A janë të qëndrueshme marrëveshjet me shtetet kufitare?!

617
Sigal

Harallamb KOTA

Studiues

Manovrat e dështuara të diplomacisë shqiptare

Kryeministri Rama po kënaqet me veten e tij dhe po mendon se po bën politikën e madhe ballkanike, evropiane, dhe ndoshta botërore.

Enverit, asokohe iu mbush mendja se komandonte lëvizjen komuniste botërore. Pasi shpartalloi Titon, Hrushovin e Mao Ce Dunin, e “mprehu shpatën edhe njëherë për situatën” dhe pasi asgjësoi “armiqtë e partisë e të popullit”, e izoloi Shqipërinë nga “bota imperialiste-revizioniste” duke e katandisur popullin shqiptar në mjerim e skamje. Politikanët e rinj që drejtuan “revolucionin demokratik”, e qeshën Enverin duke bërtitur rrugëve e mjediseve të mbushura me popull, adoleshentë e rini dhe e shanë: “komandant na mori malli…..etj, etj..”, por, sa u ngrohën në “pëqinjtë e pushtetit” ndoqën gjurmët e “udhëheqësit komunist”, duke stimuluar “luftën e klasave” kundër fjalës së lirë dhe lirisë së angazhimit politik, kundër kundërshtarëve ideologjikë, mediave, shtypit dhe gazetarëve. Nuk mjaftoi me kaq por gjërat shkuan edhe më keq. Shoqëria shqiptare e kontrolluar nga regjimi komunist për gati pesëdhjetë vite, u gjend pa pritur e pa kujtuar në “oazin” e një liberalizmi të tejskajshëm që përfundoi në një sistem “rumpallhane”. Dhuna dominoi mbi ligjin. U shkatërrua gjithçka ishte ndërtuar dhe qindra mijëra shqiptarë të mbetur pa punë dhe pa shpresë emigruan me një eksod biblik. Skeptikët e ndryshimit, të ndrydhur qosheve dhe të skrupull në mjediset familjare ngrinin zërin e mekur e përsërisnin shprehjen e famshme: “Po me urën ç’patët?!” Për të kapërcyer situatat e krijuara nga qeveritë paraardhëse, kryeministri Rama ndërtoi “platformën e vetëqeverisjes” dhe e shpalli grupimin e ri politik “Rilindja”, duke synuar edhe bashkimin e Tiranës me Prishtinën për qeverisjen dhe përkrahjen e shqiptarëve të kudondodhur. Takimet diplomatike të kryeministrit Rama me kryeministrin e Serbisë Vuçiç dhe kryeministrin e Greqisë Cipras, u përkrahën nga aleatët euro-amerikanë duke i konsideruar kontribute për stabilizimin e Ballkanit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis shteteve kufitare. Por a ishin të sinqerta lëvizjet diplomatike të kryeministrit Rama lidhur me çështjet kufitare Kosovë-Serbi dhe Shqipëri-Greqi? Duhen prurë në vëmendje mjaft fakte historike lidhur me tentativat e udhëheqësve shqiptar (që drejtuan “Lidhjen e Prizrenit”më 1878, shtetin e shqiptarëve të krijuar më 28 Nëntor 1912 dhe shtetin e dytë më 17 Shkurt 2008), për fqinjësi të mirë me shtetet kufitare ballkanike dhe krijimin e një fryme mirëbesimi e respekti reciprok. Por a ishte i njëjtë edhe synimi i tyre?! Faktet tregojnë se shqiptarët kanë toleruar në vazhdimësi dhe toleranca e tyre është shfrytëzuar për dobësi nga nacionalistët, serbë, bullgarë, malazezë e grekë. Historianët, studiuesit, ideologët, politologët dhe diplomatët e shquar shqiptarë kanë botuar një seri me libra dhe artikuj të shumtë; lidhur me trojet shqiptare të lëna jashtë shtetit shqiptar pas vitit 1913, çështjet kufitare të pretenduara nga shtetet fqinje në dëm të territorit shqiptar e të pakicave kombëtare, si dhe çështjet e popullsisë shqiptare jashtë “shtetit shqiptar” të keqtrajtuar dhe të dëbuar nga trojet e tyre në Kosovë, Çamëri, Mal të Zi, Maqedoni etj., në shtete të tjera në Turqi, Shqipëri, Gjermani, etj. Projekt-Marrëveshjet apo Marrëveshjet e lidhura nga qeveritë shqiptare me qeveritë greke, jugosllave, bullgare, malazeze dhe tashmë me atë serbe, zbatohen vetëm nga ana jonë dhe shtyhen në “kalendat greke” nga ana e tyre. Kështu ka ndodhur, kështu po ndodh edhe me ty z. Rama dhe do të ndodhë vazhdimisht. Marrëveshjet kanë qëndruar, do të qëndrojnë dhe do të zbatohen nga palët, kur arbitër ndërkombëtar do të jenë përfaqësuesit e qeverisë amerikane. Mos të të gënjejë mendja z. Kryeministër, por bindju filozofisë së “Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, pasi Naim Frashëri, poeti ynë i madh ka thënë: “…drita lind andej nga perëndon”.

