Afrim Bakaj: AKU po zbaton plan-veprimin e qeverisë, për të parandaluar “krimin ushqimor”

533
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Paris, kreu i AKU të Shqipërisë, fut në zbatim plan-veprimin kontrollues me objekt: “Terrorizmi nuk vepron vetëm me akte dhune fizike, por edhe me krim ushqimor”, plan ky, i mbështetur prej ministrit të Bujqësisë e Ushqimit Prof. Dr. Edmond Panariti, konkretizuar sipas planit strategjik të shpallur nga kryeministri Edi Rama, për marrjen e masave të plota e funksionale parandaluese të akteve terroriste
Beteja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në mbrojtje të jetës së konsumatorit, ka fituar këto ditë edhe një dimension e përmbajtje tjetër, përshtat strategjisë së re të luftës anti-terror, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Paris, duke ndërtuar plan-veprimi me objekt: “Terrorizmi nuk vepron vetëm me akte dhune fizike, por edhe me krim ushqimor”! Ky plan-veprimi, i konceptuar, projektuar, detajuar e hedhur në veprim prej kreut të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, zotit Afrim Bakaj, mbështetur totalisht prej ministrit të Bujqësisë e Ushqimit, Prof. Dr. Edmond Panariti është konkretizim i planit strategjik të shpallur nga kryeministri Edi Rama, për marrjen e masave të plota e funksionale zbuluese dhe parandaluese të akteve terroriste, që mund të kërkojnë terren edhe në territorin e vendit tonë. Lidhur me konkretizimin në terren të kësaj strategjie e plani veprimi të detajuar dhe të futur prej 2 ditësh në zbatim prej strukturave drejtuese e zbatuese të AKU, biseduam dje, me zotin Afrim Bakaj, Drejtorin i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë…
Zoti Bakaj, mësuam se ka nisur një “operacion” i gjerë e i imët në kontrollin ndaj sektorit ushqimor në gjithë territorin e Shqipërisë, me çfarë objekti ka lidhje ky aksion?
Nuk është aksion fund viti, as aksion propagandistik, as aksion për të mbushur dosjet me “kontrolle me letra të rregullta”, siç ndodhte përpara dy vitesh e madje edhe disa muaj pas marrjes së detyrës prej meje, por që nuk funksionoi më, pas futjes në “binarë efiçentë”, të veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, si institucion veprues konkret në shërbim të sigurisë ushqimore në planin jetik, por edhe të standardeve të tjera të produkteve që futen në prodhim, që dalin nga prodhimi, që futen në treg e që përdoren nga konsumatori individë, apo kolektiv. Ju bëj me dije, se është një platformë e re pune, të cilin kemi nisur ta zbatojmë përpara 2 ditësh dhe që deklarojmë bindshëm, se do të jetë praktikë ditore e përhershme. Sa për informacion saktësues, ky kontroll i detajuar në sektorin ushqimor është konkretizimi i një strategjie të re për garantimin e sigurisë ushqimore në vend. Ju mund të pyesni, përse ka nisur pikërisht tani? Ka lidhje edhe me pozicionin tonë si shërbim strategjik në sektorin kombëtar ushqimor, për t’u bërë pjesë në luftën kundër terrorizimit. Ne, si shërbim jemi mbrojtësit ligjor të qytetarëve nga krimi ushqimor. Këtë detyrim ligjor e institucional e kemi vlerësuar dhe realizuar sistematikisht e me korrektësi, gjë për të cilën flet jo vetëm bilanci i punës tonë në këto dy vite kur nuk gjen më asnjë treg, apo sektor prodhimi informal, por flet së pari situata konkrete me standarde e krijuar në tregje, në prodhim, në importe e madje edhe në eksportet e produkteve ushqimore, sidomos në qendrat sociale ku ka konsum kolektiv të produkteve ushqimore, si çerdhet, kopshtet e fëmijëve, konviktet, bar-kafet, restorantet, shtëpitë e të moshuarve e deri në qendrat e vuajtjes së dënimit (burgjet), plazhe, ku dihet që konsumohet ushqim i cili futet nga tregjet, direkt nga qendrat prodhuese, por edhe nga vizitorët e të burgosurve! Terrorizmi në Francë vrau me armë e shpërthime! Por mund të vrasë edhe me ushqime që lihen jashtë kontrollit, duke përfituar nga mungesa e monitorimit të prodhimit, tregjeve e importeve! Këtë detyrim për kontroll, së pari e kemi ne si Autoritet i Kontrollit Ushqimor! Mjafton të mbahet në konsideratë akti i terrorit në Paris dhe deklarimi publik i terroristëve, për të përdorur çdo lloj mjeti e mundësie në vazhdimin e krimeve të tyre, për të na imponuar masa të reja në veprimtarinë kontrolluese, me synim për të parandaluar krimin ushqimor, qoftë edhe pa elementë aktesh terroriste! Nga ky këndvështrim, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, mendoi se ka një rol kryesor për sigurinë e jetës së qytetarëve, duke iu përgjigjur strategjisë së qeverisë “Rilindja”, për t’u bërë pjesë dhe strukturë aktive efiçente e betejës kundër terrorizimit jo me fjalë e citate, por me veprim konkret në terrenin e sektorit ushqimor me aktivitet në territorin e Shqipërisë. 
