Afërdita Alliraj: “Menopauza më bëri poete”

745
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, “Mjeshtrja e Sportit”, Afërdita Alliraj: “Si më përqafoi Çu En Lai në Pekin”

Më 23 tetor, festoi 63-vjetorin e lindjes e rrethuar nga familjarët, por edhe shumë kolegë dhe sportiste të moshave të ndryshme. Nuk mungonin as fëmijë të moshës shkollore. Kjo pjesëmarrje na bëri përshtypje, ndaj u interesuam të mësonim diçka rreth protagonistes. Aty mësuam se është “Mjeshtre Sporti”, një mësuese e nderuar në Vlorë, familje sportistësh, që i kanë dhënë qytetit. Në bisedë me Afërdita Alliraj, mësuam fakte interesante, një sportiste me karrierë, madje “Mjeshtre e Sportit” që në moshën 16 vjeçe, që për çudi, për të nuk ishte shkruar kurrë në shtyp. Për herë të parë në jetën e saj, Afërdita Alliraj dha këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”.

Për gjithë lexuesit e gazetës “Telegraf”, mund të mësojmë diçka rreth jush?

Jam Afërdita Aliraj mësuese e edukimit fizik prej 44 vjetësh. Tani punoj në një shkollë private. Kam qenë sportiste, trajnere, anëtare e ekipit kombëtar, një ndër 6 mjeshtret e para të sportit, të gjimnastikës moderne. Qysh në vitin 1965, kur isha 16 vjeçe mora titullin “Mjeshtër i sportit”. Jam e vetmja në këtë moshë, ishte gjë e rrallë atëherë për vetë kohën. Ndoshta arritjet çuan në këtë vendim. Sigurisht, kanë rëndësi edhe trajnerët, që punonin me përkushtim të madh. Dua të përmend trajnerin e parë Saim Begja, që ishte aq i apasionuar.

Kur ka startuar karriera juaj si sportiste?

Kur isha në Teknikumin e Fizkulturës, sidoqë kisha kërkuar mjekësi. Në vitin e parë trajneri, mësuesi i gjimnastikës na mblodhi vajzat e talentuara dhe pas një viti formuam ekipin e parë kombëtar. Bënim pjesë unë, Polikseni Vjeshta, Gjylzane Ahmeti etj.. Më pas kaluam në Institutin e Fizkulturës.

Keni qenë përfaqësuese në aktivitetet kombëtare?

Vazhdimisht, që nga vitit 1964 deri në vitin 1972, që linda fëmijë. Kam pasur përzemër traun e ekuilibrit dhe nuk është matur ndonjë tjetër me mua. Në vitin 1965 bëmë takim miqësor me ekipin e RP të Kinës, kam shkuar dy herë në Kinë me ekipin kombëtar dhe jemi vlerësuar. Kënaqësia ishte shumë e madhe kur mbusheshin shkallët e pallatit të sportit, ku jo rrallë jemi përgëzuar edhe nga udhëheqësit e kohës. Pasi mora titullin “Mjeshtre e Sportit”, hyra në garë për Mjeshtër, ku rivaliteti ishte i madh, por edhe normat ishin ato të garave olimpike. Si trajnere që kam qenë në Institutin e Fizkulturës, në këtë garë u përballa me nxënëset e mia, që ishin bërë mjeshtre nga duart e mia. Në këtë periudhë jam dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të tretë.

Cila është lidhja juaj me Vlorën?

E para është dashuria me Bashkimin, shokun tim të klasës, notar dhe trajner. Këtu kam hapur edhe klasën e parë sportive në shkollën “24 Maj”, ku kam punuar për 20 vjet, deri sa u mbyll. Rezultatet kanë qenë të prekshme dhe ndjehem krenare që kam nxjerrë sportiste si Hydajete Çani, Luljeta Kanina, Natasha Zisi, kurse në Vlorë Mbarime Belaj, Vjollca Pelaj, Enkelejda Dumani, që kanë kontribute të mëdha në gjimnastikë. Kjo punë vazhdoi më tej me trajner Gerveni, nga duart e të cilit kanë dalë shumë mjeshtre sporti. Për shumë kohë, ai ka qenë kampion me ekipin e vajzave.

Kur jeni ndarë me traun e ekuilibrit?

Në vitin 1973, kur linda fëmijën e parë Edmondin, që sot është bërë baba. Ai është i lauruar në shkencat ekonomike. Më pas erdhën dy binjakët, njëri është mjek, tjetri ka mbaruar degën e turizmit, por ushtron profesionin e parukierit. Bashkëshorti, miq që nga 1963, kemi mbështetur njëri-tjetrin, nuk kemi hyrë në talentet e pasionet e njëri-tjetrit. Ka qenë notar, dy djemtë i bëri notarë, binjakët. Njëri ka qenë kampion në stilin e lirë 50 metra dhe në stafetë dhe për shumë vite ka qenë rekord. Në jetë zgjodhi mjekësinë ushtron profesionin në Firence.

Cila është ngjarja e shënuar e jetës suaj?

Dua të ndalem tek poezia. Duket e pabesueshme, por Menopauza, më bëri poete. Nuk e di çfarë ndodhi brenda meje, krejt papritur më erdhi muza, mora lapsin dhe fillova të hedh vargje, që buronin si ujë. Nuk e di se ku kishin qenë fshehur deri atëherë? I sistemova dhe botova librin me poezi “Brenda nesh”. Të gjithëve u erdhi e papritur kur bëra promovimin, shqyenin sytë edhe miqtë e kolegët.

Keni brenga?

Po si çdonjëri, por unë marr pjesën pozitive, shikoj përpara.

Kur jeni ndjerë e lumtur?

Përveç dashurisë për bashkëshortin dhe fëmijët, jam ndjerë e lumtur kur kam mundur të ndihmoj një vajzë, me ushtrimet që i bëja, përgjatë 5 vjetëve pa ndalur, pasi shtonte herë pas here në peshë, për shkak të depresionit që kalonte. Por lumturinë e prek çdo ditë, kur punon dhe arrin suksesin, lumturia nuk të ndahet.