“Agjenci” mashtruese për punësimin në Elbasan,  2 mijë euro për një vend pune

556
Sigal

Ditët e fundit në Elbasan kanë nisur ti bëjnë “konkurrencë” Zyrës së Punësimit, disa “agjenci” fantazma të cilat dirigjohen nga sekserë të  disa drejtuesve të institucioneve të shtetit, apo edhe kryetarëve të partive, duke u premtuar hallexhinjve “vende pune”. Por ky premtim nuk mbaron me kaq, pasi mashtrimi nis me joshjen e hallexhinjve, duke u kërkuar atyre si fillim “CV, kopje dëftesash e diplomash”, e gjithë farë shpikjesh dhe në fund edhe gjobën, e cila varjon deri 2 mijë euro. Këto “agjenci” dirigjohen nga sekserë të disa drejtuesve dhe pushtetarëve dhe fshihen nën emrat e tyre, duke bërë madje edhe propaganda “mos shkoni tek Zyra e Punësimit, atje ju gënjejnë, me ne mbaroni punë shpejt sepse do të ketë punësime masive para fushatës së 21 qershorit”. Dhe këto skandale ngjasin në qendër të qytetit, apo edhe në gjoja “zyra” të marra me qira në apartamente, ku përmes “agjentëve” të tyre, sekserët e kollarisur kanë arritur të tërheqin në rrjetën e mashtrimeve dhjetëra persona. Disa prej hallexhinjve që qëndrojnë gjithë ditën tek ish-lulishte 1 Maji, me vegla në duar, deklaruan se “na vijnë këtu njerëz me makina apo dhe në këmbë na thonë “doni punë, hajdeni me ne, madje disa prej nesh edhe kanë nisur punë por duke paguar diçka”. Karremin e sekserëve kanë mundur ta hanë edhe njerëz me diploma, madje disa prej tyre kanë marrë premtimin se “brenda marsit do të filloni punë, pastaj duam haraçin”. Kjo siguri padyshim vjen nga kontratat që sekserët e “punësimit” kanë nënshkruar me ndonjë drejtues ndërmarrjesh dhe institucionesh, gjithmonë në kuadër të prag fushatës elektorale, e cila duhet thënë se në Elbasan ka nisur tashmë. Por nga burimet e “Telegraf” mësohet se “agjencitë e mashtrimit që kanë dalë hapur dhe kanë sfiduar zyrat e punësimit të shtetit, dhe që po kthehen si kompanitë rentierë, flasin edhe në emër të ndonjë pushtetari, deputeti apo kryetari partie, duke e bërë të besueshme gjithçka”. Ky  rrjet mashtruesish ka mundur të turbullojë mendjen e hallexhinjve dhe ti nxisë ata të gjejnë ku të munden lekët për të paguar ndoshta edhe për ndonjë vend pune të përkohshme. Elbasani dihet se ka një numër të madh të papunësh dhe ky ndoshta është shkaku ku shpesh dalin në dritën e diellit edhe “fondacione” apo “agjenci” mashtruese, si 1 vit më parë, me gjoja punësimin në perëndim, ku mundën ti merrnin qindra personave lekët për të mos ua kthyer më. Kjo gjë po ndodh në një kohë kur Zyra e re e Punësimit në Elbasan, e hapur 8 muaj më parë, deri sot nuk ka punësuar as 250 vetë, kur ky qytet lëngon nga afro 32 mijë të tillë. Atë që nuk po e bën shteti duket se kanë vendosur ta bëjnë “agjencitë” mashtruese dhe konkurrente të tij, duke promovuar hapur korrupsionin e duke mbajtur njerëzit me shpresën e një vendi pune. Po këto “agjenci” kanë hedhur në treg edhe mashtrimin e “punësimit jashtë shtetit” dhe kryesisht në Gjermani e Austri, duke arritur tu zhvatin dhjetëra e dhjetëra njerëzve lekët e transportit. Sekserët kanë rrjetin e tyre edhe në fushën e transportit për “të punësuarit” jashtë shtetit, kurse për ata brenda qytetit, kanë arritur të kenë një logjistikë perfekte komunikimi dhe projekt zbatimi. Sipas të thënave nga ndonjë hallexhi që beson tek “punësimi” i tyre, “ata kishin zyra me të gjitha pajisjet  sikur të ishin zyrtarë të vërtetë dhe të mbushnin mendjen sikur të bënin magji”.

Nga Ben Delimeta