Ku shtrihet ky plan i ri veprimi i AKU në luftën për parandalimin e “krimit ushqimor”, çfarë synohet me të dhe sa do të zgjasë? 
Nuk flitet për “furtunë” kontrolluese kalimtare, por për model dhe praktikë pune të përhershme. Kemi një strategji të detajuar për monitorimin dhe kontrollin ushqimor i cili nuk do të jetë “sezonal”, por si standard i përhershëm i veprimtarisë së AKU. Tashmë drejtuesit në qendër, që nga unë si Drejtor i Përgjithshëm, kryeinspektorët, drejtorët rajonal e deri tek inspektorët fundor në terren, kanë marrë për zbatim platformën e re të punës me objekt “Kontroll të imët e profesional, pa asnjë tolerancë për parandalimin e krimit ushqimor”. Për zbatimin e kësaj platforme pune, gjithkush ka marrë “instruktuazhin” sipas funksionit që ka në shërbimin e AKU. Ne e kemi të përcaktuar me ligj dhe me objekt veprimtarinë tonë: “Kontroll mbi ushqimin që konsumojnë njerëzit”. Madje ligji, na njeh edhe të drejtën të ndjekim origjinën e produktit ushqimor, në bashkëveprim me institucione dhe shërbime të tjera publike e private, brenda por edhe jashtë Shqipërisë! Ka një fakt që po ndodh, që po bëhet realitet. Prej dy ditësh, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është hedhur në veprim kudo ku importohet, magazinohet, prodhohet, tregtohet e kudo ku konsumohen produkte ushqimore në grup. Në të 12 qarqet e vendit, po ushtrohen kontrolle sipas platformës së re, duke përqendruar vëmendjen tek kontrolli i sigurisë së ushqimit. Mund të them, se në këto 2 ditë të zbatimit të strategjisë së re të kontrollit, kemi ndeshur mangësi të prodhuesve ushqimorë, por edhe të tregtuesve, mangësi që po na japin jo vetëm informacion të ri mbi mangësitë tona, por edhe na krijojnë mundësi për korrigjim praktikash të punës tonë në vazhdim. Mund të them, se zbatimi i platformës së punës kontrolluese të AKU sipas strategjisë së mbrojtjes nga terrorizmi edhe në sektorin ushqimor, ka nisur e po vazhdon me sukses në qendrat prodhuese, në tregjet dhe qendrat sociale konsumatore në Qarkun e Elbasanit, punë të cilën e përshëndes nëpërmjet gazetës “Telegraf”. Po kështu edhe në rajonet kufitare, që janë porta hyrëse ushqimesh nga importi si Durrësi, Gjirokastra, Vlora, Korça, Shkodra, Peshkopia e Kukësi. Veprimtaria jonë si AKU është përqendruar në pikat kufitare prej nga futen produkte ushqimore të gatshme, të konservuara, produkte gjysmë të gatshme, por edhe lëndë të para kryesisht si miell, pije, mish, peshk, lëngje etj, ku çdo gjë që ka lidhje me ushqimin e popullatës kalon në “skaner”! 
Cili është një nga elementët e rinj, të kësaj strategjie të re kontrolli?
Për herë të parë, AKU ka futur një element shumë funksional në shërbimin e kontrollit mbi ushqimin. Ky element është bashkëpunimi me tregtarët dhe prodhuesit e ushqimeve, të cilët nuk trajtohen si deri tani vetëm subjekt kontrolli, por edhe partner në zbatim të detyrimit ligjor e për më tepër, të mbrojtjes prej terrorizmit edhe në sektorin e ushqimit. Ne kemi bërë një plan bashkëpunimi të detajuar në këtë drejtim, duke instruktuar subjektet për mënyrën se si të jenë të kujdesshëm ndaj produkteve ushqimore që tërheqin nga tregu vendas dhe importi, por edhe prodhuesit ushqimor, se si të bëjnë kujdes për të krijuar siguri në ushqimin që prodhojnë e deri sa e çojnë në treg. 
A mendoni, se kjo platformë ka një rëndesë ndaj tregut, me shtim kontrolli deri në bezdisje? 
Përkundrazi! Kjo platformë e re e instaluar dhe e zbatuar në punën tonë nuk është as “mbivendosje”, as burokraci, as bezdisje ndaj tregut dhe prodhuesit ushqimor, por është një përforcim masash për të evituar ndonjë krim me ushqimin. Dhe për këtë kontroll “të rreptë”, siç kam dëgjuar të ankohet ndonjë “zë”, subjektet na kanë mirëkuptuar, po na inkurajojnë e po na mbështesin trë jemi sa më aktivë dhe efiçent, sidomos qytetarët të cilët kërkojnë dhe presin prej nesh siguri në ushqime! 
Sigal