Adem Ajdini: Ja si do t’ia rikthej sërish famën, shkollës së lavdishme “Skënderbej”

1547
Nga XHELADIN ÇELMETA 

Ka vendosur të mos i ndahet ëndrrës, deri sa ta realizojë plotësisht atë. Me bindjen e plotë se nuk ka për t’u zhgënjyer. Adem Ajdini, president i shkollës jo publike “Flabina” në kryeqytet, ka vendosur të ringjallë mitin e një shkolle legjendare; asaj të mesme ushtarake “Skënderbej”, që për 47 vjet më radhë, nga 1945 deri më 1992, nxorri breza të tërë kuadrosh të devotshëm, të të gjitha fushave, që i shërbyen besnikërisht Atdheut, cep më cep të Shqipërisë. Mes tyre, pati nga ata që edhe sakrifikuan jetën, duke rënë në krye të detyrës. Këta ishin skënderbegasit! Pilotë, marinarë, artilierë, xhenierë, ndërlidhës, kundërajrorë, topografë, radillokatorë, por edhe artistë, shkrimtarë, gazetarë, poetë, muzikantë, mjekë; të gjithë me një pasion të ngjizur në shpirt: Atdhedashurinë. Pikërisht, për të rilindur shpirtin idealist të atij brezi, Adem Ajdini ka disa vite që punon dhe pretendon të “sendërtojë” substancën e atij produkti të dikurshëm patriotik, por tashmë të trupëzuar tek një brez i ri, i cili do të studjojë në shkollën e sapongritur me të njejtin emër: Shkolla “Skënderbej”. Ai rrëfen për gazetën “Telegraf” detajet e kësaj nisme të guximshme, i frymëzuar së brendshmi; jo thjeshtë nga nostalgjia, por nga shpirti i tij prej skënderbegasi të vërtetë. Duke besuar fort tek disiplina spartane që kishte dikur shkolla “Skënderbej”, ai ka bindjen e palëkundur se vlerat e asaj shkolle duhen rigjeneruar, e ripërshtatur, në mënyrë që ato të kthehen në një armë të fortë për të përgatitur “spartanët e rinj”, që do t’i shërbejnë sfidave të kohës, kaq të etur sot për elementin më kryesor të një shteti e kombi: Sigurinë. 
Z. Ajdini, ҫfarë po bëni për ta avancuar më tej projektin tuaj, tani një vit pas rihapjes së shkollës së re jo publike, me logon e emrin e shkollës së famshme “Skënderbej”? 
-Siҫ dihet shkolla “Skënderbej” ka qenë fidanishtja e mbi 35 mijë skënderbegasve që i shërbyen Shqipërisë në ҫdo pëllëmbë të saj. Mbresat tona për ata skënderbegas që jetojnë dhe ata që s’jetojnë më, janë të jashtëzakonshme. Në atë shkollë gjithҫka zhvillohej në një harmoni të hatashme, nga zgjimi deri në pushim. Shkolla “Skënderbej”ka qenë një nga shkollat legjendë të arsimit shqiptar. Ajo u mbyll me një vendim të qeverisë së kohës, në vitin 1992, por për ne që kemi studjuar dikur në bangot e saj, ky nuk ka qenë aspak një lajm i mirë. Përkundrazi, ishte një ҫast i trishtueshëm. Se kontributi i asaj shkolle, në aspektin e përgatitjes së kuadrove për t’i shërbyer atdheut, ka qenë gati në kufijtë e të paarritshmes. Ajo shkollë për mendimin tim, nuk duhej të mbyllej, kurrsesi. Ndoshta, në kushtet e reja të sistemit të ri demokratik, pas vitit 1992, kjo shkollë, thjeshtë mund të zhvishej nga petku ushtarak dhe kaq. Le të vazhdonte. Por nuk ndodhi kështu; ajo u mbyll, dhe më pas, akujt nuk i shkoi më ndërmend të ruante vlerat e metodave aq të arrira pedagogjike që pati, në brumosjen e të rinjve me vlerat e atdhedashurisë, që vetëm ajo i kishte në kuota maksimale. Siҫ e dimë, shkolla “Skënderbej” nuk ishte vetëm e mesme e përgjithshme, por kishte edhe klasa profesionale e teknike. Duke patur parasysh se ҫfarë na ka dhënë ajo shkollë, unë gjithnjë kam menduar se si të mund të rihap sërisht atë, duke ruajtur atë bagazh vlerash të papërsëritshme, të përshtatura tashmë me kushtet e reja të kohës. Përfolja për “politizim të skajshëm”, etj, etj, tani pas kaq vitesh, ka rezultuar i pavërtetë. Për këtë, mjafton ti hedhësh një sy se ҫfarë vendi zenë në shoqërinë shqiptare brezi i ish skënderbegasve të dikurshëm. Pa e ekzagjeruar, ata janë pjesa më elitare e shoqërisë. Ky brez vazhdon të reflektojë vlera shumëplanëshe; kombëtare, atdhetare, por edhe profesionale, pavarësisht nga mosha, pavarësisht nga vitet që mbajnë mbi supe. 
