Abuzuan me detyrën, pushim dhe kallëzim 67 punonjësve të OSHEE

526
Sigal

TIRANE – Rreth 67 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në të gjithë vendin janë konstatuar se kanë kryer shkelje në detyrë, ndërsa janë marrë masa ndaj tyre nga vërejtja deri tek pushimi nga puna dhe ndjekja penale për faturistë dhe elektricistë.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Energjitikës, sipas së cilës në kuadër të kontrolleve të ushtruara gjatë javëve të fundit, Njësia Operacionale Speciale (NJOS) pranë Task Forcës për energjinë, janë konstatuar 67 punonjësit me një sërë shkeljesh të kryera.

Sipas Ministrisë, në disa raste, është konstatuar se këta punonjës të OSHEE-së kanë toleruar konsumatorët të furnizohen me energji pa kontratë, nëpërmjet linjave të dyta si dhe me matësa e kabllo jashtë kushteve teknike.

Në zona të caktuara ku ushtrojnë detyrën këta punonjës, janë konstatuar dhe më pas verifikuar nga laboratori i çertifikuar 3G, ndërhyrje në matësat e energjisë duke lejuar abonentët të abuzojnë me energjinë elektrike.

Po ashtu NJOS ka evidentuar edhe raste abuzimi ku punonjës të OSHEE-së nuk kanë raportuar gjendjen e matësit jashtë kushtit teknik, apo kanë faturuar afrofe abonentë që ndërkaq ishin të pajisur me matësa.

Lidhur me të gjitha këto raste, për 67 punonjësit të cilët janë kapur me shkelje dhe abuzim me detyrën janë marrë masat përkatëse që variojnë, sipas rastit nga vërejtja deri tek pushimi nga puna dhe ndjekja penale.

Ministria e Energjitikës shpreh vendosmërinë për zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë punonjësve të OSHEE-së që abuzojnë me detyrën dhe bashkëpunojnë në vjedhjen e energjisë elektrike.