Akademik Artan Fuga: Inaugurimi i një rruge dhe mjerimi i një raportimi mediatik!

647
Sigal

Dje lexuam dhe dëgjuam në median e masave se një ministër dhe drejtori i rrugëve të kombit inauguruan sikurse raportohej mbarimin e punimeve të rrugës Lin – Pogradec. Në media, në fakt, i gjithë informacioni u përmblodh te ajo se çfarë tha drejtori i rrugëve dhe ministri. Sigurisht ata propagandë do të bënin. Nuk kam asgjë me ta! Si ishte rruga më parë, e mjeruar dhe me ndërtesa pa leje anash, se çfarë cilësie i do punët e rrugëve qeveria, dhe se çfarë do të bëjë qeveria në vitet e ardhshme, duke marrë shkas, por pa asnjë provë e argument, nga cilësia e rrugës Lin-Pogradec. Kaq ishte në vija të përgjithshme raportimi i një gazetarie të quajtur të deklarimeve, ku gazetarin e detyrojnë vetëm të drejtojë mikrofonin si akullore te goja e pushtetarit dhe ky ta lëpijë duke nxjerrë nga goja çfarë i do zemra drejt veshëve tanë. Sikurse thotë populli: Na çan veshët dhe nuk na ndriçon mendjen asfare! Ne presim nga gazetaria, por gazetaria nuk e kalon dot cakun e propagandës. Ndërkohë, unë i njoh shumë mirë gazetarët e rinj. Po t’i lësh të lirë të “marrin gjak në vetull”. Mos janë trembur nga kërcënimet dhe sinjalet e egra dërguar koleges së tyre Klodiana Lala?!

Përse e them këtë?

Si nuk i bëri një pyetje ministrit dhe drejtorit të rrugëve ndokush nga gazetarët: Mirë kjo rruga buzë liqenit, por a nuk shihni një hendek të madh midis këtij kilometri rruge që nuk është i keq dhe gjendjes të rrugëve në qytetin turistik të Pogradecit që janë në pikë të hallit?

Ka ekuilibër në politikat e rrugëve apo jo?

Lëre pastaj raportimin e ekuilibruar dhe të paanshëm që nuk e sheh gjëkundi. Mjerim i madh, i paparë. Le të shkonte pak gazetari në fshatin piktoresk Lin dhe të pyeste pak banorët: A është e vërtetë që kjo rruga Lin – Pogradec me këto parametra që ka buzë liqenit vjen deri në qendrën e komunës tuaj? Dhe do të shihte se çfarë do të thoshin banorët e këtij fshati që jetojnë në kushte infrastrukture të degjeneruar, në atë pikë sa shkel edhe dinjitetin e një qenieje të gjallë dhe jo të njerëzve me ndërgjegje e me kujtesë. Inaugurohet asfaltimi i thjeshtë i një rruge, sepse në fakt rruga ka qenë që nga koha e Italisë, a më parë, sigurisht, ndofta që nga koha e romakëve sikurse kalonte Egnatia duke çarë Mokrën e krahinat përreth. Por, gazetari ndalohet të flasë për historinë e asaj rruge që kushedi sa herë, herë pas here është inauguruar në këtë shekull. Si nuk patën informacione detajesh ku na qëndron gazetaria e vërtetë? Kur filluan punimet në këtë rrugë? Cila ishte firma që i kreu? Sa herë u hodh dhe u shqep asfalti në të? Sa është trashësia e asfaltit dhe e çakllit, për sa vjet e ka garancinë? Është rrugë nacionale apo lokale? Lëre pastaj të dimë të dhëna prediktive, parashikuese: Sa makina do të kalojnë andej në vit? Më shumë i shërben Korçës apo Pogradecit? Sa është shpejtësia e lejuar? Për sa vjet mendohet se i zgjidh nevojat e transportit, etj. Gazetari nuk bën “fact checking”, pra të investigojë se sa të vërteta janë ato që thotë pushtetari. Nuk është e vërtetë se rruga ka nënkalime. Nuk është e vërtetë se ka ndriçim që të jetë tashmë në gjendje pune në të gjithë rrugën. Për më tepër rruga sigurisht ka disa parametra, domethënë mbrojtëse anash buzë liqenit, një pistë për biçikleta dhe udhëtarë, por nuk pyetet se çfarë ndikimi do të ketë ajo mbi banorët e hapësirës rurale. Ku do të ecin ata me qerre, me kafshë, me motoçikleta pa u konfrontuar me një qarkullim në rrugën e inauguruar që në fakt është vetëm për automjetet e shpejtësive të mëdha? Duke u ribërë kjo rrugë nacionale, a është menduar që me rrugë dytësore të lidhen fshatrat buzë liqenit me njeri tjetrin duke kaluar në to deri në Pogradec? Ku do të dalin fëmijët e fshatit nga zona e banuar për të shkuar në liqen? Duhet të kalojnë rrugën me vrap me rrezikun për t’u plandosur përdhe si harabela nga ndonjë automjet. Po turistët që do të popullojnë hotelet në anën e kundërt të liqenit si do të kalojnë në rrugën nacionale për të bërë plazh buzë liqenit?

U inaugurua mbarimi i punimeve!!!

Po pjesa ku duhet bërë ai që e quajtën tuneli panoramik? Kanë mbaruar punimet aty??? E quajnë rruga e hyrjes në Pogradec!!! Po a thamë se është rruga Lin – Pogradec??? Pse nxitohen për të inauguruar një rrugë që në pjesën ku bëhet investimi më i madh jemi ende shumë larg mbarimit të punimeve?

Pse gazetari e lejon burokratin të gënjejë ditën për diell?

Pse??? Pra, pse???

Po katastrofa ekologjike ku është gërmuar kodra dhe rruga ha kodrën dhe bimësinë shumëvjeçare mbi të? Si nuk u pyet konceptuesi, se përse ka vepruar kështu?

Sa lekë a euro po kushton kjo pjesë?

Sa na ka kushtuar ne si taksapagues për kilometër kjo rrugë?

Pse burokrati na e paraqet rrugën si dhuratë e partisë për popullin, duke harruar se ajo është bërë me paratë tona? Sa ka kushtuar? Sa?

Si është e mundur që zgjasin kaq shumë punimet? Sa metra në muaj mesatarisht janë ndërtuar për këtë rrugë?

Gazetarinë po e thajnë, sepse vendin e saj e ka zënë gazetaria e deklamimit, e propagandës.

Media si propagandë, si altoparlant në vitet ’80 te qyteti i studentëve, te kthimi i saj në mjet të marrëdhënieve publike që kuron imazhin e një burokrati a politikani!

Kjo gazetari nuk i duhet as dreqit!

E përsëris, e gjitha kjo ndodh ndërkohë që, po t’i lësh pak të lirë gazetarët, ata janë në gjendje ta zhveshin realitetin lakuriq ose së paku të thonë sikurse tha ai fëmija naiv: Realiteti qenka lakuriq!