A ka bazë që Enti Rregullator i Ujit ta miratojë Vendimin e Këshillit të Bashkisë Tiranë?

683
Ing. Qerim Ismeni 
Vendimi/ Lali Eri propozon rritjen e çmimit te ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës. Këshilli Bashkiak Tiranë e miraton ‘Propozimin’!
Propozimi për rritjen e çmimit të ujit nga 45 në 65 për metro kub me argument : Duam të bëjmë Investime u miratua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë të datës 26.07.2017 ku spikati Kryetari i Bashkisë me akrobacitë tij, duke blerë votën e dy këshilltarëve nga partitë e opozitës. Gjë e lehtë për Lali Erin rritja e çmimeve mqs paga e tij dhe ndihmësve të tij me siguri nuk e ndjen, se në të kundërt dikush nga ndihmësit do ti thoshte, Eja në vete, çfarë po thua Lali! Sa kaq, dua të them se diferenca në pagë presupozon që figura e të zgjedhurve të popullit të mos përçmojnë zgjedhësit e tyre. Sipas standardeve ndërkombëtare norma mesatare e përdorimit të ujit në familje është 80 deri në 120 litra për banor në ditë ose afër 15 m3/muaj /familje . 

Deri më sot një familje me 4 anëtarë paguan : 30 ditë x 0.12 m3/ditë x 4 anëtarë x 45 lek/m3 = 648 lek; shto këtu dhe pagesën për ujin e përdorur 14.4 x 11 lek/m3 si dhe tarifën fikse kemi 906.4 lek . shto dhe TVSh-en – 20 % kemi 906.4 x 1.2 = 1087.7 lek/ muaj. Me tarifën e re me 65 lek/m3 dhe tarifë fikse 200 lek pagesa rezulton 1553.28 l/muaj që do të thotë plot 43 % rritje, dhe se referuar pagës minimale në nivel kombëtar do të thotë 1553.28 : 24000 lek/muaj baras me 6 % të saj ose 130 % më tepër se limitet e vendosura nga OKB-ja. Kjo do të thotë se ju, i nderuar, që jeni krye qytetari i Tiranës bashkë me këshilltarët tuaj po shkelni me dy këmbët Deklaratën mbi të Drejtat e Njeriut, të miratuar që me 8.12.1948, të plotësuar në vijim me Rezolutën e OKB-së mbi të drejtat e Njeriut për Ujin e Pijshëm të ratifikuar nga parlamenti Shqipërisë me 24.03.2011 në bazë të cilës fatura e ujit të pastër e të pijshëm nuk duhet të kalojë vlerën e 4.6 % të pagës minimale të vendit. Më duket se keni hyrë në “ara të huaja”- po shkelni Ligjin nr. 9915 dt.12.05.2008 “Për Kuadrin Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe ….”- Neni 14 –sipas të cilit, të drejtën e vendosjes së çmimit të ujit e ka Enti Rregullator i Ujit (ERU)-ja. Për çfarë fola deri më tani është njëra anë e medaljes. 

