A përfundoi si “skrap”, dosja e 26 milionë eurove të TVSH së skrapit?

625
Ardit SINJA
Nëpërmjet shumë denoncimeve e provave të reja, që kanë ardhur ditët e fundit në redaksinë e gazetës “Telegraf”, si nga burime private dhe nga shërbimi tatimor në Tiranë e Elbasan, nga sektori i anti-krimit ekonomik-financiar nga zyrat e prokurorisë, nga “zëra” brenda botës së biznesit të skrapit dhe nga burime brenda kompanisë së falimentuar të kriminalizuar financiarisht e shkresërisht “Kurum”, flitet për një dosje që është trajtuar e mbyllur me klientelizëm, jo sikur nga buxheti i shtetit dhe taksat e shqiptarëve është zhvatur një “mal” me euro, por sikur është vjedhur një… “kec” në fshat! Bëhet fjalë për shqetësimin qytetar dhe për reagimin që del nga zyrat e drejtësisë e të administratës tatimore, por edhe nga “biznes moçali korruptiv” turk me emrin “Kurum”, ku nëpërmjet një grupi e në bashkëpunim palësh, “pastroheshin” letrat e biznesit fiktiv me bazë vjedhjen e shtetit, sikur në disa biznese fiktive grumbullohej e sikur “Kurum” çohej lëndë e parë prodhimi hekuri e çeliqesh në gjendje skrapi, por që në fakt nuk grumbullohej e nuk çohej asnjë kilogramë skrap.

 Përkundrazi, prej grupit prej 60 vetash të skeduar nga anti-krimi ekonomik-financiar, 14 të arrestuar, të mbajtur në burg e të lënë në arrest shtëpie dhe prej 45 të tjerëve të pa përmendur as si emra, bliheshin blloqe tatimore shitje-blerje me TVSH, liheshin adresa fiktive biznesi skrapi, firmoseshin e vuloseshin, bëheshin bilance fiktive blerje-shitje biznesi skrapi, bëheshin miratime po fiktive në tatime, bëheshin likuidime hajdutërore në banka e kështu vazhdonte ky krim deri sa u zbulua, i cili përfundoi me vjedhjen e 26 milionë eurove me TVSH me letra fiktive! Nuk e dimë, se si janë ndarë brenda e grupit dhe me shefat e zyrave të tatimeve ato 26 milionë euro që faktikisht janë sa 2 buxhete vjetore të Bashkisë së Tiranës, por dimë faktin që këto taksa shqiptarësh nuk i janë kthyer buxhetit të shtetit. Përkundrazi, banda e falsifikatorëve gëzon lirshëm jo vetëm pasuritë që kanë vënë edhe nëpërmjet këtij krimi e nëpërmjet aktiviteteve të tjera të paligjshme, por disa “firmëtarë letrash” edhe kanë dalë të “pastër” me letra prokurorie e drejtësie dhe vazhdojnë bizneset e aktivitetin e tyre, skandal për të cilin ka prova shkresore e argumente ekspertësh hetimi e drejtësie, se janë pjesë konfirmuese e “letrave të krimit 26 milionë euro të TVSH së skrapit, duke i paraqitur në tatime e banka si “letra të rregullta”! 

Nisur prej skandalit të katandisjes së dosjes së TVSH së skrapit, nisur prej fakteve që janë depozituar, paralelisht duke publikuar “lëshimet” hetimore për këtë dosje, gazeta “Telegraf” do t’i kërkoj zyrtarisht edhe Ministrit të Drejtësisë, të nis hetimin mbi këtë dosje me kupolë drejtuese Kurum-in dhe struktura drejtuese në tatime, që realizuan vjedhjen dhe zhdukjen 26 milionë euro taksa shqiptarësh me ca “fije” blloku tatimesh, të blera në tatime, të legalizuara në kupolën e tatimeve dhe të përdorura në bankë! Nuk është rasti i parë, që mbyllen skandale vjedhjesh miliona euro nëpërmjet TVSH me biznese fiktive e me rimbursime ilaçesh, me TVSH hekuri nga “Kurum”, me TVSH import-eksportesh mallrash, produktesh ushqimore etj. Janë miliona euro që i janë zhvatur shtetit dhe drejtësia i ka trajtuar e i ka mbyllur si “gabime llogarie kamarierësh”, apo si “pakujdesi e gabim njerëzor”, ose “për mungesë provash” e me disa dënime “disiplinore”, kur provat ia bëjnë “MU” mbi letra me firma e vula! Po cilët janë njerëzit? A janë kthyer milionat e vjedhura në arkën e shtetit? A u hetua se ku përfunduan psh., milionat e rimbursimit të ilaçeve, milionat e TVSH së hekurit e të importit, apo blerjes fiktive të 60% të skrapit prej “Kurum”, siç ishte edhe historia e dosjes së skrapit të 28 shtatorit 2014, kur u zbulua se me letra false u rimbursua TVSH në vlerën 26 milionë euro, krim për të cilin “Kurum” nuk u përmend e nuk hetua, ashtu si shumë personazhe të këtij krimi, të cilët u nxorën jashtë hetimi, ose u nxorën të pafajshëm! Në vijim, gazeta “Telegraf”, do të zbardh të plotë këtë krim financiar, duke e nisur me pyetjen: A përfundoi si “skrap”, dosja e 26 milionë eurove të TVSH së skrapit? 
Sigal