Akademik Artan Fuga: Historia e kombit dhe fati i njeriut

730
Sigal

Elegji për komandantin e nëndetëses Aleko Pojani

Përpara disa ditësh u ndodha në ceremoninë e lamtumirës të fundit të Aleko Pojanit, komandantit të dikurshëm të një nëndetëseje, nga ato që ka zotëruar flota luftarake detare, dhe që sot nuk besoj se janë më në gjendje pune. I ndjeri ka pasur detyra edhe më të larta në forcat e armatosura, por mua më pëlqen ta kujtoj si komandant i gjigantit nën-ujës. Ka qenë në ato vitet ’60, mes shumë ushtarakëve të tjerë, atje në bazën e Pashalimanit kur midis Goliathit të stërmadh, Bashkim Sovjetik dhe Davidit të varfër e të këputur, Shqipëri, u bë ndeshja e madhe: Kush do ta zotëronte bazën ushtarake atje, kush do t’i mbante anijet luftarake mbi dhe nënujëse? U ndodha në atë ceremoni të përzishme për shkak të një lidhjeje familjare dhe jo sepse e njoh atë botë. Kisha lexuar dikur librin e tij me kujtime ku në mënyrë të natyrshme, paksa naive, sillte në filmin e ndërgjegjes përpara publikut jetën e tij. Nuk kishte dashur të ikte pa lënë gjurmët e jetës së tij të tjerëve. Si nën-ujs, komandanti e ka ditur mirë se uji i fshin gjurmët e atij që kalon sipër, lëre pastaj poshtë tij, por gjurmët e një jete nuk duhen fshirë. Komandant Alekua në librin e tij ishte realist, por mua leximi i tij më ngjalli shumë mendime për atë mot, si edhe për të sotmen. Fati i njeriut përshkoka epoka të mëdha që përmbysen dhe projekti njerëzor ndjek rrugën e tij. Jeton nën ujë njeriu dhe pasi vdes ia lë trupin e tij nëntokës. Në jetë nën-ujs, në pafundësi nën-toks. E rrallë. Mësova se komandanti ishte vetëm 21 vjeç, kthyer nga studimet e tij ushtarake në Baku të Bashkimit Sovjetik, kur u caktua në drejtimin e nëndetëses, njërës prej tyre, që e komandonin në fakt dy koka, një sovjetike dhe një shqiptare, ai. Derisa u përplasën me njëra tjetrën. Duke lexuar kujtimet e tij, mësoj se vinte nga qyteti i Korçës, lindur aty në dekadën e tretë të shekullit të kaluar. Nuk besoj se në familjen e tij apo në qytetin e Korçës atëherë ndokush mund të mendonte se një fëmijë i atij qyteti do të zotëronte teknologjinë më të lartë të kohës së tij tre dekada më vonë dhe do ta drejtonte atë armë nën-ujëse që kishte një fuqi të pazakontë. Mos harrojmë që një nëndetëse në vitet 50 ishte po aq një avancim teknologjik sa është sot ndofta një anije kozmike. As familja nga vinte komandanti nuk besoj se kishte mundësi të parathoshte që djali i saj do të vihej në drejtim të një gjiganti nën-ujs pak vite më pas. Familje e këputur e qytetit, që përballonte vështirësi financiare e ekonomike. E vërteta është se vitet ’50 shënuan atë periudhë kur dhjetëra e qindra fëmijë banorësh të varfër qytetesh ose bij fshati, të ardhur nga familje të këputura, mësuan teknologjinë e kohës dhe u bënë inxhinierë, aviatorë, mjekë, gjeologë. Fati i kishte përgatitur Shqipërisë dramën dhe kurthin e radhës. Nga njëra anë bijtë e saj notonin në hapësirat e teknologjisë të kohës, nga ana tjetër politikisht Shqipëria mbyllte derën e lirisë qytetare dhe bazohej mbi kampet dhe burgjet me tela me gjemba dhe izolim. Gjithmonë kam pyetur veten : Si mundën këta djem e vajza, Aleko Pojani midis tyre, të kapërcenin nga zakonet dhe kultura e një popullsie urbane artizanale dhe të përgjumur tregtie të vogël, ose nga një ekonomi bujqësore e vogël, te një botë teknologjike e hekurudhave, avionëve, nëndetëseve, etj ? Më është dukur habi e mister. Jam përpjekur aq pak herë sa kam biseduar me komandantin nën-ujs ta kuptoj këtë dhe të marrë përgjigjen e pyetjes, por ka qenë e pamundur. Veç buzëqeshje, një fllad humori dhe optimizmi prej marinari, veç një vështrim që ka ardhur nga ca sy ngjyrë deti, kam ndeshur. Si një mur i padukshëm që më ka penguar të penetroj te disa të vërteta që përbëjnë historinë e Shqipërisë. Pra pyes : Si kanë bërë kalimin nga një shoqëri artizanale drejt një shoqërie industriale ? Si e bënë këtë ? Besoj se u është dashur të përballojnë disa rregulla, shtrëngime dhe detyrime që trupi dhe truri i tyre arritën t’i mbajnë. Kanë bërë sakrificën e kohës, si çdo brez, duke përcjellë te ne historinë e Shqipërisë që nuk kemi të drejtë ta shpërdorojmë.

