Agron KAJA/ RTSH-ja aktuale, si “kazino” me “pit stop” politik!

488
Në hapësirën kohore të dy viteve të fundit, kemi parë e përjetuar ndryshime të prekshme të cilët shqiptarët e ndjeshëm kanë filluar ti përjetojnë ato edhe si standarde ndryshe nga e shkuara e afërt dhe e largët. Në gjithë këtë ecuri, natyrisht që këta qytetarë të prekshëm e të ndjeshëm nuk do të qëndronin pasivë që të kërkonin standarde edhe në aspektin mediatik, kryesisht në atë kombëtar, e në këtë rast fjala është për RTSH-në që në letra mbahet gjallë nga taksapaguesit shqiptarë, por që në këtë periudhë dy-vjeçare ende nuk ka gjetur dot fillin e ndryshimit nga koka e më poshtë. Tradicionalisht ndër vite ky institucion i fuqishëm mediatik është përdorur më shumë për qëllime politike dhe më pak në shërbim të atyre që në faturën vjetore të enrgjisë u vilet në sportelet e KESH-it edhe taksa për Televizionin Publik Shqiptar! Aktualisht ky “tempull” mediatik drejtohet pa një drejtor të përgjithshëm legjitim, pasi për shkaqe politikë, banalë dhe korruptivë, aty është duke vegjetuar njëri nga ata ish-drejtuesa që ingranazhet profesionale të këtij institucioni i ndali pas lyerjes së tyre me baltën që ja gatuan kuzhinierët e politikës përkatëse. Nëse do të flisnim historikisht për RTSH-në, jemi krenarë dhe me respekt kujtojmë se prej vitesh në këtë impiant mediatik janë ngjitur dhjetra e dhjetra figura të nderuara të gazetarisë shqiptare. Por nga ana tjetër, nëse me kurajon profesionale hapur e kemi thënë shpesh këtu në gazetën “Telegraf” se fatkeqësisht aty kanë provuar të ngjiten edhe njerëz të cilët kanë qenë “kundër rrymës”, pra në kahun e kundërt të misionit që ka në themel RTSH-ja, dhe ky mbetet në detyrim sa profesional aq edhe qytetar. 
“Bingoja politike” me drejtuesit aktualë
Kështu po ndodh me drejtuesit aktualë, të cilëve një “bingo politike” u ka rënë në këtë vakuum që po zgjat si një tërkuzë me shumë nyje në gjatësinë e saj. Muaj më parë dy personalitete e fituan të drejtën për të qenë në këtë post të rëndësishëm, por aty në ato këshillat e votave duket se ka ende vegjetacione që këta personalitete ti mbajnë me frenat e tyre të dorës. Parë kështu, le të themi se kjo RTSH që në letra mbahet gjallë nga taksapaguesit shqiptarë, tradicionalisht ndër vite përdoret më shumë për qëllime politike dhe më pak në shërbim të taksapaguesve të tij. Natyrisht që për këtë situatë nuk duhet menduar se është faji i atyre punonjësve që në këtë institucion mediatik kombëtar të rëndësishëm kanë punuar me thjeshtësi, 8 orë punë në ditë e rrallë me pushime javore, por që nga duart e mendjet e tyre kanë dalë “prodhime jetëgjata”. Këtë situatë e kanë sjellë ata të quajtur “ambasadorë” nga televizionet e tjera private apo edhe anonimë për median të deleguar nga partitë politike, qartësisht militantë që në TVSH kanë bërë karrierë personale pa i shërbyer aspak misionit të tij në tërësi. Nëse do të ndalemi me pak radhë tek këta individë, ata i shohim ende në drejtim, i shohim shpesh në ato “palo” emisione që në “shekuj” i drejtojnë, ku çelja e mbyllja e tyre është bërë në emër të partisë në pushtet. Kësisioj këta misionarë e kanë lënë profesionalisht në “pit-stop” RTSH-në, pasi në këtë hark kohor shërbimi i tyre ka qenë efektiv vetëm për fuqizimin e televizioneve private nga ndërtesa e RTSH-së, sot i fryrë në organikë dhe me shumë militantë partiakë, ose vetëm për marketing personal. 
Faturë financiare, gjithnjë në rritje
Nga kjo situatë, në RTSH gjatë viteve të fundit fatura financiare ka patur vetëm ngjitje, aq sa larg qoftë të mos na ndodhë si në Greqinë fqinje me televizionin e tyre shtetëror dy vite më parë. E kështu, më parë se të rikolaudohet ky institucion mediatik kombëtar për këtë situatë ndoshta do të duhet të pritet vendosja e drejtorit të ri dhe më pas një llogaridhënie nga maja e deri në bisht do ta “shplante” mënxyrën e atyre që e lanë në këtë derexhe RTSH-në. Për të qenë realist ndaj kësaj gjendjeje nuk mund të mohohet edhe fakti se aty janë bërë ndryshime, më shumë në hapësirën sportive me ndeshjet e evenimenteve që qytetarët e thjeshtë nuk kanë patur mundësi ti shohin ato në televizionet e tjera me pagesë, kryesisht në ndeshjet e Kombëtares sonë të futbollit. Kaq ndoshta nuk është shumë për një shtet mediatik siç është RTSH-ja shqiptare, pasi nuk është e tëra që duhet të bëhej. Parë kështu, koha e rilindjes duhet të ndjehet realisht në këtë institucion, i cili pas pozicionimit të drejtorit të përgjithshëm duhet të marrë drejtimin e duhur profesional. Modele ndryshimi në interes të shëndoshjes së gjendjes aty ka, dhe “merkatua” për ndryshim e vetë konkurrenca në tregun e ashpër mediatik që ekziston në Shqipëri do të kërkojnë përmirësimin rrënjësor të këtij institucioni, mundësisht jo me delegatë politikë. Pas këtij ndryshimi në drejtim, RTSH-ja nuk do të na e shpifë akoma me ato emisionet amatore në ekran nga gazetarë të afërm politikanësh e qeveritarësh që drejtojnë njëherësh dy emisione në televizionin shtetëror dhe emisione në televizione privatë, apo gazetarë dhe të afërm mes tyre që të drejtojnë emisione e departamente në këtë televizion, që po t’ju dëgjosh zërin nuk i pranon as për emission kalamjsh. Këto e të tjera mangësi e lanë RTSH-në në pit-stop profesional e funskional dhe vendosja e Menaxherit (Drejtorit) të Përgjithshëm duhet ta mbyllë “kazinonë e bingos” që po përjetojnë aty drejtues e gazetarë jo profesionalë, delegatë të politikës dashakeqe anti-mediatike.
Sigal