Ahmetaj në konferencë për shtyp, rekord në tërheqjen e investimeve të huaja

493
Sigal

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi të
martën se Shqipëria ka shënuar rekord në nëntë mujorin (janar-shtator) e këtij
viti në tërheqjen e investimeve të huaja.

Gjatë një konference për shtyp, ministri Ahmetaj tha
se ekonomia se ka bërë korrektim serioz dhe është kthyer në një cikël pozitiv
të rritjes ekonomike.

“Vitin që vjen synojmë të kalojmë gati 4 % rritje
ekonomike dhe me paketën e ideuar nga Kryeministri, rritja ekonomike pritet të
shkojë në 5 dhe 6 % në vitet respektive 2018-2019, duke bërë të mundur që
qytetarët të prekin efektet nga rritja ekonomike dhe jo thjeshtë ta shohin atë
si statistikë”, tha Ahmetaj.

Duke folur për investimet e huaja, kreu i financave
publike deklaroi se kjo shifër për 9-mujorin llogaritet 701 milionë euro,
investime në sektorin industrial, shërbime apo turizëm që prodhojnë zinxhir
vende pune. “Janë kompani italiane austriake, kinesz, gjermane, turke dhe
kompani nga vende të tjera. Kjo, tha Ahmetaj, i jep përgjigje më së miri
tymnajës së ngritur se investitorët e huaj po shpërngulen drejt Maqedonisë.
Sipas tij, jemi gati tre herë më lart se Maqedonia sa i takon investimeve të
huaja në volum.

Ai theksoi se qeveria tashmë po harton një paketë,
përmes së cilës do të evidentohen sektorët, por edhe masat që do të çonin në
rritjen e investimeve të huaja. Sektori energjitik por edhe ai i turizmit, u
shpreh Ahmetaj janë, dy ndër sektorët që shihen më me potencial. Kemi shtuar
kapacitetet, tha ai, por kemi nevojë të kalojmë në ndërtimin e resorteve
turistike, si dhe të përmirësojmë infrastrukturën turistike.

“Në këtë konsolidim fiskal dhe korrektim ekonomik
arritëm të tërheqim investimet e huaja, të rrisim të ardhurat, të fillojmë
uljen e borxhit publik, të bëjmë të mundur paketën e solidaritetit për
pensionistët e ata që përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe të ndërmarrim reforma
të rëndësishme”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Sfidë, u shpreh ministri, mbetet jo vetëm balanca
eksport-import, por edhe shtimi i gamës së eksporteve.