Afrim Hoti:Kultura jonë kombëtare drejt asgjësimit. Kryqi i thyer Ilir, lihet nën ujërat e zeza

280

DURRËS/ Flet shefi i Departamentit të Arkeologjisë, Afrim Hoti: Mozaiku është zbulimi i shekullit. Ja kush po e shkatërron

Kryqi i Meandrit (Kryqi i thyer Ilir) i zbuluar në Durrës në vitin 2005, tashti është pjesë e një baseni në fund të një pallati i zhytur i tëri nën ujërat e zeza. Banorët janë të shqetësuar pasi zona është burim infeksioni. Ata shprehen të indinjuar për gjendjen, ku i kanë lënë. Kryqi i Meandrit i zbuluar rreth vitit 2005, në nëntokën e qytetit të Durrësit tashmë jeton në periudhën e tij më të zezë. I projektuar në një banesë antike si pjesë e dyshemesë luksoze të asaj periudhe, tashmë është “dënuar” që të kalojë një periudhë të vështirë të cv së tij nën ujërat e zeza, ku e ka zhytur burokracia indiferente e pushteteve në qytetin e Durrësit. Ai është mbuluar i tëri nga ujërat e zeza dhe kalon fazën e zezë të historikut të tij nën një mal betoni. Pasi kur u zbulua, simboli mitologjik i diellit, i shprehur në formën e kryqit të thyer, svastika, që në shekullin e njëzetë do të përdorej nga nazizmi dhe lideri i tij Hitleri, është cilësuar si zbulimi i shekullit në Durrës. Atë periudhë është trumbetuar se është zbuluar një mozaik i rrallë nga gërmimet që po kryheshin nga specialistë të departamentit të arkeologjisë në Durrës. Në atë periudhë,  Shefi i Departamentit të Arkeologjisë, Afrim Hoti, i cili drejtonte punimet, ka bërë publike përmasat e mozaikut, i cili kishte një sipërfaqe prej 7 m² dhe se ishte i punuar në tekniken bardhë e zi. Në mediat e kohës u shpreh se mozaiku i famshëm i përkiste shek. I të e.s, pra me një moshë rreth 1900 – vjeçare. Sipas Hotit, “mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje. Ka formën e kryqit të thyer. Pjesë të këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve”. Hoti konfirmoi se: “Përreth zonës në të cilën ndodhet mozaiku janë zbuluar dhe afreske floreale që i përkasin të njëjtës periudhë, shek. I të e. s.”. Ai ka thënë me tej se: “Mozaiku është në gjendje relativisht të mirë, në një kohë që do të jenë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ata që do të vazhdojnë punimet e mëtejshme në këtë mozaik që zbulohet për herë të parë në qytetin e Durrësit”.

Si cilësohej monumenti dhe si mendohej ruajtja e tij në vitin 2005

Një nga arkeologët më me reputacion në qytetin e Durrësit, i cili drejtonte Departamentin e Arkeologjisë në atë periudhë Afrim Hoti, ka deklaruar se, punimet pasi ishte zbuluar ky monument, duhet të ishin tepër delikate pasi në fragmente të veçanta të mozaikut ka elementë betoni që duhet të largohen me kujdes për të mos dëmtuar guralecët që ndodhen poshtë tyre. “Rreth 70% e mozaikut është në gjendje të mirë. Gurët e zinj nga koha kanë marrë një refleks blu të errët”,- tha Hoti. Se sa me kujdes është trajtuar ky objekt arkeologjik duket pasi pas 8 vjetësh ai është lejuar që të lihet nën katin e një banese shumëkatëshe dhe ai së bashku me shëndetin e banorëve të lejohet të mbesë në pushtetin e derdhjes së ujërave të zeza. Askush nuk mund të justifikohet për këtë problem. Sepse është i pabesueshëm. Si Instituti i Monumenteve që lejoi vazhdimin e punimeve ashtu dhe pushteti lokal që lejoi persekutimin epidemiologjik të banorëve. Të dy së bashku kanë bërë një krim në këtë rast. Nën ujërat e zeza ka mbetur tërësisht një koloni romane me të gjitha ndërtesat e saja. Shumica kanë përfunduar në dherat e hedhura në bregdet ose në zonat e kënetës. Dhe e tërë kjo është një “ekzekutim” barbar që i është bërë historisë sonë kombëtare. Dhe e historisë antike të qytetit bregdetar të Durrësit, gjithashtu.

Historia që nxori në dritë një lagje antike

Mozaiku doli në dritë nga gërmimet për hapjen e themeleve të një pallati në lagjen nr.11 të qytetit të Durrësit, ku u zbuluan rrënojat e një lagjeje antike. Me të hasur shtresën arkeologjike, Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Durrës dhe Departamenti i Arkeologjisë kanë ndërprerë punimet dhe pas udhëzimeve të IMK-së një grup arkeologësh punuan për nxjerrjen në dritë të plotë të këtij zbulimi me shumë vlerë. Ndërkaq, një grup tjetër arkeologësh, siç u deklarua në atë periudhë, punoi në parcelën arkeologjike të po kësaj lagjeje, ku fillimisht janë zbuluar gjurmët e një insule (lagje antike), e cila mendohet se i përket periudhës antike, më saktë të fillimit të kolonisë romake dhe në vazhdim. Nën themelet e pallatit të mbuluar tashmë me ujëra të zeza, u  gjenden struktura kthinash të teknikës së njohur të ndërtimit romak, të cilat ndeshen dhe në amfiteatrin e Durrësit. Po kështu, në parcelë me sipërfaqe rreth 600 m² është grumbulluar një lëndë e pasur arkeologjike që u përfol se u përpunua imtësisht. Sipas arkeologut Hoti, interesant është fakti se si rrallëherë në këtë lagje antike përplaseshin disa periudha, duke filluar nga ajo helenistike, romake deri në periudhën bizantine. Pallati shumëkatësh që do të ndërtohej në këtë zonë ka pasur leje nga KRT-ja e Bashkisë së Durrësit dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, por me zbulimin e gjetjeve arkeologjike punimet janë ndërprerë fillimisht deri në zbulimin e plotë të objektit. Mendohet që gërmimet të zgjeroheshin në një zonë më të gjerë se sa po gërmohej, ndërkohë që u deklarua se ishte vetëm IMK është ai që do të vendosë për të lejuar ose jo vazhdimin e ndërtimit.