Abuzime me milionat e naftës

785
Përparim HALILI

“Albpetrol” paguan 332 milionë lekë për marrje autoboti me qira, i riu kushton 82 milionë lekë
Skandal që provon përpjekjet e kupolës së naftës shqiptare, për të fshehur abuzimet, duke bllokuar auditin e Kontrollit të Lartë Shtetëror 
Një skandal financiar, jo i thënë me gojë nëpër kafene, por i shkruar me bojë në “Buletinin e Prokurimit Publik” Nr. 30, datë 31 Korrik 2017, “shpjegon” ndalimin e audituesve të KLSH për të mos kryer detyrën shtetërore dhe argumenton përpëlitjet e kompanisë shtetërore “Albpetrol”, për të bllokuar një proces auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, lidhur me aktivitetin ekonomik-financiare të kësaj kompanie, aktivitet i tjetërsuar në “kolektor” abuzimesh të shumta e të rënda me financat e buxhetit të shtetit, të ardhurat e kompanisë, pagat, shpërblimet, sigurimet shoqërore e shëndetësore, mbishpenzimet, likuiditetet, rinovimin e makineri-pajisjeve, tenderët, blerjet, transfertat, import-eksportet, koncesionet, deklarimin e shifrave të prodhimit, bilancin e “humbjeve teknike”, baza materiale dhe lëndët e para gjendje në magazinë dhe në librin e konsumit, shërbimet me privatët, koston e remonteve të puseve, kursin e shitjes së naftës dhe nënprodukteve të saj, kontratat e qirave. Aq siklet e tmerr përjetoi drejtuesi Endri Puka i kompanisë “Albpetrol”, sa arriti të fuste si “pykë” bllokimi të kontrollit edhe organet e drejtësisë, të cilat nuk lejuan KLSH të ushtronte detyrën në këtë kompani, me vendimin absurd: “Albpetrol” është në proces privatizimi dhe “trembet” blerësi! Me sa kemi dijeni mbi ligjet, para privatizimit bëhet një bilanc total dhe i imët i kompanisë dhe nuk shitet qesim “me copë” siç u tentua të shitej ilegalisht në vitin 2013 e siç janë shitur edhe kompani të tjera shtetërore! Nisur prej fakteve që disponojmë edhe për hajdutëritë dhe “qokat e rënda” të bëra në 4 vitet e fundit me pasuritë dhe financat e kësaj kompanie, mund të thuhet pa asnjë frikë prej presioneve të “brejtësit” që e komandon, se “Albpetrol” është tjetërsuar në një “landfill korrupsioni” 25-vjeçar e në vazhdim, të projektuar dhe realizuar prej drejtuesve partiakë e klientelistë, të vendosur në krye të kësaj kompanie me përzgjedhje për realizim aferash dhe “qepje” goje e në fund për dorëheqje “dinjitoze e të qetë”, të kërkuar nga shefat! Skandali që po publikojmë sot, ka vulë zyrtare të drejtuesit të “Albpetrol” dhe miratim të heshtur e të plotë të Agjencisë së Prokurimit Publik. Bëhet fjalë për marrje autoboti me qira për Qendrën e përpunimit të Naftës në Ballsh, nëpërmjet një tenderi me vlerë 332 milionë lekë për marrje autoboti me qira për 1 vit, ndërkohë që një autobot i ri kushton 82 milionë lekë! Përse duhet aplikuar tenderi qira, kur mund të blihet dhe të jetë në pronësi të kompanisë?! Janë qindra raste abuzimesh në miliona euro, të cilët do t’i publikojmë në vijim, duke i shoqëruar me fakte konkrete.
Ja njoftimi i marrjes me qira të mjetit auto-botë
1. Procedura e prokurimit: E Hapur me mjete elektronike 
2. Përshkrim i shkurtër i kontratës: Shërbimi i marrjes se mjeteve teknologjike me qira. 
3. Kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj nga data e lidhjes së kontratës. 
4. Fondi limit : 28,425,000 (njëzetë e tetë milionë e katërqind e njëzetë e pesë mijë) lekë pa TVSH. 
5. Publikime të mëparshme: Buletini i Njoftimeve Publike Nr. 19, datë 20 Maj 2017 
6. Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë “RIGTRANS” shpk , Fier me NUIS L13307401C se oferta e paraqitur, me një vlerë të përgjithshme prej 28,230,000 (njëzete e tetë milionë e dyqind e tridhjetë mijë lekë pa TVSH, është identifikuar si oferta e suksesshme. Rrjedhimisht, jeni të lutur që brenda 5 (pese) ditëve nga dita e marrjes/publikimit të këtij njoftimi, të paraqisni sigurimin e kontratës pranë Njësisë së Prokurimit Publik të Sha Albpetrol, QPN Ballsh, 7. Njoftimi i Klasifikimit është bërë në date 20.06.2017. 
Sigal