E para, përballuan rregullin e një shoqëri totalitare me ligje të ashpra e një dhunë që ka po atë shtypje që ushtron edhe çeliku mbi pambuk.

E dyta, arritën t’i nënshtrohen teknologjisë që ka detyrime të rrepta që nuk kanë asgjë të përbashkët me lirinë e tregtarit të vogël që shet në cepin e vet, me artizanin që qëndis si të dojë këpucët prej lëkure që prodhon, me lirinë e bariut që kullot delet nga lugina në luginë. Teknologjia nuk e lejon këtë liri personale me të cilën ishin mësuar në vegjëli.

E treta, iu nënshtruan disiplinës ushtarake sepse nëndetësja, sikurse tanksi, avioni, anija, rimorkiatori, nuk ishte një teknologji gjithfarësh, por e vendosur nën urdhrin ushtarak.
E katërta, iu nënshtruan jetës në vetmi, në ishullin e Sazanit, në qytezën ushtarake të Orikumit, sikurse dhjeta e dhjetua të tjerë jetuan të izoluar në qyteza që më shumë ishin kazerma ushtarake sesa vërtet zona të banuara normale.

E pesta, mos të harrojmë se një pjesë e këtyre njerëzve që u mbyllën në ato qyteza, reparte, kazerma, apo në qeli çeliku, në ajër, në tokë, a nën ujë, kishin jetuar vitet e shkollës duke hapur sytë e shpirtit në brigjet e Vollgës, të Donit, në detet që lagin brigje pa fund larg njeri tjetrit, nga Bosfori deri andej nga Skandinavia. Erdhën në Shqipëri duke lënë pas historitë me Olga, Tatjana, Borisa, a të gjitha miqësitë e përbotshme që rinia thur me ëndrra pavarësisht kombësisë, politikës, kampeve ushtarake. Shihja portretin simpatik të komandantit nën-ujs. Ai fliste për gjëra të përditshme, unë e dëgjoja, por mendja ime rrinte gjetiu : Si ka përballuar ky njeri dhe inxhinierët e komandantët e tjerë, zotërues të teknologjisë, të gjithë ato urdhra që koha u vuri mbi supe ? Por, asnjë përgjigje. Asnjë rrudhje e shpirtit të tij. Asnjë ashpërsi. Asnjë kryelartësi. Një rob Zoti i vërtetë nga ata që shpërndajnë vetëm mirësi, dashuri, këngë, humor. Dhe i kam rënë shkurt, çfarë i ka marrë shpirtit të tij të qenit ushtarak, ia ka kthyer me shumëfish të qenit detar. Më shumë kam parë te ai psikologjinë e detarit, të peshkatarit, të notarit, të zhytësit, sesa të ushtarakut. E megjithatë jeta e tij ishte para së gjithash ajo e një ushtaraku. Vëreja nëpër darka e qoka me bisht të syrit sjelljen dhe fizionominë e drejtuesit nën-ujs dhe në heshtje pyetjet nuk më mbaronin.  Mirë rregullave iu nënshtruan, por si arritën të ngrenë krye? Ushtaraku të ngrejë krye? Ai që ishte mësuar të zbatonte vetëm rregulla? Të mos kundërshtonte urdhra? Si ngritën krye këta djem të ardhur nga një botë para industriale, të formatuar me rregullat e ushtrisë, dhe të shprehnin mosbindje? Kërkoja përgjigjen te portreti, e folura, e ecura, e qeshura e komandant Alekos, për të kuptuar të gjithë atë brez, por në vend të përgjigjes merrja të qeshura, këngë, humor, e lëvizje dore: «E lëre, se nuk i kupton ca gjëra ti, hajde hedhim nga një gotë vere dhe mos e vrit mendjen për gjëra që e tejkalojnë mendjen tënde?»


