Agimi i Artë ngre grupe sigurie kundër ‘okupatorëve të huaj’

601
Sigal

Neonazistët e Agimit të Artë kanë ngritur “batalione sigurimi”, për mbrojtjen e qytetarëve grekë nga “okupatorët e huaj”, siç i quajnë ata emigrantët klandestinë. Sipas gazetës Elefteria, në Kalamata janë formuar disa grupe sigurimi, që ngjajnë shumë me Batalionet e Sigurimit të nacionalistëve grekë, gjatë Luftës të dytë botërore. Në krye të këtyre organizatave duket se është një ish polic, që në zgjedhjet e fundit parlamentare, ishte kandidat për deputet me këtë parti, në zonën e Kalamatës. Në një deklaratë, iu bëhet thirrje të gjithë grekëve nga 15-70 vjeç të jenë vigjilentë dhe gati për mobilizim. Grupet e Agimit të Artë deklarojnë se do marrin ligjin në duart e tyre dhe do mbrohen nga emigrantët e paligjshëm, okupatorë dhe kriminelë, që sipas tyre janë fajtorë për rritjen e kriminalitetit në zonën e Mesinias. “Do të vijë koha e dënimit për veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore”, thotë organizata në deklaratën e saj. Kjo ka shkaktuar reagimin e Drejtorit të Policisë së Messinias Vasilis Georgakopoulos, i cili deklaron se nuk do të lejojë askënd që të zëvendësojë Policinë.