Si mund ta spjegoni një fakt të tillë, kaq impresionues? 
-Unë po flas për diҫka reale. Dhe shembuj ka plot. Ja; kemi rastin që sapo është emëruar vetë drejtori i shkollës së re “Skënderbej”, i cili ndodhet këtu mes nesh. Ai është profesor Arben Voci. Profesor Voci është me gradë “doktor shkencash” dhe ka qenë skënderbegas. Ai po vë gjithë potencialin e tij intelektual e mendor në shërbim të konsolidimit të mëtejshëm të kësaj shkolle. Kurse shembujt e tjerë që tregojnë kontributin e dhënë ndër vite kuadrot ish skënderbegas, janë me mijëra. Mjafton të shohësh portretin e sportistit të famshëm ish skënderbegas Petrit Murzaku, i mbuluar i tëri me dekorata dhe medalje, për të kuptuar madhështinë e plejadës së atyre që studjuan e dolën nga bangot e asaj shkolle. 
Si ju ka lindur fillimisht ideja që të ringjallnit mitin e ish shkollës “Skënderbej”? 
-Kishte vite që kjo ide më ziente në kokë. Por kur u bë 70 vjetori i shkolës “Skënderbej” më 28 mars 2015, në mjediset e ish kinemasë së dikurshme, sot ambient i ministrisë së Mbrojtjes, pashë që aty përmasat e gjithshkaje “ishin zvogëluar”. Salla jo e jo, që nuk kishte më vende, por edhe sheshi jashtë, deri tek postoblloku ishte mbushur plot e përplot me begsa. Ishin të të gjithë brezave, që nga ata të viti 1945, e deri tek të vitit 1992. Kaq shumë kishin ardhur. Dhe shpesh në biseda të përmallshme pashë lotë në sytë e tyre. Pashë një dëshirë të tyre për ta rilindur atë shkollë. Kam emocione të forta nga ajo ditë. Aty takova ish begsa të të gjitha profesioneve. Kish ardhur prof, dr, Ali Kuqi, mjek neurolog, i cili mori dhe një dekoratë nga ministria e Mbrojtjes. Kështu, pra, thashë: “Pse të mos e hapim atë përsëri, ndoshta jo si shkollë ushtarake, por në një version tjetër që t’i shërbejë vendit”. Rikthimi i saj pas 23 vitesh, është jo vetëm realizim i ëndrrës së 80 mijë ish nxënësve të saj “skënderbegas”, por edhe një mesazh i madh historik për të gjithë brezat, mësuesit, nxënësit, prindërit. Shkolla është kulti i edukimit, për formimin e individit, diturisë së tij për shkencë, është histori, është traditë; qëllimin e saj askush nuk mund ta deformojë dhe rrjedhën e saj askush nuk mund na ndalë. 
Kështu pra, ju i hytë asaj pune të mundimshme menjëherë? 
