Sigal

Është për të ardhur keq që në vendin tonë nderohen tradhtarët e reaksionarët dhe përjetësohen me monumente

Prof. Dr. Ago Nezha

(Mjeshtër i Madh dhe Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut)

Të nderuar veteranë dhe drejtues të organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kam privilegjin t’ju përshëndes në emër të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, dhe t’ju uroj festën në këtë jubile të shënuar për juve dhe gjithë popullin Shqiptar, veprimtari të suksesshme shoqërore dhe jetë të gjatë personale e familjare, për të vazhduar ëndrrën që ju ndërpre në mes mijëra partizanëve dhe luftëtarëve, për liri e pavarësi kombëtare. Veteranët Shqiptarë, përfaqësues të një vendi të vogël, të varfër dhe të rraskapitur, kanë një jetë bohemë të luftërave për liri, pavarësi dhe rindërtimin e Shqipërisë me forcat e veta. Kjo, ia rrit krenarinë organizatës Suaj. Jeta e veteranëve Shqiptarë është një uverturë e patriotizmit, trimërisë, e shqiptarisë dhe atdhedashurisë të trashëguar në shekuj. Shumë prej atyre që hodhën themelet e shtetit shqiptar, sot prehen në varrezat e Dëshmorëve. E themi me keqardhje dhe me një ndjenjë përgjegjësie shoqërore, që sot është përdhosur çdo vlerë shpirtërore, patriotike e kombëtare. Lufta e veteranëve, është një kontribut për të mbrojtur çdo vlerë kombëtare, duke privuar interesat e tyre personale. Këtu qëndron dhe madhështia e krenaria e tyre e ligjshme. Shkatërrimokracia e pseudodemokratëve gjatë këtyre 27 vjetëve, që e udhëhoqën komunistët ekstremist, me në krye Sali Berishën, ç’vlerësoi çdo kontribut dhe sakrificë të dy brezave që punuan për 50 vjet dhe ndërtuan vepra gjigante si hidrocentrale, fabrika, uzina, plantacione mahnitëse me dru frutor, si Lukova e Ksamili në Sarandë, Shtoi në Shkodër, NB “Rinia” në Uji të Ftohët Vlorë, Blloku i Fiqve në Berat, nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe shumë vepra social kulturore si teatro e muze, që u rrafshuan nga një barbari mesjetare e kohëve moderne. U shkatërruan deri edhe varrezat e Dëshmorëve, muzetë, lapidarët dhe shumë simbole që përjetësonin historinë legjendare të popullit tonë dhe evokonin heroizmin e pashoq të luftëtarëve tanë në shekuj. Kjo, ishte një strategji e studiuar mirë për të ç’bërë kujtesën historike dhe për ta fshirë atë nga opinion shoqëror, për të humbur çdo trashëgim dhe vlerë patriotike me karakter kombëtar.

Varrezat e Dëshmorëve janë kthyer në magazina pa inventar, ku gjatë këtyre 27 vjetëve janë vendosur emra të pamerituar dhe motivuar për të qenë te shtëpia e heronjve të luftës, që është e pa kompromentueshme dhe e pa zëvendësueshme me askënd tjetër. Është për të ardhur keq që në vendin tonë, në emër të demokracisë, nderohen tradhtarët e reaksionarët dhe përjetësohen me monumente, buste, lapidarë, me emisione televizive nga disa media antikombëtare, monografi të manipuluara, e gjithfarë mjetesh propagandistike reaksionare. Në krye të kryeqytetit qëndron monumenti i Mbretit Zog dhe një rrugë që mban emrin e tij, për “meritat” e tradhtisë duke braktisur vendin në ditën e pushtimit të 7 Prillit nga Italianët, duke grabitur floririn dhe bankën e Shqipërisë. Ky nderim kombëtar i bëhet për shitjen e trojeve të malësisë së Vermoshit dhe Shën Naumin, apo për shfarosjen e përndjekjen e intelektualëve dhe patriotëve të shquar Shqiptar; si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Avni Rystemi, e deri te legjenda Shote Galica, apo shkencëtarin me përmasa evropiane Bilal Golemi, që e përzunë nga Shqipëria se ishte antizogist. Në këtë jubile të 60-vjetorit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, duhet të ndihemi shumë keq në këtë sallë dhe jashtë saj, po të kemi sado pak gjak Shqiptari, që jemi pjesëtar të këtij kombi që nderon tradhtarët. Kjo rrymë antikombëtare është kthyer në filozofi nga pinjollët e tyre, për t’i kthyer tradhtarët në heronj duke ngritur monumente, buste e lapidarë, emra rrugësh, (deri në Orikum, ka rrugë me emrin Ahmet Zogu, e në mbarë vendin) që i ndesh në shumë rrethe të vendit dhe duke i dekoruar për veprat e tyre çnjerëzore. Këtë dukuri e gjejmë në Dibër ku i ngrihet bust Halil Halisë, një gjakatar mesjetar, në Lushnjë, Hamit Matjanit, e shumë të tjerë të këtij lloji. Vërejmë se ka një ofensivë të klasave reaksionare me tubime, shkrime, botime e promovime publike që i kundërvihen dhe bien ndesh me veprimtarinë e Organizatës së veteranëve. Pra, vendin e luftëtarëve e fitimtarëve, e kanë zënë tradhtarët. Ka ardhur koha të themi mjaft më me pohime e konstatime, kërkohen veprime aktive. Është i vetmi kryeqytet i botës së qytetëruar, që nuk ka një shesh dhe monument madhështor për krijuesin e shtetit të parë Shqiptar, patriotit të patjetërsueshëm, plakut Ismail Qemali, që e ka vendin përballë Skënderbeut. Për turpin e këtij kombi, në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, u mor një bust sallash i aksidentuar , dhe u vendos në një qoshe të padukshme, në një kohë që në këtë jubile historik duhet të ngrihesh një monument madhështor në qendër të kryeqytetit. Është momenti dhe në nderin tonë, që të bashkuar si organizatë e Veteranëve dhe Shoqata Labëria, të ngremë zërin para Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë, që me rikompozimin e qendrës së Tiranës, të marrë emrin e Ismail Qemalit, një shesh kryesor, ku të vendoset dhe monumenti i tij. Duhet të heqim dorë nga retorikat folklorike dhe të ndërmarrim aksione konkrete, që ti pritet rruga kancerit reaksionar që po përhapet me frymë galopante në trupin e shoqërisë tonë. Duke përfunduar, unë ju shpreh mirënjohje për veprimtarinë Tuaj patriotike dhe në emër të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, ju uroj që të kremtoni jubile të tjerë, për të çuar përpara idealet e brezave që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e popullit Shqiptar.

Rroftë Organizata e Veteranëve të LANÇ!

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” “NDERI I KOMBIT”

Kryetari