranës, në fazën e dytë ‘TENECOPORT” është zgjedhur si një nga anëtarët e komitetit teknik menaxhues të projektit.

“TENECOPORT” zgjeron rrjetin ekzistues që u krijua ndërmjet porteve të projektit “ECOPORT 8”. Ky projekt (TENECOPORT) do të fokusohet në diskutimin e platformave në dy nivele. Niveli i pare është diskutimi i platformave midis porteve të përfshira në projekt me synim hartimin dhe zbatimin e rregulloreve të njëjta dhe të përbashkëta për të gjitha portet e përfshira në projekt. Niveli i dytë parashikon që secili port do të diskutojë me operatorët e vet, me synim verifikimin e rezultateve dhe propozimet për amendimin e protokollit mjedisor në terma afatgjatë.

Përveç sa lart përmendëm, projekti do të shtojë impiantet pilot e për monitorimin mjedisor nëpër porte sidomos të çështjeve kritike të konstatuar në bashkëpunim me operatorët portualë. Porti i Durrësit do të përfitojë nga projekti një impiant pilot për monitorim mjedisor që do të instalohet brenda territorit portual Durrës, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të portit dhe territoret përreth si dhe certifikimin mjedisor të tij.

Kjo certifikatë nuk i shërben vetëm portit, por mbron cilësinë e mjedisit të qyteteve pranë porteve, zonave bregdetar edhe ujërave detare. Përvoja e portit të Durrësit e përftuar nga pjesëmarrja në këto projekte shpresojmë që të shërbejë si metodologji edhe për portet e tjera të vendit tonë.