Agim Jazaj: Katrahura sociale që po shkatërron jetën e shqiptarëve

637
Rubrika: “Udhëheqës, apo udhëhumbës”?
Katrahura sociale që po shkatërron jetën e shqiptarëve
Nga Agim JAZAJ 
Përgjatë këtij më se çerek shekulli shqiptarët kanë shkuar shpesh herë përpara kutive të votimit, kanë bërë shumë zgjedhje, po kanë korrur (as) pak zgjidhje. Kanë ndryshuar vetëm “bariun”, po nuk kanë pastruar stallën e zgjebosur, tufën, kullotën dhe… 
Ata që dolën në krye të turmave, me synimin për të prishur dhe prishën sistemin që kishim dhe jo për të ndërtuar sistemin që s’kishim… “Prijësit” i turrën turmat me helmin në gjuhë, me urën e zjarrit në dorë, shkretuan gjithçka ishte ngritur përmbi gjysmë shekulli, për të jetuar në parajsë pa punuar, pa mësuar e pa djersitur… Ky ishte kapitalizëm-kanibalizmi, specifik alla shqiptar!
Përpos këtij bilanci drithërues për shumicën rezulton: Shqiptarët përgjatë tranzicion-stanjacionit, tërkuzë mbeten nëpër rrokullima, shpresuan dhe kërkuan për të ndryshuar sistemin, të rezultuar dhe realizuar nga politika e rrënim-rrëmbimit, grabitqarë-zullumqarëve, duke e rrënuar vendin, në “detin e hapur”, po hyjmë në ujë përditë. 
Të rinjtë pa dritë jeshile, u ‘rubasin’ pensionin dhe u shkaktojnë tensionin prindërve të tyre, të moshuarit nuk gjejnë derman, duan të ikin nga sytë këmbët. 
“As Kazakistani nuk mund të krahasohet me ne”- më thoshte këto ditë Temo Llanaj, i sapo mbërritur prej atij vendi- ku ka punuar për disa kohë dhe ka bërë prokopi me punën e krahut. Krahasimi, sa drithërues, aq dhe poshtërues…
Një grup prej 5-6 vetësh dje në thëllimin e ftohtë ia thoshin me oi, oi në një lokal në qendër të qytetit të Vlorës. I zoti kishte vendosur një tabelë në derë” me mbishkrimin: “Stop: Ndalohen të Hyjnë Zyrtarët dhe Zagarët”… 
Kalimtarët e rastit mbanin këmbët teksa shihnin tabelën e rrallë dhe dëgjonin këngën: 
Me busullën e thyer, 
Do çanim steretë, 
Na ngopën me kripë, 
Edhe për atë jetë…
Turmat e trrullosura, të pa formuara, të keqpërdorura dhe të joshura, po përgatiten të hidhen sërish në veprim, si detashmente :
Derë më derë,
Për të kërkuar votat,
Mashtrojnë këta të mjerë,
I ndërsejnë kodoshat!
Në harkun kohor të këtij çerek shekulli, të tranzicionit- kuturu, politikë-rrumpalla, me busullën e thyer, nuk ka pasur si synim primar njeriun, pronën dhe zhvillimin e vendit, për çka përgjërohet dhe përbetohet, por ka realizuar shkatërrimin, dhunimin dhe përbaltjen, ndoshta të formuluar me ligje false-formale, të realizuar me maliq- informal, pa ofruar politika reale, duke i kokolepsur të drejtat e njeriut, pronën etj, në nene të pa fundmë, nëpër zyrat nga zyrtarë- zuzarë, të zgjedhur nga sëra me rekorde kriminale-informale, duke legalizuar të pa ligjshmen: Nga “Shaban Tapia” te “Lame Tapia”, duke mohuar e mos njohur të ligjshmen, Trashëgiminë… S’ka hata më të madhe, dhe ku e kemi fundin…
Askush nuk kërkon dhe lakmon “lugën e floririt” dhe të hedhë lugën e drurit brenda një moti! Por, arsyetimi minimal funksionon: Atë që kërkon dhe anatemon tjetrin kur je në opozitë dhe nuk e realizon pikërisht vetë kur vjen në pushtet…kjo është demagogji demode përpara “kazanëve të plehut”!
Të sëmurin rëndë për një çerek shekulli, nuk mund ta ngresh nga shtrati, as pas një viti, as për dy…
As një mendje lehtë nuk e pret këtë “hazine”, por asnjë me haber të cunguar, nuk e pranon ta lëndosh më shumë, me thikë të sëmurin rëndë në shtrat, as me fjalën e sjelljen e vrazhdë, as me fyerje, gënjeshtra fluturuese e ironiçka, me spaletat e qeveritarit dhe të zyrtarit. Askush nuk pret dhe e meriton, t’i lehtësohet plaga “të lënguarit”, qoftë me fjalën e ngrohtë, me gjeste, me solidaritet njerëzor nga zyrtari më i ulët, korrektësi, dhembshuri, duke e dëgjuar me vesh, ndjerë me shpirt dhe vepruar me arsye. 
