Agjencia e Prokurimeve, tender për punonjësit

852
Punësimi, agjencia e re e tenderëve hap garën
Nisin aplikimet për vendet e lira në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, që do të furnizojë të gjitha ministritë
Nisin aplikimet për të qenë pjesë e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e kësaj strukture, në varësi të Ministrisë së Brendshme. Me qëllim përzgjedhjen e ekspertëve në të mirë, Ministria e Brendshme njoftoi të gjithë personat e interesuar të aplikojnë përmes një kërkese me shkrim brenda datës 2 Mars 2018. Punonjësit do të punësohen në bazë të Kodit të Punës. Struktura e re që do të ngrihet, do të ketë 5 nivele punonjësish, që nisin nga specialist, deri në Drejtor i Përgjithshëm. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit duhet të dorëzojnë edhe jetëshkrimin; fotokopjen e diplomës; fotokopjen e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë përvojën në punë); çdo dokumentacion që vërteton eksperienca të tjera punësimi brenda ose jashtë vendit, të lëshuar nga punëdhënësi; çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.

Qeveria vendosi një javë më parë të ndryshojë mënyrën e blerjes së mallrave dhe shërbimeve për institucionet shtetërore. Sipas qeverisë, tashmë do të funksionojë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në varësi të ministrit të Brendshëm. Agjencia, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve. Agjencia e re do të drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri i Brendshëm. Gjithashtu, qeveria ngarkoi Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve. Ndërkohë, deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas vendimit të ri, Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara do të vazhdojë funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar. Lidhur me blerjet e parashikuara, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë apo do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me ardhjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore. Do të jenë autoritetet kontraktore, që brenda 5 ditëve nga hartimi i regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, duhet të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës, për mallrat e shërbimet përkatëse. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton mosrespektimin e afatit kohor të përcaktuar në këtë pikë. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, e të hartojë katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm. Ndër të tjera, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në raste përjashtimore, mund të zhvillojë procedurë prokurimi edhe kur kërkohet nga një autoritet a një grup autoritetesh kontraktore, mallra a shërbime, që nuk janë përcaktuar në vendimin e të qeverisë.

Detyrat e Agjencisë:
Në rastin kur kryen procedura prokurimi për të nënshkruar marrëveshje kuadër:
a) zhvillon procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
b) përllogarit fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen;
c) unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;
ç) shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
d) në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;
dh) monitoron, në çdo kohë, zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore dhe për këtë qëllim harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
Në rastin kur Agjencia kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë:
a) Zhvillon procedurat e prokurimit të përqendruar të mallrave dhe të shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;
b) Bashkërendon punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për prokurimet publike që do të zhvillojë si organ qendror blerës;
c) Unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;
ç) Verifikon përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;
d) Përllogarit fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen, para publikimit të tenderit, dhe vë në dijeni autoritetet kontraktore;
dh) Shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit;
e) Në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;
ë) Monitoron në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
KANDIDATI I INTERESUAR DUHET TË PLOTËSOJË KRITERET:
– diplomë në Shkenca Ekonomike/Juridike;
– të përmbushë kriteret e përgjithshme të punësimit në Administratën Publike;
– të mos jetë përjashtuar nga Administrata Publike me masë disiplinore;
– të ketë përvojë pune në administratë publike;
– të ketë integritet të lartë profesional e moral; 
*Përvoja në prokurime përbën përparësi për kandidatët;
EKSPERIENCA PUNE
Drejtor i Përgjithshëm: Të ketë jo më pak se 10 vite punë eksperiencë në Administratë Publike, 3 në nivel drejtues;
Drejtor Drejtorie: Të ketë jo më pak se 7 vite punë eksperiencë në Administratë Publike, 2 në nivel drejtues;
Përgjegjës Sektori: Të ketë jo më pak se 3 vite punë në Administratë Publike;
Koordinator: Të ketë jo më pak se 3 vite punë në Administratë Publike;
Specialist: Të ketë jo më pak se 1 vit punë në Administratë Publike.
Sigal