Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova përballë njeri – tjetrit

589
Dilaver Goxhaj

A e shihni Skënderbenë?
mbren’ e mirë, trim e burrë?
U përpoq për mëmëdhenë,
pa s’i vdes emëri kurrë.
Skëndërbeu është i gjallë,
rron e mbretëron për jetë,
kjo fjalë s’është përrallë
ndaj t’urtit është e vërtetë.

Naim Frashëri: “Histori e Skënderbeut”
Në 5 marsin e këtij viti mbushen 20 vjet nga Lufta e Prekazit dhe rënia heroike e Adem Jasharit dhe e 55 pjesëtarëve të tjerë të asaj familjeje. Një rast unik në historinë botërore, ku një familje e tërë, në një unitet mendimi dhe veprimi të jashtëzakonshëm lufton si një trup i vetëm dhe e gjithë bie theror për çlirimin dhe krijimin e një shteti – Kosovës. Lavdia e asaj vdekjeje me qëndrueshmëri, në periudhën kur politikanët shqiptarë kishin filluar të zhyteshin në llomin e kompromiseve me pushtuesin, tregoi se ajo ishte rrugëdalja e vetme për t’u çliruar Kosova nga pushtimi serb; ai heroizëm ishte një përmbysje historike e madhe sepse njerëzit, më në fund, e gjetën të fshehtën e rrugës drejt lirisë. Gjithë veprimtaria ilegale e deriatëhershme e Adem Jasharit dhe e asaj familjeje s’ishte gjë tjetër veçse një punë pa bujë e një propagandë pa qëllime publiciteti, në kundërshtim me thirrjet e shpeshta publike të politikanëve të Kosovë të cilët i thoshin popullit: Rrini urtë e mos u ndjeni se lirinë na e kanë premtuar të na e sjellin. Pas Luftës së Prekazit ata që e ndjenin veten shqiptarë e ndërprenë hyjnizimin e rezistencën paqësore, e flakën tej atë. Data e 5 marsit 1998 ka dy ngjarje të rëndësishme brenda saj: është edhe vdekja biologjike e Adem Jasharit, por edhe LINDJA e përjetshme e tij. Si i tillë, Adem Jashari është një vigan që si ditëlindje të tij do t’i njihet data e vdekjes biologjike të tij, nëse do të perifrazonim një thënie të Niçes. Njerëzit shumë të famshëm janë gjithnjë në jetë që është e vetmia jetë e denjë për t’u quajtur me këtë emër, shprehej Ciceroni. Dhe prej asaj date Adem Jashari do të jetoi përjetësisht, që do të thotë se atë ditë që Ai ra në betejë, atë ditë dhe “Lindi”. Edhe shtetet për ditëlindje të tyre kanë atë datë kur përfundon lufta e rënies heroike të mijëra e mijëra dëshmorëve idealistë të tyre. Pa rënë theror dëshmorët për lirinë e atdheut, nuk ka ditëlindje të një shteti. Kështu ndodhi edhe me Kosovën. Ditëlindja e një shteti nuk është deklarata pas lufte për Pavarësi, por dita e çlirimit nga pushtuesi shekullor i tij. Një “LINDJE” të tillë e përjetshme, pas vdekjes biologjike, e kanë pas në mote edhe shqiptarë të tjerë: Mic Sokoli, Selam Musai, Vojo Kushi, Tre heronjt e Shkodrës etj. Këta njerëz janë të mëdhenj pasi janë rezultat i bashkëveprimit të kohës me shoqërinë njerëzore, janë produkt i vetë historisë, pasi njeriu është produkt i mjedisit dhe kohës ku jeton e vepron. I tillë produkt është edhe Adem Jashari, por me një veçori shumë më të dukshme se shembujt e mësipërm: kjo marrëdhënie afrie e Adem Jasharit midis shoqërisë dhe kohës, thënë ndryshe, midis natyrës dhe fatit, ka qenë ngjashëm si në rastin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ku duket sikur është sforcuar historia, jo vetëm për të përfshirë në një njeri të vetëm virtytet e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, si burrë shteti, por edhe për