-Po, menjëherë nisëm nga puna. Me këtë rast, desha të falenderoja ministren e Arësimit zonjën Lindita Nikolla, e cila pas aplikimit tonë, pranoi miratimin e projektit për liҫensimin e shkollës së mesme jo publike “Skënderbej”. Dua të theksoj këtu se mua më vlejti mjaft eksperienca prej 15 vjetësh që kam nga shkolla “Flabina”. Mendova që disa element të vyer që i ka patur ish shkolla “Skënderbej”, si disiplina, rregulli, serioziteti, harmonia, edukimi atdhetar, etj, ti riafirmoj sërish. Unë nuk i përkas atyre sipërmarrësve, që kur investojnë, më së pari mendojnë se sa lekë do të fitojnë për veten e tyre. Jo; unë dua që kjo shkollë të gjenerojë talente, vlera intelektuale, si dhe të ngjallë ndjenjën atdhetare, nacionale, patriotizmin, e pse jo. Shkolla “Skënderbej” është simbol i Kombit, ashtu siҫ thotë poeti ynë Arben Duka, se “po je skënderbegas, nuk ke se ҫ’do të jesh më shumë”. 
Keni gati një vit aktivitet të shkollës së re jo publike “Skënderbej”; cilat janë rezultatet e deritanishme? 
-Së afërmi diplomohen 50 maturantët e parë “skënderbegas”, djem dhe vajza. Të gjithë nxënësit janë me rezultate të larta. Për mua kjo është arritje, në një kohë kaq të shkurtër. 
Cili është objektivi kryesor i kësaj shkolle dhe ҫfarë e bën atë të veҫantë nga shkollat e tjera të mesme jopublike në vend? 
-Kam një obligim shumë të madh për të realizuar një profil të plotë të shkollës “Skënderbej”. E para; është që të bëj integrimin e brezave të rinj; atyre që do dalin këtë vit dhe të tjerëve që do vijnë, me historinë e shkollës së dikurshme “Skënderbej”. Ta integroj këtë histori të lavdishme, brenda kornizës së një filozofie të re të kohës që jetojmë, duke e lidhur ngushtë me problemet aktuale. Në këtë shkollë të re “Skënderbej” ne do të synojmë të nxjerrim kontigjente për shkollat e larta që do studjojnë më pas në Akademinë Ushtarake të FA, në atë të Policisë apo siҫ quhet Akademia e Sigurisë, por edhe për sportin, artin, etj. Shkolla “Skënderbej” ka qenë fidanishtja që nxirrte kuadro që shquheshin për sensin kombëtar e patriotik. Për mua, raporti i të qënit qytetar me të qënit kombëtar është shumë e rëndësishme sot. Se kështu integrohemi edhe më mirë me Europën. Në përvojën time me “Flabinën”, dua të tregoj një detaj: kam patur një kështilltar gjerman. Disiplina e planifikimit të tij, ishte super korrekte. Mua më shkonte mendja te displina skënderbegase. Kur kemi vajtur për praktikë me nxënësit në 2003-shin dhe 2007-tën në Gjermani për 3 javë rresht, këtë disiplinë “të hekurt” e vura re kudo. Gjithҫka e kronometruar. Unë shoh linja paralele; të kulturës së shkollës ushtarake “Skënderbej” dhe asaj të kulturës së shkollës gjermane. Mendoj se pikërisht këtë ne duheta ta konservojmë e ta aplikojmë në të ardhmen. Shpresoj që pedagogë të dikurshëm të shkollës “Skënderbegas”, si profesor Shkëlqim Dyrmishi, etj, të na bashkohen në ditët e konsulencave që do kemi, si për shembull më 13 shtator 2016, kur do marrim kontigjentet e reja të nxënësve. 
Konkretisht, kujt do t’i shërbejë në mënyrë të drejtpërdrejtë shkolla “Skënderbej”? 
-E thamë pak më lart: Do t’i shërbejë tre institucioneve arësimore; Univeristetit të Sporteve, Akademisë Ushtarake dhe asaj të Rendit. Këto, pra, janë tre institucionet kryesore që do të “furnizohen” me kontigjente të përgatitura e të kualifikuara në shkollën tonë të re “Skënderbej”.
Si do të jetë e ardhmja e kësaj shkolle që sapo keni hapur?
