Administrata, 40 % me dëftesa dhe diploma false

1590
Procesi i pastrimit të administratës shtetërore, ligjvënies, politikës, diplomacisë, biznesit, drejtësisë dhe gjithë shërbimeve të tjera publike nga individët e lidhur me krimin e korrupsionin, bashkëpunëtorë, ushtrues ose mbrojtës të krimit e korrupsionit, nuk do të jetë i vetmi proces që do të realizohet në Shqipëri. Sipas një informacioni të marrë konfidencialisht prej stafit të ngushtë të kryeministrit Edi Rama, konfirmohet se paralelisht me dekriminalizimin e parlamentit, ministrive, policisë, ushtrisë, prefekturave, qarqeve, bashkive dhe drejtorive rajonale e të atyre në rrethe, do të nis edhe procesi i verifikimit të shkollimit universitar e madje edhe i krejt cikleve shkollore para-universitare të krejt shtetarëve e zyrtarëve të çdo niveli. 
Ministria e Arsimit urdhërohet të bëjë verifikimet brenda muajit nëntor 2015 
Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është ngarkuar 10 ditë më parë, me detyrën e verifikimit të shkollimit të shtetarëve e zyrtarëve qendror dhe lokalë. Sipas burimit të informacionit, kryeministri Rama e ka lëshuar urdhrin ndaj Ministres së Arsimit, mbështetur në një rekomandim në trajtë “urdhri”, të dhënë prej BE dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që kanë ideuar, që po asistojnë e po menaxhojnë proceset reformuese të shtetit, politikës, administratës e shoqërisë civile. Në “filtrin” e verifikimit të nivelit të shkollimit të tyre, do të kalojnë gjithë të mandatuarit me zgjedhje nga populli e parlamenti si pushtetarë qendror e lokal, si dhe të gjithë ata që janë drejtues e nëpunës të emëruar, qofshin edhe të rekrutuar me konkurse e me “gjoja konkurse” nga strukturat përzgjedhëse të Drejtorisë së Administratës Publike, të punësuar dhe emëruar si nëpunës, specialistë e drejtues të çdo niveli në administratën publike. Kjo për të zbardhur realitetin që është praktikë në strukturën e administratës dhe shtetit, ku shumë individë zgjidhen, punësohen, mandatohen e gradohen në poste drejtuese, duke paraqitur “CV” me dëftesa të shkollës së mesme, diploma universitare, kualifikime pasuniversitare, dëshmi me tituj e grada shkencore, dëshmi të gjuhëve të huaja false. Evidentimi dhe largimi i tyre nga drejtimi dhe zyrat e shtetit është një projekt me bazë procesin e “pastrimit” përfundimtar të shtetit, pushtetit dhe administratës publike nga funksionarët dhe nëpunësit të cilët janë zgjedhur, emëruar e mandatuar në funksione shtetërore dhe në detyra zyrtare, duke paraqitur formalisht diploma universitare e dokumente kualifikimi false. Ky fakt është bërë shpesh objekt i denoncimeve të provuara në media, duke u publikuar emra shtetarësh e zyrtarësh të lartë, të ulët e të mesëm me diploma universitetesh e shkollash që realisht nuk i kanë kryer, madje që nuk dinë se sa shkallë arsimimi ka sistemi arsimor shqiptar. Ministria e Arsimit është urdhëruar nga kryeministri, të kryej verifikimet brenda muajit nëntor 2015, sidomos diplomat, certifikatat dhe gradat shkencore me “stampë” universitetesh publike e private në Maqedoni, Kosovë, Itali, Rumani, Bullgari, Rusi, Ukrainë, Greqi, Turqi e deri në Indi e… Australi! 
Evidenca/ Zyra shteti të mbushura me analfabetë me 4 klasë, por… me diploma universitare!
Procesi i pastrimit të administratës publike dhe shërbimeve të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë shtetërore në çdo nivel, do të nis këto ditë. E dikton realiteti banal, që dihet: Në këto 23 vite, zyrat e shtetit e të pushtetit të çdo niveli në Shqipëri, në pjesën më të madhe kanë qenë e janë ende të mbushura me drejtues e nëpunës me diploma false, që nuk kanë përfunduar as shkollën 8 vjeçare. Por që janë zgjedhur e emëruar dhe vazhdojnë të jenë drejtorë, ministra, deputetë, diplomatë, shefa policie, shefa ushtrie, shefa juridikë nëpër institucione, avokatë, noterë, këshilltarë shtetarësh, përmbarues, kryetarë komune e bashkie, kryetar qarqesh e prefektë, madje edhe drejtorë shëndetësie e arsimi! Pikërisht ky kontigjent drejtuesish me profesion real e të vetëm marangozë, traktoristë, xhenerikë, suvaxhinj, kafsharë kooperative, baxhoxhinj, makinistë treni, fatorino, vagonistë miniere, druvarë, roje vreshtash, sazexhinj dasmash, roje stallash e barinj deri në vitet 1992, iu futën krimit ekonomik e më pas politikës dhe pazareve me njerëzit e politikës e të shtetit, duke u bërë edhe ata funksionarë shteti e drejtues politike. Por më parë, për të qenë “të barabartë” e “krenarë”, ata blenë diploma universiteti, dëshmi kualifikimi, dëshmi të gjuhëve të huaja, certifikata të specializimeve pas universitare në SHBA, Itali, Francë, Angli, Gjermani, Suedi, Holandë, Zvicër, Danimarkë, Koraci, Kanada e deri në Greqi, Rusi, Indi, Turqi e Maqedoni dhe u listuan e u zgjodhën deputetë, u emëruan