Abuzimi: Dogana shqiptare, rrit me 10 dollarë çmimin e referencës për drithërat

689
Sigal

DURRËS/ Gruri i importuar këtë javë shkon tek tregtarët 25 dollarë më shumë, pritet rritja e çmimit të bukës

Pa asnjë paralajmërim për tregtarët dhe për importuesit brenda javës çmimi i grurit është rritur me 25 dollarë. Rritja e çmimit në këtë fillim dimri ka nisur në tregjet ndërkombëtare, ku prodhuesit e mëdhenj të grurit e kanë rritur çmimin me 10 deri në 15 dollarë për ton, ndërsa me të njëjtën frymë rritje ka ecur edhe dogana shqiptare. Nga 1 shtatori deri në datën 12 shtator, çmimi i referencës është rritur me 10 dollarë për ton, duke bënë përpara një situate të vështirë importuesit dhe tregtarët, të cilët në Doganën e Durrësit janë përballur me rritje të menjëhershme të çmimit të referencës së grurit të importuar. Në momentin që importuesit dhe agjencitë detare e spedicionere kanë kërkuar doganimin e anijeve me grurë në Portin e Durrësit, janë përballur me çmime të shtuara të referencës për këtë produkt. Dihet që vendi ynë është një prej importuesve më të mëdhenj, sepse vetëm një sasi të papërfillshme siguron nga fermerët vendas të prodhimit të grurit dhe pjesën më të madhe e siguron nëpërmjet importit nga vende të ndryshme të botës.

Rritja në doganë

Aktualisht Dogana e Durrësit po aplikon çmime të reja reference për një sërë produktesh të importit, ku bie në sy rritja me 10 dollarë për ton e grurit, i cili ka mbërritur nga Rusia dhe Ukraina në masë prej rreth 15 mijë ton gjatë muajit shtator. “Nga data katër e këtij muaji është rritur me 10 dollarë çmimi i referencës në Doganën e Durrësit pa asnjë paralajmërim. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka rritur me 10 dollarë për ton referencën për grurin. Është rritur pa asnjë lloj studimi dhe asnjë lloj komunikimi për biznesin. Nesër prodhuesit e bukës do të thonë që pse është rritur çmimi”, u shpreh një prej agjentëve detarë në Portin e Durrësit.

Rritja në bursë

Në bursë, çmimi i grurit është rritur me 15 dollarë, ndërsa dogana ka rritur çmimin e referencës me 10 dollarë të tjerë, duke bërë që nga 4 shtatori deri tani çmimi i grurit të rritet me 25 dollarë për ton. “E gjithë kjo do të rëndojë mbi konsumatorin, sepse as ne nuk e dinim dhe as klientët tanë, se brenda këtij muaji do të përballeshim me rritje të çmimit të bukës në dyqane”, bëjnë me dije importuesit e grurit.

Një muaj më parë

Ndërkaq një muaj më parë prodhuesit e bukës ngritën alarmin e rritjes së paralajmëruar të çmimit të bukës, si pasojë e rritjes së çmimit të miellit nga grosistët. Prej kësaj jave çmimi i bukës rritet me 10 deri 20 lekë në pjesën më të madhe të furrave të bukës në qytetin bregdetar të Durrësit. Një bukë normale nga 90 lekë shkon në 100 lekë minimalisht dhe 110 lekë maksimalisht.

Aktualisht

Aktualisht një ton grurë nga Argjentina blihet me 340 dollarë për ton, 15 dollarë më shumë është rritur çmimi i grurit në bursë, ndërsa në po të njëjtat nivele është rritur çmimi në bursë edhe për grurin nga Rusia si prodhuesit më të mëdhenj të këtij produkti. Por në rritje është çmimi në bursë edhe për produkte e tjera si misri, ku rritja në bursën ndërkombëtare ka shkuar nga  10 deri në 15 dollarë për ton. E kundërta po ndodh në Ukrainë vend, i cili bën përjashtim, i cili këtë vit ka superprodhim të drithërave dhe çmimi në bursë është ulur me 6 dollarë, për ton. Por siç duket edhe Dogana Shqiptare, ecën me bursën ndërkombëtare, ku çmimi i drithërave rritet dhe me të njëjtin pasqyrim përballen importuesit dhe tregtarët edhe në doganë.