Adem Jaupi – Kapiteni trim që mbeti “Djaloshi i deteve”

1038
Sigal

Shpendi TOPOLLAJ

Postulati se njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur harrohet, vërtetohet plotësisht në rastin e “djaloshit të deteve”, skënderbegasi nga të parët, kapitenit të anijes, Adem Jaupi, i cili ndërroi jetë, më 13 Qershor të vitit 2005, në moshën 76 vjeçare dhe nuk ka njeri të mos e ndiejë të gjallë edhe sot e kësaj dite, pasi virtytet e tij të rralla e bënë të pavdekshme. I lindur më 22 Mars të vitit 1922 në Korçë, ai qe i biri i luftëtarit të 1920-s, Emin Jaupit dhe i dy vëllezërve partizanë, Kekos dhe Iljazit. Edhe vetë, pasi u përfshi në Rininë Antifashiste qysh në vitin 1942, nga 12 shtatori i vitit 1943 u bashkua me batalionin Partizan “Tomorri” e më pas në Brigadën XX Sulmuese. Në librin “Luftëtarët që bënë epokë nuk duhen harruar”, për Kekon shkruhet: “Luftëtar trim që sfidoi plagët e Luftës”, kurse për vetë Ademin thuhet: “Partizan trim e marinar i talentuar”.

Ademi, porsa u çlirua Shqipëria, ende me armë në dorë, u rreshtua në radhët e shkollës ushtarake “Skënderbej” së bashku me shokë të tjerë, kryesisht të zbritur nga malet ku kishin luftuar për liri. Ata, me entuziazmin dhe vlerat e tyre të mëdha, me idealet në të cilat besonin, hodhën themelet dhe krijuan traditat e lavdishme për të gjithë ata që në vazhdimësi do studionin në këtë shkollë të lavdishme. Në vitin 1947 së bashku me një grup skënderbegasish, dërgohet në qytetin Divulje të Jugosllavisë, ku do të studionin për oficerë të Flotës sonë Luftarako – Detare, e cila ishte në krijim e sipër dhe kishte nevoja të ngutshme për kuadro. Ademi, me kërkesa të mëdha ndaj vetes, u shqua për dëshirën e madhe për të mësuar dhe për t`u bërë i vlefshëm për vendin e vet, por nuk vonoi shumë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona u prishën, kështu që studentët shqiptarë u kthyen para kohe në atdhe. Por shumë shpejt, qeveria jonë mori masa që studimet e nisura t`i përfundonin në ish-Bashkimin Sovjetik. Ndaj në vitin 1949, Ademi shkoi në Akademinë e Lartë Ushtarake për Navigacion në Republikën e Azerbajxhanit dhe me ta përfunduar në Shtatorin e vitit 1952 me rezultate shumë të mira. Pasi kryen detyra të ndryshme në Flotë, emërohet në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku shërbeu në periudhën 1958 – 61. Këtu shkëlqen talenti prej ushtaraku të kulturuar i oficerit të marinës Adem Jaupi, i cili zotëronte disa gjuhë të huaja si serbokroatisht, italisht, anglisht dhe natyrshëm rusisht, ku kjo e fundit i jepte mundësinë e zhvillimit me kuadrot e marinës të veprimtarive për ngritjen teoriko – praktike.

