Agim Sopoti/ Përshkallëzimi i shkatërrimit dhe shëmtimit të kryeqytetit

536
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë, i përzgjedhur (kanakari i Edi Ramës) dhe jo i zgjedhur, sepse as populli i Tiranës dhe as Partia Socialiste nuk e pati zgjedhur për kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, por u detyrua ta votojë si të përzgjedhur të Edi Ramës, po vazhdon rrugën e ndjekur nga paraardhësit e tij në postin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe sidomos rrugën e Edi Ramës, por akoma edhe më keq se ata. Ky pa frikë mund të quhet Edi Rama në katror, sepse është mëkëmbësi i tij dhe veç pushtetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka edhe pushtetin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave që të bëjë si të dojë dhe çfarë të dojë dhe të realizojë edhe ato krime dhe mbrapshti që Edi Rama nuk arriti t’i realizojë për aq kohë sa që kryetar i Bashkisë së Tiranës. Po kështu pushteti i Erionit nuk shtrihet vetëm në qytetin e Tiranës tani, por edhe në fshatrat dhe komunat përreth gjë që nuk e kishte Edi Rama kur ishte kryetar dhe ka mundësi t’i shëmtoje dhe shkatërrojë edhe ato. Nëse nuk ndryshohet menjëherë rregullorja e zhvillimit të territorit e miratuar me VKM Nr. 408, 13.05.2015, dhe ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” do kemi një masakër dhe korrupsion të paparë me leje ndërtimi në Tiranë dhe kudo në Shqipëri sepse u la në fuqi e drejta e Kryetarit të Bashkisë për të dhënë leje ndërtimi ne disa zona edhe pa PDV (pra mund te lihen pjesë të qytetit apo fshatit pa PDV dhe aty të jepet leje ndërtimi apo zhvillimi), të miratojë ai dhe jo këshilli bashkiak PDV-të, mungojnë distancat nga kufiri i pronës, distancë dhe kufizime për monumentet e kulturës, mungon përcaktimi i vlerave të intensitetit të ndërtimit etj. Edhe në bazë të kësaj rregulloreje Edi Rama ka filluar të bëjë kërdinë në Tiranë dhe kudo, duke dhënë leje ndërtimi skandaloze në KKT, siç qe edhe mbledhja e datës 09.09.2015, ku është dhënë edhe një leje ndërtimi për një 13katësh në rrugën e Elbasanit, në tokën që ka qenë pjesë e parkut të liqenit dhe përballe ndërtimit 5katësh me leje që dha kur ishte kryetar bashkie dhe që e prishi kur u bë kryeministër. Ndoshta edhe këtë 13katësh do ta prish kur të jetë herën tjetër prapë kryeministër? Duhet që të gjithë qytetarët dhe intelektualët të ngrihen dhe të kërkojnë që sa më parë të përmirësohet kuadri ligjor dhe nënligjor për këto probleme të planifikimit të territorit. Gjithnjë Shqipërisë e keqja më e madhe nuk i ka ardhur vetëm nga injorantët dhe tamahqarët, grabitqarët, por edhe nga profesionistët dhe sidomos nga profesionistët që i mbështesin injorantët dhe tamahqarët, arrogantët dhe grabitqarët në veprimet e tyre arbitrare dhe amatoreske në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe parimet e urbanistikës, arkitekturës dhe infrastrukturës.
Zmadhimi i kioskave
Erioni ka filluar të shtojë dhe zmadhojë çdo ditë kioskat në Tiranë. Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe Vendimi Nr. 408, 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit, neni 7 kërkon deklaratë paraprake punimesh për struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast brenda një afati kohor 150 ditor. Pra nuk mund të vendosë kioska Eron Veliaj dhe as të rrisë përmasat e tyre, duke i dyfishuar apo trefishuar kudo në Tiranë, siç ka bërë dhe e tregojnë edhe fotot pranë Muzeut Historik Kombëtar (dy kioska në dy anët), pranë rrugës së Kavajës përballë Dhomës së Tregtisë, pranë 21 Dhjetorit, në rrugën “Qemal Stafa”, përballë ambulancës qendrore, buzë unazës, pranë urës së Lanës te Drejtoria e Policisë, pranë Pallatit të Kongreseve etj. Edhe të gjitha ligjet e mëparshme për urbanistikën apo planifikimin e territorit dhe aktet nënligjore e ndalonin vendosjen e kioskave përveç rasteve të emergjencave kombëtare. Mirëpo, Eroni po ndjek rrugën e Edit në muajt e fundit të të cilit si kryetar Bashkie nuk funksiononte asgjë në Tiranë dhe filloi të mbushej Tirana me kioska. Po kështu edhe me ardhjen dhe ikjen e Lulzim Bashës u mbush Tirana me kioska të përmasave të ndryshme edhe pranë qendrës së Tiranës. Po të shohim këto kioska të kohës së Eronit, janë të të njëjtës formë, ngjyrë dhe përmasë dhe janë pikërisht ato që filluan të dalin në qarkullim në Tiranë në kohën e Edi Ramës. Nga kjo rrjedh se, më shumë mundësi Eroni po i bën favor, po ja zhvillon biznesin dikujt që i shiste dhe i shet këto kioska. Por nuk dihet nëse këto kioska janë pronë e Bashkisë dhe ata qe i kane marre, i paguajnë qira Bashkisë apo janë detyruar nga Eroni të heqin kioskat që kishin dhe të blejnë këto që ju thotë Eroni, se përndryshe i lë me gisht në gojë. Është pak e vështirë që të besohet se këto janë kioska të Bashkisë, sepse këto kioska nuk shesin vetëm libra dhe gazeta, por shesin cigare, molto, patatina dhe shume gjëra që e bëjnë këtë një biznes personal dhe jo një biznes në shërbim të kulturës apo komunitetit, siç duhet të ishte, po të ishin kioska të Bashkisë dhe që do të justifikonte qëndrimin e tyre akoma. Disa nga këto kioska janë të pajisura edhe me sistem alarmi, kamera dhe matës energjie, kështu që është e pamundur të jenë kioska të Bashkisë. Po kështu këto kioska që mbinë nga hiçi apo dyfishohen dhe trefishohen kanë zënë trotuar publik apo kane zënë tokën e ish-pronarëve, duke e pushtuar me forcë. Më parë apo ndoshta edhe tani akoma këta nuk i paguanin asnjë lekë as shtetit dhe as Bashkisë. Atëherë pse Eroni favorizon këta pushtues dhe grabitës në vend që të shkojë drejt heqjes së të gjitha kioskave kudo që janë në Tiranë, sidomos ato pranë institucioneve publike? A nuk do te ishte më mirë që nëse Eroni vendos kioska, megjithëse një gjë të tillë nuk e lejon ligji, t’ua jepte ato apo t’u jepte të drejtën, t’i vendosnin kioskat pronarët e truallit që nuk kanë marrë akoma asnjë lekë për truallin e grabitur nga komunizmi apo për ndërtesat, banesa e dyqane të rrafshuara nga komunizmi dhe kurrë të dëmshpërblyera nga post komunizmi?
(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal