Aferat e Autoritetit Rrugor me dy kompani ndërtimi në Unazën e Tiranës

707
Raporti i Autoriteti të Konkurencës zbardh të tjera shkelje për Autoritetin Rrugor të Shqipërisë dhe të kreut të saj Dashamir Xhika, që ka favorizuar vetëm dy kompani, në dëm të kompanive të tjera konkurruese dhe duke shkelur barazinë në tendera. Sipas këtij raporti që nga redaksia e “Telegraf” disponohet i plotë, kupola e drejtorisë së rrugëve është sjellë si “pardon” i fondeve publike, çka për këtë ka nisur edhe një hetim nga prokuroria e Tiranës.
Ja raporti i Autoritetit të Konkurrencës
Hetim në tregun e prokurimeve “Ndërtimit të pjesës së jashtme të Unazës së madhe të Tiranës, aksi V-L, Sauk – Bregu i lumit”. Sikurse është raportuar për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2014, Komisioni me anë të Vendimit nr. 333 datë 21.10.2014, u shpreh për hapjen e hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik me objekt “ Ndërtimi i rrugës së unazës së jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit), Loti 1, Loti 2 dhe Loti 3“ për periudhën e hetimit janar – dhjetor 2013. Gjatë proçedurave të hetimit paraprak nuk u gjetën evidenca direkte të bashkëpunimit midis ndërmarrjeve pjesëmarrëse në proçedurat e tenderimit, por u evidentuan se oferatat ishin shumë afër me fondin limit. Në kushtet e dyshimit, Komisioni i Konkurrencës vendosi me anë të Vendimit nr. 346, datë 16.02.2015 “Për hapjen e proçedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “ Ndërtimi i rrugës së unazës së jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit), Loti 1, Loti 2 dhe Loti 3“ ndaj ndërmarrjeve: “Gener 2”, “Albavia”, “Gjoka Konstruksion”, bashkimit të Albavia, Favina dhe Alpin SRL dhe bashkimit të përkohshëm të “Gjoka Konstruksion dhe Gjikuria”, duke shtrirë periudhën objekt hetimi edhe për vitin 2014.

Deformimi me dashje i prokurimeve publike

Gjatë proçedurës hetimore u realizuan inspektimet në terren dhe u analizua dokumentacioni i paraqitur për të vlerësuar nëse kompanitë, për kryerjen e punimeve sipas kontratave, janë bazuar në kapacitetet teknike të veta apo kanë nënkontraktuar kompani për punime të ndryshme. Në përfundim të proçesit rezultoi se bazuar në dokumentacionet faktike nuk kanë kompani nënkontraktuese. Proçesi i hartimit, harmonizimit dhe bashkëveprimit të procedurave të prokurimit publik mes autoritetit kontraktor dhe ndërmarrjeve pjesëmarrëse në proçedura është kombinim i shumë faktorëve, të cilat jo të gjitha janë objekt dhe mund të trajtohen nga ligji i konkurrencës si dhe Autoriteti i Konkurrencës. Procesi i prokurimeve publike mund të ketë patur si pasojë deformime në formën e konkurrencës së padrejtë, e cila mund të shkaktohet edhe nga sjelljet njerëzore që tejkalon parashikimet e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Kështu, nga verifikimet e Autoritetit të Konkurrencës për lotin e tretë konstatojmë që ARRSH nuk ka kërkuar dokumentacionin ekonomik dhe financiar për të dy operatorët e bashkimit Gjoka shpk & Gjikuria shpk, si dhe mungon informacioni në lidhje me xhiron e tre viteve të fundit për Gjikuria shpk, si edhe pasqyrat financiare te viti 2009 për Gjikuria shpk megjithëse janë nënshkruar kontratat nga ARRSH. 

Proçesi dyshues i Autoritetit të Rrugëve

Nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe inspektimet e kryera gjatë procedurave të hetimit paraprak në mënyrë të njëkohshme dhe të befasishme te të gjitha ndërmarrjet nën hetim si dhe nga verifikimet në terren në procedurën e hetimit të thelluar nuk gjenden elementë të cilët vërtetojnë marrëveshjen ndërmjet kompanive fituese dhe konkurruese, por është sjellja e autoritetit konktraktor ajo që e ka bërë proçesin dyshues për manipulime të mundshme të procedurave të prokurimit, dyshime për të cilat ka nisur proçedimi nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 358, datë 16.04.2015, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Ndërtimi i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (Segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit) loti 1, loti 2 dhe loti 3” ndaj ndërmarrjeve: “Gener 2” Sh.p.k; “Albavia” Sh.p.k; “Gjoka Konstruksion” SH.A; bashkimit të shoqërive Albavia, Favina dhe Alpin Srl (JV) si dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Gjoka Konstruksion&Gjikuria” dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Albavia & Favina & Alpin Srl (JV)”. 

Rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës, vendosi t’i rekomandojë Autoritetit Rrugor Shqiptar që: (a) ndarja e loteve të mos krijojë mundësi për ndarje tregu sipas vëllimit te punimeve ndërmjet konkurrentëve dhe ndarje tregu gjeografik; (b) kryerjen e vlerësimit të plotë të kritereve ekonomike dhe financiare për të gjithë pjesëmarrësit apo bashkimet e kompanive pjesëmarrëse me qellim që të sigurohet trajtim i barabartë dhe jo diskriminues ndërmjet pjesëmarrësve në procedura; (c) të shmangë format e paradhënies dhe vlerësimit preferencial ndaj ndërmarrjeve të ndryshme të cilat kufizojnë konkurrencën.
Sigal