ta dalluar nga virtytet e Komandantit të Përgjithshëm të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugovës, për të treguar se ishin me një madhësi të ngjashme në qëllimin final për Kosovën, por me guxim dhe ideal të ndryshëm; dëshira për lavdi, por pa guximin e një komandanti, e çoi Ibrahim Rugovën për të qenë politikan pacifist i nivelit më të lartë, ndërsa Adem Jasharin historia e deshi të shërbejë si model i burrit të shtetit e i komandantit të përsosur, ngjashëm si Skënderbeu e Ismail Qemali. Adem Jasharin familja, koha dhe shoqëria në Kosovë e pajisi me shumë karakter, me shumë guxim dhe me shumë trimëri; historia e lindi të shpërthente luftën për çlirimin e Kosovës dhe të shndërrohej në një Komandant i ngjashëm me legjendën dhe luftëtar simbol i asaj lufte. Deri atë ditë e gjithë bota demokratike e jo demokratike e kishte injoruar kërkesën e Ibrahim Rugovës për shtetin e ri të Kosovës dhe ushtrinë e saj çlirimtare e pat cilësuar, si dhe vetë Rugova, grup terrorist. Ishte “lindja” e përjetshme e Adem Jasharit që bëri korrigjimin. Adem Jashari, ashtu si dhe heronjtë e tjerë që cituam më lartë, deri ditën e rënies së tij heroike nuk ishte i njohur jo vetëm nga mbarë kombi shqiptar por as edhe nga populli shqiptar në Kosovë. Prej ditës që Adem Jashari ra heroikisht, atë ditë ai u njoh nga i gjithë kombi shqiptar dhe u shndërrua në simbol jo vetëm i Komandantit dhe luftëtarit por edhe simbol i lirisë për gjithë shqiptarët në Kosovë. Ajo luftë në Prekaz në 5 marsin e vitit 1998 ishte një veprim i madh vezullues për gjithë shqiptarët në Kosovë; ishte afirmim i Adem Jasharit Komandant legjendë i luftës për çlirimin e Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mos vdekja kurrë e tij në memorien e kombit është rezultat i vdekjes heroike të tij për idealin e lindjes së shtetit të Kosovës, ndaj dhe data e rënies së tij, 5 Mars 1998, do të quhet ditëlindja e tij, si një vepër që inicioi njohjen ndërkombëtare të luftës kryengritëse në Kosovë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të saj, duke u dhënë atyre tiparet e saktësisë e të përpikërisë. Adem Jasharin, njësoj si dhe Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, nuk i shpallën komandantë dhe kryetarë shteti institucionet partiake a shtetërore, po i shpalli vepra e tyre personale heroike, ndaj dhe nuk mund të krahasohet me ta asnjë politikan tjetër i kombit shqiptar. “Edhe Adem Jashari organizoi KUVENDIN, ngjashëm si Kuvendi i Lezhës dhe ai i Vlorës, por me një ndryshim epokal: salla e Kuvendit të Adem Jasharit ishin Kullat e Jasharajve dhe zhvillimi i Kuvendit ishte vetë BETEJA E PREKAZIT; pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës ishin gjithë princat shqiptarë, ndërsa në Kuvendin e Vlorës ishin përfaqësuesit e gjithë vilajeteve shqiptare, kurse pjesëmarrës në “Kuvendin e Prekazit” ishin 56 luftëtarë-dëshmorë vetëmohues; nënshkrimet e kuvendeve të Lezhës dhe Vlorës u bënë me penë e me bojë shkrimi, ndërsa në Kuvendin e Prekazit historia urdhëroi që nënshkrimet të bëheshin si në asnjë rast tjetër të historisë shqiptare e asaj botërore: ajo urdhëroi që nënshkrimet të bëheshin me pushkë dhe gjak; telegrafi i Kuvendit të Prekazit nuk ishin as kornerët, as zarfet, as njoftimet me letër, as postierët por gjithë mediat vizive