Abuzimet me fondet, Vokshi: Drejtoresha e Veliajt firmos për “EAG”

574
Sigal

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në daljen e saj publike 3 ditë më parë ka akuzuar qeverinë Rama për shpërdorim të fondeve publike, duke u shprehur se kompania EAG është krijuar nga mazhoranca dhe po pasurohet prej saj. “Skandali korruptiv me kompaninë qeveritare EAG, thellohet edhe më shumë me faktet e reja që dalin në dritë. Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit, me presione e kërcënime sistematike, që të firmosë procedurën e paligjshme, sepse paratë i duheshin kaluar me çdo kusht kompanisë EAG. Drejtuesja e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Erion Veliaj, ka vendosur t’i kalojë 25 milionë firmës me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur dhe, ndërkohë, produkti ekzistonte.

Pra, thjesht duheshin sajuar letrat që EAG të merrte nga Erion Veliaj 25 milionë lekë.

Specialistja e prokurimit, Luiza Gjonaj, ka kundërshtuar drejtoreshën, duke i thënë se kjo është e paligjshme. Por njeriu i Veliajt, Ina Verzivolli ka insistuar dhe e ka shantazhuar me largim nga puna zonjën Gjonaj, nëse nuk do të firmoste që paratë të shkonin për EAG-në. Në këto kushte, specialistja i drejtohet me një ankesë Ministrit Veliaj dhe Kryeministrit Rama, duke u bërë të ditur shkeljet dhe abuzimin që po ndodhte në agjenci”, është shprehur Vokshi.

Letra e Gjonaj për Ramën dhe Veliaj

Më tej ajo publikon letrën që zonja Gjonaj i ka dërguar Edi Ramës dhe ministrit të tij Veliaj: “Kryetarja e Agjencisë na vendosi para urdhrit për të filluar procedurën e prokurimit, pa shpallje paraprake”, shkruan Gjonaj. “7 ditë para se të nxirrej urdhri për fillimin e procedurës, kryetarja e agjencisë e kishte vendosur se cila kompani private do të fitonte, madje produkti ishte prodhuar ndërkohë”, shkruan Gjonaj në ankesën drejtuar Ramës. “Kjo mënyrë veprimi, në shkelje të çdo lloj norme ligjore, duke detyruar punonjësin me të gjitha format për të firmosur procedura fiktive, duke paracaktuar fituesin për të prodhuar mallra e shërbime që paguhen nga institucione, s’është gjë tjetër vetëm përfitim i paligjshëm”, i shkruan Ramës dhe Veliajt, specialistja. “Po sigurisht, asnjë përgjigje nuk erdhi nga Edi Rama. As nga Erion Veliaj. Nuk mund të ketë përgjigje, sepse EAG është krijuar, është rritur dhe po pasurohet çdo ditë, me bekimin e Qeverisë. Kjo kompani qeveritare që zotërohet nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, ka arritur në 8 muaj të marrë 520 milionë lekë nga shumë zyra e agjenci qeveritare, pra, është majmur me taksat e shqiptarëve. Kjo është shëmbëlltyra e kësaj qeverie. Teksa qytetarët varfërohen çdo ditë, humbasin çdo ditë vendet e punës, biznesi i qeveritarëve me taksat e shqiptarëve rritet dhe llogaritë e tyre bankare fryhen. Kjo e keqe po sundon sot në Shqipëri. Por qytetarët do ta ndalin përpara se të jetë vonë” përfundoi denoncimin e saj deputetja e PD-së, Vokshi.

Reagimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale

Por Ministria e Mirëqenies Sociale reagoi duke thënë se, PD ka nisur një fushatë përbaltjeje. Sipas reagimit të kësaj ministrie, shqetësimi i Partisë Demokratike nuk ka të bëjë me gjërat që prekin dhe duan qytetarët, por me një shqetësim të vetëm. “Kompania e Lulzim Bashës dhe e kunatit të tij, Erjon Isufi, nuk gëzon më monopolin 100 % të të gjitha aktiviteteve publike, ashtu siç bënte deri një vit më parë”, ka theksuar ministria në reagimin e saj.