-Ky është vetëm fillimi. Në të ardhmen do të rritet edhe numri i atyre që do të studjojnë; djem dhe vajza. Nga 50 vetë, synojmë ta rrisim në 100 vetë, me staf më të plotë. Po ashtu edhe mjediset. Nuk do të jenë kaq të ngushta si tani, këtu në ambientet e ish klubit “Partizani”. Mendojmë të gjejmë rrugëzgjidhjen ligjore për të marrë mjediset e një ish reparti ushtarak në Mëzez, me sipëraqe rreth 50 mijë m2, pasi aty plotësohen kërkesat për terrene sportive, marshime në natyrë, poligone për përgatitje për qitje, etj. Edhe përzgjedhja do ketë kritere; siҫ përzgjidheshin dikur skënderbegasit. Në preferencë do jenë prurjet nga familjet e ushtarakëve. Shkurt; do synojmë që të kemi një Shkollë Kombëtare “Skënderbej”. 
Cili është argumenti juaj, për arësyen e zgjerimit kaq të madh të gamës së kësaj shkolle, deri në nivel kombëtar? 
-Gjykoj se ka një argument të fortë: Problemi më akut i botës së sotme është mbrojtja nga terrorizmi. Edhe vendi ynë është pjesë e NATO-s e angazhuar në këtë kuadër për antiterrorizmin. Ja pse mendojmë se kjo shkollë mund të parapërgatisë kontigjente të afta për luftë kundër akteve terroriste, të cilët pasi marrin njohuritë e para në shkollën tonë “Skënderbej”, vijojnë t’i përsosin më tej këto cilësi në akademitë që cituam më lart. Qysh këtë vit ne do realizojmë muzeun e ish shkollës “Skënderbej” që do t’ju vlejë si frymëzim; si nxënësve tanë, ashtu edhe vizitorëve që do njihen me historinë 71 vjeҫare të asaj shkolle me histori legjendare. 
Jetëshkrimi
Kush është ish skënderbegasi Adem Ajdini; punësimi e karriera
-Viti 2000-2015, President i shkollës së parë private “Flabina”.
-1997-2015- Avokat
– 1995-1997-Asistent avokat
-1995-Oficer pranë Gardës së Republikës
-1993-1995-Kontrollor i Policisë Kufitare, Rinas
-1992-1993-Zëvendësshef artileria brigade në Tiranë
-1980-1992-komandant baterie në Kavajë 
Flet drejtori i shkollës së re jo publike “Skënderbej”, dr. Arben Voci.
NXËNËSIT TANË DO TË FRYMËZOHEN NGA ISH SHKOLLA “SKËNDERBEJ”
Rritja e parametrave të shkollës jo publike “Skënderbej” përtej synimeve, dëshirave e mundit të vetë presidentit, z. Ajdini, e gjithë stafit, normalisht nuk është kaq e lehtë, por edhe këmbëngulja jonë është e palëkundur. Se themelet e shkollës së lavdishme “Skënderbej” janë themele gjaku. Ata që hynë për herë të parë në derën e asaj shkolle dikur, erdhën direkt nga lufta. Ishin partizanë të ardhur nga malet. Unë vetë kam qenë skënderbegas dhe jam krenar për këtë. Mund të ndiqja një shkollë tjetër dikur, por zgjodha të ndjek shkollën “Skënderbej”. Kisha bindjen se në atë shkollë do isha më i kompletuar, dhe me një shoqëri shumë të gjerë. Do isha një në mes të 40 vëllezervë të tjerë skënderbegas; të gjithë në një klasë. Është kënaqësi që këtë shoqëri të dikurshme, ne e ruajmë edhe sot. Unë angazhohem si pedagog edhe në Universitetin e Korҫës, kam angazhime edhe në Univeristetin e Tiranës, por nëse në punën time, normalisht që shoh edhe anën ekonomike, angazhimin në këtë shkollë të sapohapur “Skënderbej” nuk e shoh fare të lidhur me anën ekonomike. Çudi, por këtu më thirr ndërgjegja për të bërë një detyrë atdhetare; të përgatis kontigjente të afta, si dikur skënderbegasit. Për këto kontigjente, synojmë parametra të kohës; si për momentin, ashtu dhe për të ardhmen. Këtu e ndjej veten të plotësuar. Normalisht, më vjen në ndihmë edhe mësimdhënia prej 25 vitesh në fushën e arsimit. Diҫka tjetër: kemi nevojë nga shteti edhe për investime konkrete; sepse duhet ta shohim atë edhe si partner, edhe si mbështetës. 
Sigal