ministra, zv/ministra, konsuj, drejtorë drejtorie, kryetarë bashkie e komunash, prefektë, kryetarë qarqesh, drejtorë arsimi, drejtor e shefa policie…. paçka se disa prej kësaj “ushtrie” shtetarësh e nëpunësish analfabetë ishin dhe janë edhe pa arsimin e detyrueshëm (8 vjeçare). Gazeta “Telegraf”, ka bërë një investigim në disa shkolla 8 vjeçare e të mesme në rrethet Fier, Berat, Shkodër, Korçë, Tepelenë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Lushnjë, Durrës etj., për të vërtetuar disa letra me denoncime konkrete të ardhura në redaksi, lidhur me arsimin real që kanë kryer disa deputetë e funksionarë shtetërorë qendror e lokalë dhe drejtues e nëpunës të bashkive, prefekturave e këshillave të qarqeve. Çfarë rezulton? Afro 90% e emrave të shtetarëve, të funskionarëve e të zgjedhurve në poste drejtuese qendrore e lokale, të cilët janë denoncuar në redaksinë e gazetës “Telegraf”, pas verifikimeve teëpr të vështira, të bëra në regjistrat themeltarë dhe regjistrat e Amzave të shkollave para-universitare në fshatrat dhe qytetet ku ata kanë kaluar moshën shkollore deri të mesme, figurojnë me 2, 4, 5, 8, 10 e 11 klasë shkollë! Ndërsa në dosjet e tyre si funksionarë dhe nëpunës shteti e pushteti, ata figurojnë sikur janë të diplomuar e të “masterizuar” me diploma të universiteteve shtetërore e private në Shqipëri! Madje edhe me nota “shkëlqyer”. Mos u çuditni… por këta figurojnë të shkolluar edhe në universitet me famë botërore si juristë, diplomatë, menaxherë korporatash, si profesorë, mësues, inxhinierë, psikologë, mjekë, agronomë, specialistë me akademi policie e deri me diplomë si… politologë! 
Falsiteti/ 60% e zyrtarëve me 8 klasë në Shqipëri, me diploma universitetesh të huaja
Institucionet shtetërore shqiptare e dinë se cilët funksionarë dhe nëpunës janë pa diploma universitare, por heshtin, mbasi ata janë vendosur në ato detyra prej shefave të partive, duke investuar financiarisht, ose prej lidhjeve familjare, shoqërore e nepotike që ata kanë me drejtuesit e lartë. Ajo që bie në sy në këtë “histori” punësimesh e mandatimesh të funksionarëve të shteti është realiteti, që 60% e atyre që janë të skeduar e të njohur si analfabetë por janë drejtues e zyrtarë, kanë paraqitur diploma universitare me vulë e firmë të universiteteve jashtë Shqipërisë, kryesisht të universiteteve të Maqedonisë, Bullgarisë, Rumanisë, Rusisë e Kosovës! Sipas projektit të pastrimit të analfabetëve nga administrata e shtetit dhe e pushtetit qendror e lokal, madje edhe nga parlamenti me 33 deputetë me 8 e 10 klasë por me diploma false, verifikimi do bëhet ehd enë universitete jashtë Shqipërisë. Verifikimi nuk do të nis nga lista e notave, apo nga kartoni i diplomës, por nga “pista”” të tjera. Konkretisht është menduar dhe vendosur tashmë, që diploamt e shtetarëve, të zgjedhurve dhe zyrtarëve, do të nis fillimisht nga shkollat para universitare, do të hapen arkivat e shkollave. Do të vazhdoj me dëftesat e shkollave 8 vjeçare te të mesme, që janë marrë prej tyre në shkolla në rrethe të tjera, që siç dihet janë shumë raste të tillë, kur një politikanë, deputetë, funksionarë i lartë shteti, apo nëpunës nga Tepelena, Fieri, Tropoja, Kukësi, Korça apo Vlora, është pajisur me dëftesë të shkollës 8 vjeçare e të mesme në Pukë, Lezhë, Leskovik, Pogradec, Ballsh, Kuçovë, Burrel, Dibër etj. Verifikimi më tej, do të vazhdoj me diplomat që janë marrë ne universitete shqiptare, për të parë se me çfarë dëftesash të shkollës së mesme janë paraqitur ata për regjistrim në shkollat e larta! Pastaj verifikimi, do të vazhdojë me diplomat universitare dhe titujt shkencorë, të marrë në universitetet private e shtetërore brenda Shqipërisë, ku dihet që është bërë batërdia me dhënie diplomash me lekë, me “klering” dru zjarri, goma makinash, thasë çimentoje, blloqe me tollona nafte e deri mullar bari, pa u paraqitur fare në universitete. Faza tjetër parashikon verifikimin e diplomave e kualifikimeve të marra në universitetet jashtë Shqipërisë, duke zbardhur hyrje-daljet e tyre kufitare në shtetet ku ata rezultojnë se janë “diplomuar”, referuar viteve dhe sezoneve të provimeve që janë zhvilluar në ato universitete. Një tjetër kontigjent shtetarësh e funksionarësh qendrorë dhe lokalë, të cilët do të futen në “filtrin”” e verifikimit të diplomave universitare, do të jenë të ardhurit pas shumë vitesh nga emigracioni jashtë Shqipërisë dhe të zgjedhur, mandatuar, apo punësuar në zyrat e shtetit si drejtues e nëpunës, duke paraqitur diploma dhe grada shkencore universitetesh të huaja! Në numrat në vijim, gazeta “Telegraf”, do të publikoj fakte nga investigimi që ka kryer, lidhur me shkollat e mesme dhe diplomat universitare false të shumë funksionarëve shtetërorë e të zgjedhurve drejtues e të emëruar nëpunës në gjithë nivelet e pushtetit qendror dhe lokalë. 
Sigal