Vitet ’60 e kundërvunë Shqipërinë staliniste kundër Bashkimit Sovjetik hrushovian. Nuk është vendi të prodhoj marrëzi e të analizoj këtë ndeshje. Pse? Sepse për komandantin 21 vjeç dhe shokët e tij të atij brezi, do të ishte absurde sot t’i kërkohej të dinte ai në atë kohë se kush kishte të drejtë. Apo aq më shumë t’i kërkohej të dinte se çfarë do të ndodhte më pas. Komandantit 21 vjeçar dhe shokëve të vet nën-ujsa apo mbiajërsa iu kërkua të ngrinin krye. Kaq. Urdhër!  Dhe ai ngriti krye. Ngriti krye, megjithëse e kishin mësuar se kishte hyrë në epokën e bindjes ndaj urdhrit. Si është e mundur që ky njeri i formatuar si ushtarak që vetëm dhe kryesisht të bindet, merr në çast urdhrin të ngrejë krye, dhe ai e bën. Zbaton urdhrin sublim që të mos zbatojë më urdhrin. Shpesh kam parë jetën dhe sjelljen e përditshme të komandant Alekos, si të shumë ushtarakëve të tjerë të asaj kohe, që nga njëra anë ishin të vendosur për të arritur objektivat e jetës së tyre, por dukeshin po aq edhe si çamarrokë. Dhe këtu kam menduar se ndodh nga që në një moment historik, ata zbatuan një urdhër kontradiktor, pothuajse paradoksal, pra u kërkua të zbatojnë urdhrin që u kërkonte të mos zbatojnë urdhrat! Unë mendoj se këtë forcë për ta kapërcyer paradoksin e politikës të kohës ua dha atdheu. Përmendni fjalën «atdhe» dhe ata ishin ndofta si kompjuterët që pasi marrin fjalëkalimin e duhur, pastaj i nënshtrohen çdo komande. Mjerë ata që harrojnë fjalëkalimin për t’i komanduar. Për të komanduar një popull të tërë. Fillimisht populli, si kompjuteri, nuk përgjigjet, dhe pasi merr disa herë fjalëkalimin e gabuar, të thotë : Ju keni gabuar disa herë, nuk keni më të drejtë ta provoni sërish me këtë fjalëkalim! U kërkohej të mos u bindeshin më sovjetikëve, të injoronin komandat e oficerëve sovjetikë, por të merrnin në zotërim bazën e Pashalimanit, si dhe mjetet mbi dhe nën-ujëse. Fillon programi i mosbindjes. E kërkoj mosbindjen te sytë ngjyrë deti tashmë të mbyllura të komandantit detar. Sikurse rrudhat më sjellin edukatën e bindjes ndaj urdhrit që ai e kishte si teknik, ushtarak, drejtues nëndetëseje.

Ngritje krye ndaj kujt?

E para, ngritje krye ndaj superfuqisë ushtarake dhe ideologjike të kohës.

E dyta, ngritje krye ndaj komandantëve sovjetikë në bazën ushtarake dhe në nëndetëse.
E treta, ngritje krye ndaj dogmës ideologjike që miqësia midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik do të ishte e pathyeshme.

E katërta, ngritje krye kundër të gjithë edukimit në Bashkimin Sovjetik, simpatisë për ish pedagogët, për kulturën ruse, muzikën, vallen, miqtë, gjuhën. Gjithçka që kishin kujtuar se do ta sillnin me vete nga Bashkimi i largët Sovjetik te streha e përjetshme mëmësore Shqipëri. Urdhri ishte i qartë për të gjithë: «Mos zbatoni më urdhrat sublimë të deritanishëm!» Thirrja ishte e qartë, pa shumë llafe, pa komente, pa lutje, si detyrë: «Aleko Pojani, që nga ky çast, urdhërohesh që gjithçka që e konsideroje si autoritet për t’u bindur, ta harrosh! Ke urdhër që të mos i bindesh asnjë urdhri, veç këtij që po merr tani ! » Kërkoj krizën metafizike dhe ekzistenciale te fytyra e detarit dhe kam parë edhe rrudha të thella edhe shkëlqim deti te sytë. Ja ku e ka kontradiktën të shënjuar ky njeri që e ka mposhtur atë me jetën e tij. Mendoj gjithmonë, kushedi sa net pa gjumë kanë kaluar me trazira në shpirt ata njerëz! Si nuk kanë plasur ! Kam vërejtur sa herë më ka ardhur rasti komandantin nën-ujs për të gjetur edhe një përgjigje të tretë që nuk mund të rri pa e zbuluar.


