Aeroport edhe në Korçë – Hapet procedura për studimin e fizibilitetit, ja kush e kërkoi

678
Ekskluziviteti i imponuar deri në vitin 2016 në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës duket se kishte ndrydhur çdo mundësi të qeverive për të pasur një aeroport të dytë. Por menjëherë pas rënies së këtij ekskluziviteti ku koncensioniari mori edhe benefitet e tij duket se kemi një ambicie të re të ndërtimit të aeroporteve në çdo cep të Shqipërisë.
Pas procedurës së hapur për një studim fizibiliteti të një aeroporti në Jug, radha i ka ardhur aeroportit në Korçë. Të paktën kështu tregon procedura e radhës e hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të financojë edhe studimin e fizibilitetit për këtë aeroport.
Në dokumentet teknike thuhet se kjo procedurë vjen pas kërkesës së bërë nga bashkitë. “Termat e Referencës së këtij studimi bazohen në kërkesën që Bashkitë Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll, Maliq dhe Pustec i kanë drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të financuar një studim fizibiliteti për ndërtimin dhe funksionimin e Aeroportit në fushën e Lumalasit (Korçë).
Për këtë qëllim, Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me vendimin Nr. 148, datë 15.12. 2016, ka miratuar fondin përkatës për financimin e studimit të fizibilitetit të Aeroportit të Korçës” thuhet në dokument.
Nga ana tjetër ky nuk është studimi i parë që po kryhet për një aeroport në zonën e Korçës. Më herët në vitin 2007 është zhvilluar një tjetër studim që sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit ofron të dhëna interesante dhe bazë të mirë shifrash për të kryer një studim të ri që do ti përshtatet dinamikës së ndryshimeve.
Në dispozicion për këtë studim janë vënë 7.3 milionë lekë kurse ofertat duhet të dorëzohen brenda datës 3 mars 2017.
Sigal