Ahmetaj: Ulja taksës së banesës për disa kategori

545
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, bëri të ditur dje se metodologjia e re e llogaritjes së taksës për pasuritë e paluajtshme, e njohur si taksa e ndërtesave, ka ulur ngarkesën për disa kategori, ndërsa janë përjashtuar disa kategori në nevojë. Gjatë një konference për financat e qeverisë vendore që u mbajt në Tiranë, ministri theksoi se taksa e ndërtesave është neglizhuar në 27 vite, duke kaluar një herë si përgjegjësi e qeverisë vendore e një herë asaj qendrore. “Së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe agjenci të tjera që ndihmojnë qeverinë shqiptare vendosëm të bënim një përqasje thelbësore për ta rregulluar metodologjinë e llogaritjes së taksës në favor të pushtetit vendor, transparencës e formalizimit”, shpjegoi ministri. “Janë përjashtuar nga pagesa e taksës pensionistët e vetëm dhe disa kategori në nevojë që përfitojnë nga skemat indirekte të mbështetjes”, tha Ahmetaj. Po ashtu, ai bëri të ditur se ngarkesa është ulur në mënyrë të konsiderueshme për disa kategori si për ata që kanë shtëpi para viti 1993 dhe kategori të sipërmarrjes së prodhimit, duke përfshirë edhe ato të prodhimit në bujqësi. Sipas ministrit, i kemi dhënë njësive vendore mundësi që të ulin apo rrisin këtë taksë për zona të caktuara deri në 30% pa cenuar unitetin ekonomik të vendit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shtoi ai, ka ngritur njësi të posaçme për administrimin e kësaj takse dhe do të krijohet edhe kadastra fiskale. Për ngritjen e kadastrës, sipas kreut të MFE-së, Agjencia e Taksave të Suedisë ka financuar 3.6 milionë euro. Mendojmë, tha ai, që agjenti i mbledhjes së kësaj takse të jetë OSHEE. Nga data 1 prill e këtij viti qytetarët dhe bizneset do të paguajnë taksë mbi ndërtesën mbi bazën e vlerës reale të saj. Konkretisht taksa mbi ndërtesat për banim llogaritet sa 0.05% e vlerës reale të ndërtesës, ndërsa për bizneset 0.20%.
Sigal