Agron Kaja/ Ja pse premtimet ndaj ish-ushtarakëve kthehen në gënjeshtra?!

514
Në muajin shtator 2015 mbushen dy vite nga marrja e drejtimit të qeverisjes nga koalicioni i majtë PS-LSI dhe gjatë kësaj periudhe shumë gjëra kanë ndryshuar, kryesisht ato që preken nga syri e veshi i çdo qytetari të ndjeshëm. Në këtë hapësirë kohe çdo shtresë e popullsisë shqiptare e gjen veten për mirë apo për keq dhe kjo është normale në një shtet që po mbetet i brishtë tash 23 vite të ndryshimt të sistemit. Dhe aty, në fundin e këtyre shtresave shoqërore duket se është e zhvendosur një nga shtresat më të përvuajtura në sistemin e kaluar, ajo e ish-ushtarakëve. 
Dhe kusuret s’kanë të sosur
Por sot me ta duhet përdorur shprehja popullore: “dhe kusuret s’kanë të sosur”, sepse sikur mos të mjaftonin ato peripeci që ish-ushtarakët kanë kaluar në mbrojtje të Atdheut me frymën e sistemit diktaktorial të para viteve ’90-të, që nga viti 1992 e deri më sot ata janë goditur, nënvleftësuar e fyer thuajse nga të gjitha qeveritë e kohës. Sot të godasësh anën ekonomike të qytetarit është gjëja më e rëndë, ta nënvleftësosh ekonomikisht qytetarin edhe kjo është shumë e rëndë, ashtu sikundër është e rëndë që pas këtyre dy të parave të lëshosh edhe fyerje për ato kërkesa legjitime minimale që me Kushtetutë dhe me Statusin e Ushtarakut u takojnë. Në këto radhë nuk jam nisur të përmend data vendimesh e akte të ndryshme që janë vënë në qarrkullim si skorje të Statusit të Ushtarakut në Republikën e Shqipërisë, por do mundohem të radhis disa arsye pse qeveritë veprojnë kaq brutalisht e me një nënvleftësim anti-qytetar me ish-ushtarakët. Në këndvështrimin tim qytetar dhe si ish-ushtarak, ka disa arsye të kësaj marrëdhënieje që për vite me radhë e kanë bërë këtë shtresë si një shtojcë për interesa elektorale të atyre që kanë qeverisur në Shqipërinë e periudhës që e quajnë “demokraci”. 
Akti Normativ fatkeq
Vërtet kështu do të ishte mirë të quhej, ndërsa për ish-ushtarakët sjellja qeveritare ndaj tyre ngjason me një diktaturë të tipit demokratik, e cila ka vite që po u merr atyre edhe bukën e gojës me një Akt Normativ famëkeq të qeverisjes së kaluar në tetorit 2010. Mirë që për punësim ish-ushtarakët shikohen si të dorës së tretë (luks është një roje objekti), por shumë prej tyre nga ato pensione minimale qesharake që marrin mbajnë veten e familjet e tyre, po kthejnë lekë te DRSSH-ja sikur tu a kishin vjedhur pushtetarëve nga tenderat e korrupsioni që kanë bërë me postet shtetërore. Dhe kjo shtresë e bindur verbërisht është duke likujduar disa vrima në arkat e shtetit prej më shumë se pesë vite, por për këtë padrejtësi nuk ka ditur të gjejë forcat e rrugët ligjore ta parandalojë. Ka disa arsye për këtë situatë, sepse: 
1. Pjesa më e madhe e ish-ushtarakëve në Shqipëri beson deri në verbëri ndaj qeverisjes së sotme dhe të bëjë opozitë për të drejtat e saj ndoshta e sheh si një “tradhëti idealiste”, që në fakt e ka dëmtuar vetë këtë shtresë ekonomikisht e moralisht (kush pyet për moral sot!). 
2. Ish-ushtarakët kanë njerëz të tyre të afërm të cilët janë të punësuar në administratën shtetërore e lokale dhe kjo i bën ata që të qëndrojnë indiferentë e gojëkyçur edhe kur vetë ata janë të ndërgjegjshëm se të drejtat e tyre legjitime njohura me Kushtetutë e me Status po shkelen e shpërfillen sikur të ishin njerëz të rëndomtë e pa atë kontribut madhor në mbrojtjen e shtetit shqiptar. 
3. Një pjesë e mirë e ish-ushtarakëve sot kanë krijuar një bazë financiare normale nëpërmjet emigrimit të tyre, të fëmijve apo të afërmve, pozicione të cilët i mbajnë ata në kahun e indiferentit, por që në fakt zjejnë përbrenda shpirtit dhe e vuajnë padrejtësinë që u është bërë.
4. Pjesa drejtuese e shoqatave të ish-ushtarakëve, më shumë ka qenë e përdorur nga qeveritë në këto 23 vite, se sa i kanë shërbyer kësaj shtrese që i ka zgjedhur për të menaxhuar të drejtat e tyre në shoqërinë shqiptare. Ky është një moment më delikat prej të cilit kanë rjedhur shumë nga ato peripeci që sot po përkëthehen në vlefta monetare në dëm të ish-ushtarakëve. 
5. Kjo shtresë nuk përfaqësohet në asnjë nivel shtetëror e lokal me njerëz të punësuar për të mbrojtur këto të drejta, sikundër janë krijuar institute për të tjera shtresa të shoqërisë sonë. 
Mund të radhiten të tjera fakte e arsye që premtimet elektorale ndaj ish-ushtarakëve në Shqipëri po kthehen në gënjeshtra e mashtrime pas marrjes së pushtetit nga qeveritë që kanë gjsdisur në Shqipëri. Kësisoj, të gjitha këto përzjehen në ambientin shoqëror të kësaj shtrese të popullsisë sonë dhe nuk e bëjnë aktive e reale forcën e tyre në shoqërinë shqiptare për të kërkuar me çdo formë demokratike të drejtat legjitime, sikundër i kanë kërkuar, e më pas i kanë përfituar këto të drejta edhe shtresa të tjera të popullsisë. Durimi i ish-ushtarakëve është i maturuar dhe kjo e dallon shumë nga shtresat e tjera të shoqërisë sonë, por jo ta ngatërrojë për dobësi dhe t’ja shpërblejnë me nënvleftësim.
Sigal