Duhet shtuar se ai njihte mjaft mirë edhe gjuhën Esperanto. Flota jonë ushtarake po fuqizohej dhe detyrat ishin në rritje, kështu që ai e kuptonte se stadi që po kalonte ushtria kërkonte një nivel të lartë të kuadrove. S`duhet harruar se vetë Ademi ishte një lexues i shkëlqyer, si shumica e atyre djemve që kishin kaluar nga bankat e shkollës “Skënderbej”. Biblioteka e tij ishte jashtëzakonisht e pasur. Aty do të gjeje autorë vendas me emër si Fishta, Noli, Jakova, Kadare, Agolli etj., dhe të huaj si Dostojevski, Gorki, Shollohovi, Gogoli, Remarku, Duma, Drajzeri etj., etj. Atë e tërhiqte pa masë edhe muzika e, sidomos ajo korçare dhe shkodrane, prej nga kishte dhe të shoqen, motrën e të madhit futbollist të viteve 1950 – 65, Dyl Duma. Pasi vazhduan prishjet edhe me ish-Bashkimin Sovjetik, në vitin 1961, duke parë se edhe nevojat e Flotës Tregtare për kuadro drejtuese ishin të mëdha, Ademi kalon në marinën tregtare, duke jetuar familjarisht në Durrës. Por në të vërtetë, ai më gjatë jetonte deteve, pasi ku nuk ka shërbyer më së shumti si kapiten vapori që nga “Vlora”, “Arbëria”, “Vampo”, “Liria”, “Partizani”, “Teuta”, “Skënderbeu”, “Mati”, “Durrësi”, “Tirana” etj. Kishte katër fëmijë, por ai ishte i ndërgjegjshëm për sakrificat dhe privacionet e një lundërtari të linjave të largëta, ndaj asnjëherë nuk u ankua. Ndaj dhe në qytetin ku banonte, atë e shihje përherë të qetë dhe të qeshur me të gjithë. Njeri i përzemërt, ai mbeti dhe i thjeshtë dhe i shoqërueshëm me këdo dhe sidomos me kolegët e tij si Zeqo Feçani, Qemal Hate, Zaçe Zhupa, Ali Bardheti, Rushan Tusha, dhe sidomos me profesorin e detarisë Shaqir Kafexhiun. Duhet të jesh njeri me durim dhe vullnet të hekurt që të përballosh rrugët e pafund të disa kontinenteve për dekada të tëra.

I tillë ishte ky burrë me karakter që i ra kryq e tërthor porteve të Evropës, Afrikës dhe Azisë, deri në Kinë, vetëm e vetëm që të realizonte detyrat e ngarkuara në interes të popullit të tij. Ademi, me vaporin e tij qe i pari që, kur u mbyll kanali i Suezit, i ra rrotull Afrikës, për të shkuar në R. P. të Kinës. Por edhe pse përherë gjente forca të mos epej para vështirësive, dhe me zgjuarsi të rrallë dhe gjakftohtësi, dinte të merrte vendimet e duhura, ndodhi që në kushte shumë të vështira të motit, anija “Mati” që ai drejtonte, u mbyt në portin e Kostancës në Rumani. Ishte viti 1976 dhe ai pas përpjekjeve mbinjerëzore, ashtu siç ia kërkonte nderi i kapitenit, u largua nga anija vetëm pasi u sigurua se kishte shpëtuar të gjithë ekuipazhin. Mënyra sesi ai luftoi dhe qëndroi para kësaj fatkeqësie ishte një shembull mjaft domethënës për të treguar se çfarë djemsh kishte farkëtuar fidanishtja e ushtrisë, shkolla ushtarake “Skënderbej”. Duhet thënë se vlerat e këtij kuadri i njihnin edhe të huajt, të cilët i kishin dhënë lejen e rrallë që të ishte i lirë për të dalë e vizituar të gjithë qytetet e Porteve ku anija e tij ankorohej. Pas një pune të gjatë në Flotën Ushtarake dhe atë Tregtare, Adem Jaupi doli në pension në vitin 1984. Por edhe tani, ai nuk ndahej nga shokët e miqtë e dikurshëm dhe aktivizohet rregullisht në Organizatën e Veteranëve të Luftës Nacional – Çlirimtare dhe shoqatën detare “Adrion”. Për luftën dhe punën e tij, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar disa urdhra e medalje. Kur ai mbylli sytë, lajmi u dha nga televizioni i Durrësit “Teuta”, gazeta “Kushtrim Brezash” dhe revista “Esperanto” që botohet në Holandë. Ja pse në qytetin e Durrësit, ku ai prehet, gjithkush kur flet për të e kujton ende si të gjallë.