Ana tjetër është ku ndodhemi ne Gjeografikisht, ku është Tirana – në Ultësirën bregdetare të Shqipërisë apo mes shkretëtirës së Saharasë që nuk arrin të sigurojë ujë për popullin e vet me kosto brenda standardeve botërore. Mesa duket ju, i nderuar lali Eri, ju janë errur sytë nga shkëlqimi i sheshit, vjedhja e hapur që ju bëre qytetarëve të Tiranës me ngritjen e çmimit të urbanit dhe se në inerci kërkoni edhe këtu të bëni një vjedhje tjetër më të madhe nëpërmjet privatizimit apo koncensionimit sipas modelit të PPP-së, qe do të bëni më pas. Me sa duket ju mendoni se gjithë qytetarët e Tiranës i kanë të plotësuara të gjitha nevojat për ushqim, strehim, arsim, shëndet të garantuar dhe se nga mëngjesi në darkë ju gëzohen sheshit e gurëve që keni sjellë në të. I nderuar z. Kryetar! Ju jeni Krye aksioneri i UKT dhe prandaj do ju pyesja – a e dini sa janë humbjet në rrjet, a e mban mend se (një rast të veçantë po të sjell në vëmendje) – vitin e kaluar para Parlamentit një rreke uji i pijshëm në sasi afër 2-3 litër/sekondë – baras me nevojën e 2 deri në 3 mijë banorëve ka rrjedhur për më se 4 muaj, ju kujtohet edhe deputetëve se kanë “freskuar këmbët” në të dhe se UKT-ja nuk e shihte, po rrjedhjet e tjera apo lidhjet e paligjshme që më se shumti bëhen po nga punonjës të UKT-së? I nderuar z. Kryetar – Humbjet në ujësjellësin e Tiranës janë në nivele mbi 65 % , në shumë raporte gjendet shifra 67 % , bile edhe në atë të Entit Rregullator të Ujit të Janarit të 2017-ës. Unë mendoj se nuk është normale për një Kryetar Bashkie që ka një emër të përveçëm që të kërkonte rritje të çmimit të ujit. I nderuar z, Kryetar, dukeni sikur qytetarët për ju janë thjesht numra, lëndë e parë për t’na shfrytëzuar ju së bashku me ato, që të komandojnë, na vlerëson sikur të gjithë e kemi mendjen tek diskot e gurët apo lulet që na ke sjellë te sheshi “Skënderbe”, por nuk është ashtu, është punë tjetër se ju jeni i Fortë e nuk pyesni për qytetarët. Mos u mundo të na mashtrosh kaq hapur me “Rrjetin Kulluese Makaronash” Rrjeti i shpërndarjes është rinovuar pothuajse plotësisht gjatë këtyre 26 viteve. Sipas ERU-së nga viti 1995 deri në 2017 janë realizuar 2374 tenderë për 72 ujësjellës nga ku 5 janë të mëdhenj dhe janë shpenzuar 190 mln. Dollarë e 274mln. Euro – dmth afër 455 mln Euro ose 162 Eu/banor në mesatare që, duke llogaritur që për 21% të popullatës pa akses në ujë të rrjedhshëm në tubacion –rezulton që të jetë investuar afër 205 Eu/banor ku me siguri Tirana ka marrë më shumë. Përderisa deri më sot nuk kemi parë ndonjë ish kryetar bashkie në burg për shpërdorime apo vjedhje në bashkëpunim me kompanitë fituese të tenderëve ne ujësjellësin e Tiranës , – nuk duhet pranuar asnjë argument për rritje çmimi të ujit. Dua t’ju sjell në vëmendje se, ne qytetarët nuk i kemi harruar vendimet e njëpasnjëshme në dëm të shumicës e në favor të pakicës si Reforma e pensioneve, rritja e çmimit të Urbanit, taksa e jashtëligjshme e Arsimit, taksa e parkingut në oborret e pallateve, taksa e banesës etj. Natyrisht e kuptoj se e keni mësuar mirë parimin se, sa më rëndë të ngarkosh Mushkën aq më mirë ecën, por nuk e di! Megjithatë shpresoj se në radhë të parë nëpunësit (teknikë) të ERU-së) dhe anëtarët e këtij enti të miratuar nga parlamenti do të ruajnë integritetin e tyre personal e institucional. Në sa më sipër do ju drejtohesha me thirrjen (kërkesën )- që të mos miratojnë vendimin e Bashkisë Tiranë për rritje të çmimit të ujit sepse është një vendim i jashtëligjshëm dhe i mbështetur në argumente të pasaktë dhe qëllim keq. Çdo rritje çmimi për ujin për Tiranën nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse me togfjalëshin “Të paguajnë qytetarët për të vjedhur pushtetarët” ose me shprehjen e popullit “Zullumet e priftit, i paguan fshati”. I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë !-mjaft më, reformave varfëruese mbi këtë popull. Investimi më imediat në UKT duhet të jete disiplina dhe vetëm disiplina, pra Shfrytëzim me eficiencë të burimeve, në radhë të parë atyre njerëzore, pastaj atyre monetare e material ekzistuese dhe se vetëm pasi të arrihen treguesit optimal , të jenë gjetur miliona Euro të shpenzuara për rrjetin e shpërndarjes – atëherë mund të flitet për investime. Vetë fakti që ju i nderuar kryetar patët para për sheshin, por nuk keni për ujin që hyn në të drejtat elementare te njeriut, patët para për sheshin, por nuk keni para për shuarjen e zjarreve – tregon se nuk jeni i sinqertë me popullin që të ka besuar atë detyrë. I nderuar z. Kryetar ! -Ju po pretendoni se po qeverisni mirë, bëni edhe dëgjesa publike, por dua t’ju them se popullsia në nivel varfërie, që nuk është pak, por afër 40% nuk mund të kursejë ujin për nevojat sanitare e ju të talleni me taksa e mbitaksa të vendosura me ligj e paligj për t’i shpenzuar për mobilim zyrash, për gurët e sheshit apo mbathjet rozë për pishat e bulevardit. Kjo është një hipokrizi e gjallë. Sa më sipër i nderuar z.Kryetar do të kërkoja nga ju që të tërhiqeni nga ky vendim . Tërheqja për ju do të ishte më shumë fitore, se sa humbje –sepse nga vetë debati që nxitët – Ujësjellësi do të shkundet e do të përmirësoj punën.
Sigal