Agim Xhafka: 10 % L G B T

65
Nga që 10% e njerëzve janë LGBT. Po shoh në pallatin tim, se cilet janë këta. Ne bëhemi 23 banorë gjithsej, pra 2, 3 njerëz qenkemi ashtu. Dhe ia nisa numërimit. Xha Llazi jo, se me moshën që ka, ec e zbuloje ç’është, vajti 87 vjeç. E shoqja nuk duket lezbike, se veç sherre bën me gratë e pallatit. Kiço, e sigurt jo që jo. E ka kapur e shoqja me tre kurva deri tani. Mos vallë Jorgo, se me kitarë rri gjithë ditën. Por ia futa kot, se ai ka pasur dy gra dhe ka me të dyja binjakë, plot katër. Numëro e numëro e po pyesja veten. Ore, mos qenkam unë e nuk e ditkam! Këtë ia thashë gruas. Nuk më del 10%, i thashë. Është shkencore, ta zbulojmë se na ngeli në kurriz. 

– Po çdo pallat nuk e ka përqindjen njësoj. Ne dalim zero dhe pallati përballë del 20%. Ja kështu e ke çdo gjë, ok. Më qetësoi, se po i shihja me vërejtje fqinjët e mi. Se si ecnin, si tundeshin, si flisnin e ç’vështrime hidhnin. Tani, nga që besoj se pallati karshi ka dhe LGBT, që na mungonin ne, nuk kaloj më andej. I shmangem. Se, mbase, më gjuan ndonjëri e kushedi ç’ndjenja të fshehura mund të më shfaqen. Rri rehat se je rehat, o njeri, i them vetes e sytë i hedh vetëm nga rruga. Përballë nuk shoh. Ka ca kohë.