Ahmetaj: Ndryshon tatimi mbi të ardhurat

640
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka zhvilluar një takim pune me Shoqatën e Ndërtuesve, për të diskutuar për paketën e re fiskale të pritshme. “Vendosëm që konsultën e parë ta bëjmë me shoqatën tuaj, edhe për shkak të një kërkesë të kahershme që ju keni pasur, që në thelb ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë fiskale, pra ndarjen e përgjegjësisë tatimore, midis ndërtuesit/investitorit dhe pronarit të tokës. Ka qenë një diskutim e një debat i kahershëm. Në kujtesën tuaj ju keni filluar ta ngrini si çështje dhe si shqetësim që në vitin 2008”, tha Ahmetaj. Ai shtoi se ka disa vendimmarrje e iniciativa të Kryeministrit që kanë të bëjnë me trajtimin e biznesit të vogël, të cilat do të lançohen në javët që vijojnë, të cilat mund të prekin disa ligje, midis tyre dhe ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat. “Kështu që kemi një rast të mirë, pasi të konsultohemi, pasi të sqarohemi dhe të kemi ndërtuar një racionale të përbashkët, të arrijmë në një konkluzion dhe ndoshta të përfitojmë dhe nga hapësira që do të krijohet përsa i përket këtij ligji, të bëjmë ato ndryshime që ne mendojmë se janë të duhura dhe që ju keni shumë kohë që i kërkoni”, tha ai. Ahmetaj nënvizoi se përmirësimi i klimës së biznesit është kryefjalë e qeverisë. “Dhe Progres Raporti i Komisionit Evropian e theksonte me forcë që ka një përmirësim të klimës së biznesit, por ka akoma shumë për të bërë. Në të njëjtën kohë, është dhe detyrimi i qeverisë që të vazhdojë konsultimin me të gjithë, me qytetarët, me sipërmarrjen e vogël, sidomos për atë që ne kemi avancuar e që ka të bëjë me uljen e pragut të TVSH-së. Fatmirësisht biznesi i vogël është në kuptueshmëri të plotë me atë masë, në aspektin e trajtimit si procedurë, sepse është procedurë dhe jo taksë e re”, tha Ahmetaj. Ministri u kujtoi bizneseve ndryshimet e fundit fiskale që kanë të bëjnë me paketën e turizmit, me uljen e tatim fitimit, me bërjen zero të tatim fitimit, me uljen e TVSH-së, me mos aplikimin e taksës së infrastrukturës apo të pronës, për ndërtues/investitorë në struktura akomoduese 4 e 5 yje.
Sigal