botërore, ngaqë ishte koha e televizionit dhe e internetit, koha e kozmosit dhe e luftës aero-tokësore”. Guximi i Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij ishte një forcë e jashtëzakonshme shpirtërore, e cila i ngriti ata mbi shqetësimet, mbi pështjellimet dhe mbi emocionet që mund të shkaktonte mbi ta shfaqja e asaj ushtrie të madhe e të blinduar e Serbisë; falë asaj force Adem Jashari dhe familja e tij u mbajtën të qetë dhe e ruajtën përdorimin e lirë të arsyes në ato rrethana aq të tmerrshme. Pak kush qenë atëherë të gatshëm të rrezikonin sa duhet për triumfin e çështjes për jetë a vdekje të Kosovës, sikundër vepruan Jasharajt në ditën e lindjes së tyre të përjetshme. Ata humbën jetën, por i dhanë Kosovës lirinë dhe lavdinë. Prandaj dhe Përfaqësuesi i parë Special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Kushner, deklaroi: Nëse do të kishte çmim ‘Nobel’ për një lloj të tillë sakrifice, kjo familje do të ishte e para që do ta gëzonte. Vepra e madhe e Adem Jasharit nuk ishte rezultat i një plani të madh, sikundër ishte plani pacifist i dhurimit të lirisë së Kosovës nga ndërkombëtarët, por ishte thjesht rezultat i rastësisë. Jeta zhvillohet jashtë vullnetit tonë. Ajo rastësi ndryshoi prodhimin shpirtëror, revolucionarizoi gjithë shoqërinë shqiptare në Kosovë, duke u shkëputur nga idetë pacifiste pasive sunduese të deriatëhershme. Vepra heroike e Adem Jasharit ishte vepër e madhe për disa arsye: së pari, ngaqë u përputhën koha, mjetet dhe forma që treguan sesi mund të fitohej liria; së dyti, ishte rezultat i një përpjekje të madhe në vijueshmëri të popullit shqiptar në Kosovë; së treti, pati një proporcion midis veprimeve të Adem Jasharit dhe ëndrrës kombëtare të atij populli shqiptar në Kosovë; dhe së katërti, ishte shpresa e popullit që shërbeu ta çonte Adem Jasharin dhe tërë familjen e tij drejt vdekjes me qëndrueshmëri nëpër atë rrugë që u pëlqye dhe u pasua nga mijëra shqiptarë në Kosovë e trevat e tjera shqiptare. Të gjitha këto prodhuan shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në formën e një bumi. Njerëzia shpërblen më shpesh shfaqjen e thelbit sesa thelbin vetë. Duke qenë se të dy këto personalitete, Adem Jasharin dhe Ibrahim Rugovën, i kemi komandantë të ushtrisë së Kosovës, do të mundohem të heq këtu disa paralele ballafaquese midis tyre. Sado të madh e të ndritshëm mundohen ta nxjerrin Ibrahim Rugovën ithtarët e tij, përsëri është e vështirë që të barazohet me Adem Jasharin, pasi janë rrethanat ato që na ndihmojnë të nxjerrim në dritë të përshtatshme tërë cilësitë e tyre, duke i ballafaquar ato: – historisë dhe kohës iu desh t’i lindte në të njëjtën periudhë që ne t’i njihnim sikundër i njohëm: të ndryshëm në inteligjencë e të ndryshëm në përkushtim e dhunti; – njëri qytetar i thjeshtë e i bindur se liria nuk dhurohet por fitohet me gjak e sakrifica, tjetri me synime të mëdha e ambicie të pakufishme personale; – të dy të njohur për virtyte por që i shfaqën nën pamje krejt të ndryshme; – dy modele të ndryshme në dy burra me pikëpamje të ndryshme e me përvojë jetësore të ndryshme, por duke synuar të njëjtën gjë: lirinë e Kosovës; – për nga synimi dukeshin të barabartë e të palodhur secili në mënyrën e vet, por që i pamë të vepronin krejt ndryshe në praktikë; – u shfaqën me fat e