Askush nuk e pranon dhe nuk e meriton t’i bëhet pritje për përcjellje. Por, ta presësh si njeri dhe ta përcjellësh si mik! Jo t’i shtosh dhe t’i hapësh plagët. Të paktën ta dëgjosh dhe të mos e ngatërrosh nëpër udhët e të paudhëve! Të ndjesh dhimbjet e tua, do të thotë, se ke ndjeshmëri, ndërsa të ndjesh dhimbjet e tjetrit, do të thotë se je Njeri. Të shkosh jo vetëm atje ku punohet, zbukurohet, e pozohet, por të zbresësh edhe atje ku lëngohet e mallkohet… Të shkosh jo vetëm atje ku këndohet, por të ndodhesh dhe të ndjesh dhe ata, atje ku qahet dhe ulërihet! Të ndjesh përgjegjësinë dhe e ke përgjegjësinë si mund t’i mbyllësh plagët që i kanë shkaktuar të parët, dhe jo t’i hapësh plagë të dyta nga të dytët…
Deri në palcë e pikëllim ishte i zhgënjyer këto ditë të ftohta kallkan edhe inxhinieri i njohur Mustafa Dedënika, një kontribuues në radhët e qytetarisë vlonjate, nga premtimet dhe mashtrimet e zyrtarëve të politikës, nga ata që gënjeshtrën e kanë kthyer në art, vesin në virtyt, egjrën në grurë… 
Shqiptarët po kërkojë nëpër shkretëtirë Prijësit, shtetin e tyre, të funksionojë në gjithë piramidën, me gjithë kapacitetin, në çdo qelizë. 
Jetën, njeriu e ka në përdorim dhe jo me tapi! Gjatë saj fillon dhe i duhen nga gjërat më të thjeshta, të domosdoshme: Banesa ku të futë kokën, buka të mbushë barkun, drita të shohë jetën, nga ngrohja të ngrohë trupin, nga e drejta elementare për të mos u privuar e provokuar në rrugë nga “hienat me dy dhe katër këmbë”, nga tufa e qenve të rrugës me dhe pa shenjë, për të shkuar në shtëpinë e tij, rrugës së tij… Dhe më pastaj në Lungomare, copë- copë rrugët me drita, me trotuaret sikur i kanë ngrënë qentë dhe lulkat, “manyqyret” e rotondove të transballkanikes, pa një semafor, ku kapardisen dhe pispillosen qeveritarët dhe filmojnë kamerat…
Ashtu si të vdekurve ku u shkojnë faturat e ÇEZ, afrove deri dhe në varreza të “Formës së Prerë”, “Titull Ekzekutivi”, dhe i paguajnë pasardhësit, ashtu t’u çohet dhe këstet e dëmshpërblimit të burgut, për të shlyer borxhin e arkivolit të vdekurve- borxh për të gjallët. 
Ashtu si mund të ndëshkohet me gjobë një fakir fukara që djeg energjinë elektrike, po ashtu e pakta dhe më ashpër të ndëshkohet dhe një maskara që abuzon me të drejtën e njeriut, kur i kanë faturuar fatura afroje poshtë derës, të hedhura në sistem, jashtë sistemeve nga njerëz jashtë sistemit. 
Ashtu duhet ndëshkuar çdo zyrtar, kur abuzon me shërbimin, pronën, kur i grabit dokumentet në dosjen e pronës në Zyrën e regjistrim- çregjistrimit të pasurisë në Vlorë, sistem i ngritur nga njerëz jashtë sistemit, me lirinë e një njeriu të thjeshtë, tek i cili çdo qytetar shikon votën e tij, vlerëson shtetin e qytetarëve. 
Thjesht e shkurt, për këto fare pak detyrime, mbi një çerek shekulli, me një popullsi kaq të vogël, me pasuri përrallore mbi tokë e nënë tokë, po mbetemi mes këtyre halleve të mëdha. Mbeten duke vrarë e rivrarë pronarët, të persekutuarit e djeshëm, të persekutuarit e sotëm, duke mos u kthyer atë që është e ligjshme, të gjallëve, por as dhe të vdekurve në varr. 
Si mund të binden të gjallët dhe të rehatohen të vdekurit, pas një çerek shekulli, duke kërkuar e lënë dhe lëkurën nëpër udhët e të pa udhëve, leshtë e kokës nëpër nenet e kokolepsur: si “Leshtë e Arapit”, nëpër procedura, përkthyer në proçka-dura, njeri hidh e tjetri pirdh, kur mjafton një nen i vetëm, i formuluar për jetë e mot!: “Të Jesh Njeri, të Bëhesh Udhëheqës”!
Bilanci drithërues i këtij çerek shekulli edhe më optimistët i ka kthyer në shpresë thyer! Me gjithë deformimin e dallaveret, trafikun, bashkimin e votës së zgjedhësit me abuzuesin, e akuzuar deri në palcë, e në kupë të qiellit, miellin me krundet- është gatur buka farmak, ka helmuar deri dhe në vdekjen të gati mbi 9000 shqiptarëve, një dramë drithëruese- frerë këputur! 
Vrasësit pa krisma, me bazën e këtij produkti, me egërsinë më të madhe se vrasësit me Kallash, e pa krisma, po çojnë në varrezë një shoqëri të tërë! 
Vrasësit me Ka…kallash dhe të vrasësve më të shumtë, pa krisma të: Ko…kolltuk, Ka…karrige që vrasin pa hequr gishtin në këmbëz, nëpër zyrat-zgjyra, pa llogaritur veten, të cilët do jenë të parët dhe do të gjenden nën rrënoja!… 
Kush mund të hedhë poshtë këtë kalvar të pafund për shqiptarët? 
Ku, në cilin cep të botës është ky model, rasat sistemi?…
Sigal