Administrata  i “sulet” mishit në hell në lokale si në kohën e Haxhi Qamilit

204

Shkrehen institucionet dhe drejtuesit e tyre,Labinoti, streha e zyrtarëve të Elbasanit pas orës 12.00

Në Elbasan çdo ditë pas ores 12.00, nuk do të takosh dhe nuk do të kontaktosh me asnjë drejtues institucioni, zyrtar të rrangut të dytë apo edhe më tej akoma, pasi do ti gjesh në lokalet e periferisë kryesisht në Labinot, duke ju sulur mishit në hell. Drejtues, shefa, drejtorë e nëndrejtorë, policë e tatimorë, hetues, prokurorë e gjyqtarë, u sulen lokaleve të periferisë, dhe drekojnë me hallexhinjtë dhe sekserët  deri orët e vona të pasdites. Ata që presin me orë dhe me ditë pas dyerve të institucioneve janë  fakirët, ata që nuk kanë të paguajnë  drekat dhe darkat  apo dhe gjobat për zgjidhjen e problemit që kanë. Shkrehja e administratës ka muaj që ka nisur, dhe as nuk ka gjasa të ndryshojë. Tashmë është bërë si një dukuri normale, dhe mjafton të trokasësh në çdo derë institucioni dhe do të marrësh përgjigje standarde “ drejtorin apo shefin  ke në  X  lokal për dreke, atje ku shkon çdo ditë”. Ky është një turp dhe skandal kur konstaton se institucionet e shtetit janë kthyer në si kohën e Haxhi Qamilit, duke u strukur lokaleve dhe mjehaneve e duke drekuar me hallexhinj që vetëm paguajnë për “shefat” dhe ata që ai merr me vehte në tavolina. Shkrehja e administratës, mbetet epidemia dhe shqetësimi që po rëndon mbi xhapat e qytetarëve të Elbasanit. Vonesa të qëllimta, sorrollatje të qëllimta për ti bërë hallexhinjtë të vijnë me ditë e muaj në dyert e institucioneve për një firmë, për një përgjigje, për një sqarim, për një vërtetim, pasi drejtori apo shefi rri në zyrë vetëm 2 orë e pastaj shkon në kafe, në takime miqsh dhe shokësh, dhe në 12.00, e ke në dreka të gjata me mishin në hell. Qytetarët e Elbasanit, kërkojnë nga Kryeministri Rama (jo nga ministrat) të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme dhe urgjente në instituconet e shtetit në këtë qytet, dhe do të bindet se shkrehja e administratës është realitet, ashtu si është edhe mungesa e etikës dhe prania e korrupsionit në gjithë strukturat e tij. Ka kohë që në institucionet e shtetit në Elbasan nuk zbatohet orari zyrtar, nuk zbatohen vendimet e qeverisë, rregulloret e institucionit, duke i kthyer ato në bunkerë dhe duke i mbushur ato me njerëz të paaftë dhe të korruptuar. Në lokalet ku shtrohen drekat e shtrenjta bëhen bisedat, pazaret, ndahen detyrat dhe emërimet, bëhen largimet dhe shkarkimet, bëhen projektet dhe tenderimet, grisen faturat dhe gjobat, dhe gjithçka e paguajnë në fund ata që rrinë në fund të tavolinës, hallexhinjtë. Kjo mënyrë e funksionimit të administratës së shtetit ka sjellë  akumulimin e problematikave që ndoshta nuk do të gjejnë zgjidhje kurrë, ka sjellë degradimin e strukturave  dhe mbushjen e tyre me militantë dhe të paaftë. Asnjë institucion nuk ka një derë të hapur për ata që vuajnë për bukën e gojës, për padrejtësitë që u bëhen, për shtresat në nevojë, duke i përcjellë çdo ditë nga njëra zyrë tek tjetra. Ky është realitet i dhimbshëm dhe turpërues për institucionet e shtetit, për zbatuesit e ligjeve  dhe ata drejtues që janë emëruar si militantë partie dhe jo si profesionistë. Ky është realiteti që po degradon shtetin dhe ligjin, duke e bërë të pabesueshëm në sytë e qytetarëve.

Nga Tefik Osmani