Abuzimi me ligjin 75011, në Kallm morën tokë deputetë, politikanë e qeveritarë

1817
Sigal

Një nga zonat më të virgjëra të bregdetit ka dal jashtë funksionit. Ja kush abuzoi me tokat në bregdet

Prej gati 2 muajsh, Kallmi, vendi turistik më joshës në bregdetin e Durrësit, duket se ka tërhequr vëmendjen e qindra e mijëra turistëve vendas dhe veçanërisht atyre të huaj. Sipas statistikave të marra në zyrën e Zhvillimit të Turizmit në Prefekturën e Durrësit, rezulton se mbi 20 mijë turistë nga vendi dhe rajoni, parashikohen të kalojnë pushimet në plazhin e virgjër të Kallmit gjatë muajve korrik- gusht 2014. Kjo e deklaruar edhe nga agjencitë turistike në qytetin e Durrësit. Por duket se bukuria dhe perspektiva e kësaj zone bregdetare kaq të bukur dhe premtuese, ka zgjuar prej disa muajsh edhe interesimin e ndërtuesve, nga plazhi me rërën  e pastër dhe ajrin kurues të Kallmit. Duke u interesuar në Kadastrën e qarkut të Durrësit mësuam se sipërfaqet e tokave në Kallm, rezultojnë të ndara një pjesë sipas ligjit 7501, dhe një pjesë tjetër nga shorteu i vitit 1996. Por sipas specialistëve të Kadastrës, në 8 vitet e fundit, atje përfituar tokë edhe mjaft ish-zyrtare dhe qeveritarë, duke i certifikuar si pronë të tyre ato. Ata që kanë përfituar sipas variantit janë ish-pushtetarë të djeshëm apo njerëz influentë pranë politikës. Me përfundimin e studimit urban të Zonës- B, ku bën pjesë edhe Kallmi , pritet të nisë puna për urbanizmin e këtij territori, do të dalin në shesh edhe abuzimet me trojet e Kallmit. Bregdeti i Kallmit, nga pikëpamja gjeografike ndodhet në pjesën veri-perëndimore të qytetit të Durrësit. Ajo përfaqësohet nga një kodër e butë e cila përfundon në bregdet duke krijuar plazhe të vogla të cilët ndodhen nëpër gjire shumë të këndshme. Lartësia e kodrës së Kallmit është 89 m. Ndërsa bregu i detit është vazhdim i atij të Currilave. Kallmi lidhet më në veri me plazhin e Porto Romanos. Pjesa e Kallmit e cila sheh nga deti ka një sipërfaqe prej 150 ha ose 1.500.000 metra katrore. Ky sistem natyror ka një florë dhe faunë të larmishme pasi ende dora e njeriut nuk ka nisur fenomenin e bunkerizimit sikurse ka bërë me Plazhin dhe Golemin. Janë të pakët banorët e qytetit të Durrësit të cilët e dinë historinë e pronësisë së Kallmit. Ky territor i cili në letra i përket Bashkisë së Durrësit, përpara viteve ‘90 ka qenë pjesë e NB Spitallë. Pas ndryshimeve të mëdha social politike në vitet ‘90 në vendin tonë, kjo tokë ju nënshtrua ndarjes sipas ligjit 7501 duke u trajtuar si tokë bujqësore. Kështu që edhe sot e kësaj dite kjo tokë nuk trajtohet si tokë truall por si tokë arë. Legjislativi nuk ka vendosur që ta transformojë këtë sipërfaqe në tokë truall pasi është pjesë e qytetit dhe jo e fshatit.

Abuzimi me tokat e Kallimit

Në Kallm, kanë troje politikanë, deputetë, qeveritarë, e njerëz të shtresa të ndryshme të shoqërisë. Kanë dhe marrja apo blerja e tyre tek disa prej tyre mbetet e dyshimtë. Në bashki asnjeri nga zyrtarët e saj nuk është në gjendje që të japë sqarime të sakta se sa është sipërfaqja e tokës së ndarë për ish punonjësit e fermës të cilët morën në pronësi territore nga kjo ekonomi dhe sa janë pronarët e vërtetë, të cilët Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u ka kthyer tokat në Kallm. Sipas burimeve zyrtare mësohet se “nga sipërfaqja prej 150 ha, një pjesë e mirë e saj nuk ju dha ish -punonjësve të NB Spitallë dhe as pronarëve të ligjshëm, por me vendime të komisionit të ndarjes së tokave duke falsifikuar edhe letrat ju është dhënë personave të fuqishëm të pushtetit dhe të politikës si dhe të atyre që qëndrojnë pranë tyre. Manovrimet se si janë u realizuan abuzimet me trojet e Kallmit, qytetarët e Durrësit do t’i mësojnë pasi të përfundojë studimi urban i zonës –B, ku bën pjesë edhe Kallmi. Ndërtuesit realisht janë ajo kategori sociale e biznesit, të cilëve pak ju intereson mënyra se si klientët e tyre që disponojnë troje janë bërë pronarë të sipërfaqeve truall. Për ndërtuesit mjafton që dokumentet e trojeve të jenë të vlefshme ligjërisht dhe ata të mund të ndërtojnë, si dhe miratimi nga KRRTRSH e projekteve të zbatueshme atje. Tani ata kanë hedhur vështrimin mbi Kallmin, duke pritur përfundimin e studimit të pjesës tjetër të Durrësit që të nisin nga puna bashkë me pronarët e tokave edhe në Kallm. Realisht Kallmi bën pjesë në zonën -B të qytetit të Durrësit, kurse zona -A është qendra urbane e Durrësit. Ajo shtrihet nga Porti Detar, Muzeu Arkeologjik, Parku Sportiv deri te Hipoteka. Kjo zonë i është nënshtruar një studimi urban nga një studio e specializuar italiane, studim i cili është miratuar edhe nga KRRTRSH. Sipas këtij studimi me pak fjalë ndërtimet e reja kufizohen në mënyrë të ndjeshme në këtë zonë. Ndërkohë BB, ka nisur të kryejë studimin e zonës- B, e cila do të ndezë dritën jeshile për ndërtime në disa lagje dhe pjesë të qytetit. Atje bëjnë pjesë edhe Kallmi. Durrsakët shpresojnë se Kallmi shumë shpejt do të kthehet në një plazh ditor dhe ata më në fund do të gjejnë një vend për të qenë për të bërë banjë. Pas përfundimit të studimit urban, qeveria Berisha ka në plan ndërtimin e një rrugë në Kallm e cila do të përshkojë kodrën dhe do të lidhet me Spitallën. Specialistët e turizmit shprehen të sigurt se ashtu si edhe Gjiri Lalëzit, edhe Kallmi, në sezonin e ardhshëm veror 2015, do të jetë epiqendra e turizmit për qarkun e Durrësit, për vetë rëndësinë dhe vlerat e veta.