Akademia e Shkencave zgjedh kryetarin, por humbet fondet

592
Qeveria dhe Akademia e Shkencave kanë nisur dje një përballje frontale, që ka detyruar kryeministrin Edi Rama të deklarojë ndërprerjen e financimit për institucionin. Me 28 vota pro dhe 3 kundër, Gudar Beqiraj u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave, duke shkëmbyer postin me kryetarin e deritanishëm, Myzafer Korkuti, i cili zbriti në pozicionin e zëvendëskryetarit. Si Beqiraj ashtu edhe Korkuti ishin kandidatët e vetëm në konkurrim-dyshja drejton me rotacion Akademinë e Shkencave në Shqipëri prej vitit 2009. Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë realizuar vazhdimisht larg vëmendjes publike, por procesi i këtij viti u shoqërua me një debat të ndezur për shkak se akademiku Artan Fuga i cilësoi ato si farsë dhe kërkoi reformim të institucionit përmes një letre publike për kryeministrin Edi Rama. Mëngjesin e djeshëm, vetëm pak orë përpara nisjes së Asamblesë së Përgjithshme të Akademisë, në debat u përfshi përmes dy postimeve në “Facebook” edhe Rama, i cili fillimisht kërkoi ndalimin e zgjedhjeve farsë dhe më pas paralajmëroi se do t’i priste fondet këtij institucioni. “Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj stop farsës”, tha fillimisht Rama. Më pas, ai publikoi edhe vendimin e tij. “Meqë ‘Akademia’ zgjodhi farsën, uroj të gjejnë edhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

E krijuar prej vitit 1972, Akademia e Shkencave është një institucion buxhetor, i cili parashikohet t’i sigurojë të ardhurat e veta përmes fondeve buxhetore, pjesëmarrjes në projekte dhe të ardhurat nga dhuratat, sponsorizimet apo subvencionet. Megjithatë, bilanci i vitit 2016 tregon se ky institucion ka marrë 96 milionë lekë nga buxheti dhe zero lekë nga të ardhurat e tjera. Paralajmërimet e kryeministrit për prerjen e buxhetit nuk u shoqëruan megjithatë nga ndonjë reagim prej Beqirajt. “Unë jam legjitim në këtë post, pasi më votuan shumica e anëtarëve dhe derisa statuti e pranon rikandidimin, nuk shoh asnjë konflikt”, tha Gudar Beqiraj për BIRN, teksa festonte me nga një gotë uiski me kolegët zgjedhjen e tij në krye të Akademisë. “…nuk kam asnjë koment për deklaratat e kryeministrit. Unë nuk mund të reagoj i vetëm, por do të mbledh kryesinë e Akademisë dhe do të kemi një qëndrim zyrtar për këtë koment të kryeministrit Rama”, shtoi ai. Më vonë, Beqiraj tha për mediet se nuk beson se do të ndodhë bllokimi i fondeve, “pasi jemi gati të reformojmë Akademinë e Shkencave”.

Prej ditësh, akademiku Artan Fuga është angazhuar në denoncimin e rrokadës në Akademi. Më 1 shtator, Fuga shkroi një letër të hapur publike për kryeministrin Rama, përmes së cilës kërkonte ndaljen e “katrahurës së 4 shtatorit në Akademinë e Shkencave” dhe reformim të këtij institucioni. Aurela Anastasi, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave u shpreh e habitur për mungesën e konkurrencës, ndonëse i tha medieve se procesi është formalisht dhe juridikisht në rregull. Anastasi shtoi se institucioni duhet reformuar, për shkak se aktualisht ka vetëm rol honorifik. “Ligji ka parashikuar se kryetari dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave mund të zgjidhen për dy mandate, por jo radhazi. Natyrisht që nuk isha dakord që të kishte vetëm një kandidaturë në konkurrim, por formalo- juridikisht procesi është i rregullt. Moralisht prisja të kishte më shumë kandidatura”, përfundoi Anastasi.
Sigal