Administrata publike/ Zbardhet rritja e rrogave për çdo kategori, ja sa bëhet paga minimale

525
Sigal



Rritja e pagave në mars të vitit të ardhshëm do të prekë 110 mijë punonjës në
shkallë vendi. 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës
mësimorë të universiteteve publike dhe 81 mijë përfitues janë punonjës
administrate në nivel qendror dhe lokal. Rritja e pagave do të jetë e diferencuar,
nga 10% deri në 36%.


Rritja e pagave



Ministria e Financave ka hartuar projektin e detajuar për rritjen e pagave për
të gjithë buxhetorët. Sistemi arsimor, parauniversitar dhe universitar,
punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e policisë do përfitojnë rritje page
në masën 10%, ndërsa punonjësit e administratës rritje page me 7%. Rritjen më
të lartë do ta përfitojnë punonjësit që trajtohen me pagë minimale, e cila do
të rritet me 36% ose me 8 mijë lekë në muaj. Burime nga Ministria e Financave
bëjnë të ditur se drafti do të kalojë së shpejti në Kuvend për miratim.


Kostoja për buxhetin

Janë rreth 6.900 punonjës të administratës që trajtohen me pagë minimale dhe të
cilët do të përfitojnë rritje page me 8 mijë lekë në muaj. Për buxhetin e
shtetit, shtesa prej 36% për këtë kategori do të ketë një kosto 1 miliard lekë
në vit.

Numri i përfituesve në sistemin
arsimor është rreth 38.000 dhe fondi i parashikuar për këtë kategori është 1.8
miliardë lekë për një vit. Ndërsa, për 8.000 punonjës të tjerë, edukatoren
kopshtesh në varësi të bashkive, fondi është 500 milionë lekë.

Numri i përfituesve në sistemin e
shëndetësisë është rreth 18.500 mjekë dhe infermierë, dhe fondi i përcaktuar
për këtë kategori është 1.5 miliardë lekë. Rritja e pagave të punonjësve të Policisë
së Shtetit do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10.000 punonjës
policie dhe fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 800
milionë lekë.

Miratimi i FMN-së

Buxheti i vitit 2017 ka marrë miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. I vetmi
kusht që ka vendosur FMN-ja është shlyerja e borxheve të krijuara rishtas dhe
moslejimi i akumulimit të borxheve të reja. Ministri i Financave, Arben
Ahmetaj, dhe shefja e Misionit të FMN-së, Anita Tuladhar, dhanë sot një
deklaratë për mediat, ku bënë publike dakordësinë e arritur për parametrat
kryesorë të buxhetit 2017.

“Patëm dakordësi të plotë me
misionin e FMN-së për buxhetin 2017. Pati debate të vështira, por produktive.
Jemi në të tretin vit radhazi me rritje ekonomike, e cila do të përshpejtohet
në 2017-ën, me 3.8%, dhe do të kalojë pragun e 4% në perspektivë”, – tha
ministri Ahmetaj.

Shefja e Misionit të FMN-së, Anita
Tuladhar, tha se arriti një marrëveshje me qeverinë për buxhetin 2017 dhe
politikat bazë, duke i kushtëzuar me zgjidhjen e detyrimeve të prapambetura që
mund të krijohen rishtas. “Buxheti 2017 ka synim një suficit primar me 0.7% të
PBB-së dhe qeveria është angazhuar për të pasur një paketë fiskale”, – tha ajo.

Ndërsa ministri Ahmetaj shtoi se
rritja ekonomike do të ndikohet nga investimet e huaja në energjetikë,
stabilizimi i partneritetit tregtar dhe reformat strukturore në kuadër të
integrimit në BE. Ai tha se programi me FMN-në ka arritur objektiva të
mjaftueshëm dhe ka rritur besimin në ekonomi. “Një nga arritjet kryesore të
programit është ekuilibri fiskal. Borxhi publik në 2017-ën do të ulet me 3%.
Janë marrë një sërë masash konkrete për stabilizimin e sektorit financiar”, –
shtoi ai.

“Në vijim të ndryshimeve, buxheti i
vitit 2017 është buxheti i financimit të reformave të rëndësishme strukturore,
investimeve dhe produkteve për çdo sektor për ekonominë dhe qytetarët”, – tha
ministri.

Buxheti i 2017-ës do të jetë në
vijat e programit me FMN-në, me një deficit 2% dhe me një balancë primare
pozitive me 0.7%, për herë të dytë pas 2016-ës, ku balanca pritet të jetë 0.4%
e PBB-së. Ahmetaj tha se “mbetemi të angazhuar për stabilitetin e financave dhe
implementimin e reformave”. “Kemi sfida si vit elektoral, sidomos me zbatimin e
reformës në drejtësi”, – përfundoi ai./BW/