pa fat në rrethana të ndryshme, duke ia detyruar suksesin njëri lutjeve drejtuar Perëndimit kryesisht në shërbim të lavdisë së vet, tjetri rrëmbimit të armëve dhe shpërthimin e luftës së armatosur e me kurajë, duke u shfaqur jashtëzakonisht i madh në fatkeqësi, i tërhequr nga epërsia e gjinisë së vet që ngjan t’ia nënshtroi vetvetes rastet e për t’i vënë në shërbim të lirisë së Kosovës; – që të dy dëshironin të krijonin shtetin e Kosovës. – ekzistenca e një pushtuesi të fuqishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht si dhe mendësia pacifiste tërësore jo aktive e popullit shqiptar në Kosovë u afroi të dyve rastet për të shpalosur tërë vlerat e tyre në mënyra diametralisht të ndryshme; – të dy ishin në moshën më burrërore të tyre, në të njëjtin mjedis politiko-shoqëror të njëkohshëm, por jeta dhe vepra e Adem Jasharit ishin krejt ndryshe nga jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës; jeta e Ademit u shoqërua nga aq rrethana të rralla e për më tepër në një moment tejet pacifist të opinionit shqiptar në Kosovë për të shpalosur tërë vlerat e tij, të cilat do të vendosnin fatin e nesërm të Kosovës. Sikundër shihet, ky fat ishte i njëjtë për të dy, por ja që historia Ibrahim Rugovën e shkarkoi nga Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, sikundër e kishte emëruar Kushtetuta e Kaçanikut, dhe në vend të tij historia emëroi Komandant të Luftës Adem Jasharin. Historia e bëri atë zëvendësim ngaqë në atë kohë ajo kishte nevojë jo për profesionalizëm dhe intelekt por për personalitet, vetëdije dhe përgjegjësi. Ky zëvendësim detyrash, njërin e “lindi” përjetësisht, tjetrin e “vdiq” politikisht.“Lindja” pas vdekjes e Adem Jasharit shkaktoi “vdekjen” politike të Ibrahim Rugovës, nga e cila lindi antagonizmi i tij, pasi “vdekja” politike për një Komandant të Përgjithshëm, ai dhe President Republike, është më fatkeqe se vdekja fizike, ngaqë shkakton hidhërim të pakufishëm. Ky hidhërim e bëri Rugovën që Adem Jasharin ta kishte armikun e tij më të urryer por të pa pa shpallur, ngaqë Ademi i shkaktoi atij disa “vdekje”: edhe politikisht, edhe si President e Komandant, por i vrau edhe ideologjinë e tij pacifiste, të cilën e pat shndërruar në një lloj féje, fé, të cilës i këndojnë Te Deum-e edhe sot. Dhe Rogova, sa ishte gjallë, nuk ia fali kurrë ato lloj “vdekje”, ndaj dhe nuk ia përmendi kurrë mërin, prandaj nuk u përkul asnjëherë jo vetëm para varrit të Adem Jasharit, por as para gjithë dëshmorëve të asaj familjeje epokale shtetformuese. 

E, për fat të keq, menjëherë pas asaj qëndrese heroike udhërrëfyese që tregoi se liria fitohej vetëm me gjak, filloi antagonizmi edhe midis mbështetësve të Ibrahim Rugovës, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK), dhe pasuesve të Adem Jasharit, Komandantit legjendë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këta të parët e mohojnë çlirimin me luftë të armatosur e gjak, duke predikuar me maksimumin e zërit të tyre pseudo-patriotik, se vetëm politika e robit është produkt i fitores së lirisë së Kosovës. Dhe kjo lloj féje politike ishte aq më tepër e dëmshme, sa më pak që e kuptonin këta ithtarë pacifistë domosdoshmërinë e fitores së lirisë me gjak, duke mos e kuptuar se pa dashje bëheshin shërbëtorë të propagandës së Millosheviçit. 
-Vijon-
Sigal