Si e përballoi ai brez detarësh ushtarakë zhburrërimin që jeta deshi t’u bënte ? Ata ngritën krye ndaj superfuqisë në emër të atdheut. Të ngrije krye donte të thoshte të pranoje që mbi kokën tënde të binin bomba disa tonelatash, të binin fishekë dhe predha tanku a mitralozi, të groposeshe i gjallë në hendek, apo të mbyteshe në një nëndetëse duke u harruar në fund të detit. Por, ata morën urdhrin për të mos iu bindur urdhrit! Sa pak njerëz kanë mundësi ta jetojnë një situatë të tillë përtej kufizimeve të mendjes njerëzore! Sa pak njerëz e kanë këtë fat në jetë ! Por vitet 70, e më pas, Aleko Pojanit dhe shokëve të tij, u kërkuan edhe një sfidë tjetër. Donin t’i zhburrëronin ! Kërkoja gjurmët e zhburrërimit te fytyra e tij, te sjellja e tij dhe nuk i kam gjetur dot. Asnjë hije zhburrërimi. U kërkuan të linin gradat. Ku ka ushtri pa grada! Në kohën e Selam Musait ndoshta, por jo në kohën e nëndetëseve. Sepse ai që jep urdhrin nuk të fton të shkosh në ndonjë party në Jalë, por të futesh në nëndetëse dhe të qëllosh e të qëllohesh dhe, o ta zhytësh në fund të detit, o të të zhysin në fund të detit. Pa veneracion dekorativ nuk ka ushtri! Nuk është turmë barinjsh dhe mitingashësh ushtria! Pastaj duke parë rezistencën e fshehtë dhe të pashprehur të tyre, burokracia e Tiranës kishte të drejtë të dyshonte: «Këta që u ngritën kundër superfuqisë me urdhrin tim, e çfarë e kanë që të ngrihen kundër meje në emër të idesë të atdheut që tek ata i tejkalon kufizimet politike?» U shanë, u anatemuan, u përzunë, ata, pikërisht ata që në emër të atdheut, pa pyetur dhe ditur më shumë, një dekadë më parë kishin pranuar të ngrinin krye kundër superfuqisë më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave. Ata që kishin pranuar që mbi kokat e tyre të derdhej zjarr, beton dhe hekur? Çfarë abuzimi! E pastaj në vitet ’90, këta ish-djelmosha njëzetvjeçarë që sollën në Shqipëri teknologjinë e kohës, që kishin ëndrra, që u venitën e u vranë, njohën përbuzjen. Pensione të turpshme! Lirime nga detyra! Harresë dhe braktisje! Shoh komandantin ushtarak nën-ujs që përvesh tani nga e para mëngët si detar në një anije tregtare. Endet në anijet tregtare të Globit sikur të ishte një muço i ri që e nis karrierën e vet nga pastrimi i kuvertës të anijes. Pyetja më qëndronte në kokë: Si mundi ky njeri, dhe shokët e tij, të mësohen në një botë pa urdhra, pa hierarki ushtarake, pa atdhe që duhet mbrojtur, pa mision sublim, të enden e integrohen në një botë lundrimi të një flotiljeje të përbotshme tregtare? Si e nisën jetën nga e para? Si nuk u tutën që politika u fshiu sërish si dallga gjithçka që ata kishin bërë për atdheun në jetë? Kam kërkuar zhgënjimin te sjellja, të folurit, portreti i njeriut dhe nuk e kam gjetur. Vetëm mirësi, dashuri, dhe humor. Sepse përtej historisë ka qenë njeriu! Sepse njeriu është mbi sistemet politike. Por, njeriu e do një mesazh sepse përndryshe çmendet bosh! Kishte gjithmonë një fjalëkalim: Atdheu, dinjiteti, humanizmi. E pasi nën-ujsi është futur nën-tokë dhe vazhdon përtej jetës udhëtimin e tij, pyetjet nuk më lenë të qetë. Këtë kohë pa pasur mundësi ta vështroj më tinëz. Çfarë bëjmë ne sot që brezat tanë njëzetvjeçarë të përvetësojnë teknologjinë më të avancuar të kohës? Çfarë kohe more derdimen? Tani është koha e koll-sentrave. «Kollitja» e të gjithë një brezi që venitet larg arritjeve teknologjike të kohës sonë. Pse? Dhe ndërkohë që shkruaj këto reshta për një njeri dhe një brez që përballuan si ata ditën dhe mundën dramën e jetës së tyre duke ruajtur njerzillikun, dashurinë, humorin e gëzuar, më sillen ndërmend pyetjet e tezës të provimit të letërsisë në maturën 2018 që u kërkonin maturantëve njohuritë e tyre për heroin absurd të romanit të Kamys «L’étranger». Vallë jetojmë në një botë vërtet pa kuptim, apo jeta mund të përballet me vlera të vërteta si atdhedashuria, humanizmi dhe dëshira për të kryer misione në jetë, për vete dhe bashkë me të tjerët?!