Ideologu Rama, kërkon partneritet me BE e SHBA, por në fakt “timonin e ka kthyer tërësisht nga lindja” dhe është zhyer kokë e këmbë në “tepsinë orientale”.

Po citoj një fjalë të urtë popullore: “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhinë”. Kujtoj, se politika e Shqipërisë, sado shtet i vogël është, nuk bëhet mbi bazën e parimit që citova më sipër, por me gjakftohtësi dhe interes të vendit dhe popullit që të ka zgjedhur ta qeverisësh. Shtetet evropiane të vogla dhe të mëdha janë kompaktësuar brenda Bashkimit Evropian dhe kanë marrëdhënie miqësore e të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ç’farë ndodh me politikanët shqiptarë lidhur me orientimin e tyre dhe qëndrimin e palëkundur midis lindjes dhe perëndimit?! Lajmet e shumta lidhur me takimet e politikanëve shqiptar me diplomacinë amerikane, dhe gjermane si dhe prezenca e tyre në Shtëpinë e Bardhë dhe në Bruksel, u përshëndet nga populli shqiptar, pasi garantonin sovranitetin e shtetit të tyre dhe mbështetjen në zhvillimin ekonomik. Mirëpo takimet e vazhduara për show mediatik dhe përfitim politik të kryeministrit shqiptar me homologët serb e grekë dhe mënjanimi i takimeve me kancelaren gjermane e presidentin amerikan, kanë krijuar shqetësime të mëdha brenda popullsisë shqiptare në Shqipëri e Kosovë. Edhe më shqetësuese janë lidhjet e forta morale, ekonomike dhe strategjike me shtetin turk, me qëndrime të theksuara kundër BE dhe SHBA. Z.Rama, populli shqiptar është i vendosur në miqësinë e sinqertë me popullin amerikan dhe lidhjen e ngushtë midis dy qeverive e dy shteteve. Zoti kryeministër mos devijoni nga orientimi euro-amerikan. Është e kuptueshme fakti që ekonomitë perëndimore janë serioze dhe marrëveshjet e lidhura midis qeverive e shteteve përkatëse janë korrekte dhe të bazuara në përfitimet reciproke. Pra, nuk lenë shteg për përfitime private e individuale. Kjo është “nyja gordiane”, shkaku që i largon përfaqësuesit e qeverive shqiptare nga perëndimi korrekt dhe i afron me lindjen orientale ?! Investimet në ekonominë shqiptare, tenderët, koncesionet dhe përqendrimi i kapitalit në duart e “oligarkisë financiare”, janë tregues tronditës për perspektivën e varfërimit të shqiptarëve. Rritja e Borxhit publik dhe përdorimi i kapitaleve financiare në investime dytësore apo për të mbuluar shpenzimet dhe humbjet nga administrata shtetërore dhe institucionet financiare, zbulojnë haptazi synimin e qeverisë “të shtyjmë sa të shtyjmë” sa jemi në pushtet. Populli ka kurriz dhe ai gjithnjë mban. Deri kur klasa politike dhe qeveritarët shqiptar do të orientohen kundër vullnetit të popullit shqiptar dhe platformës shtet-formuese të “Rilindjes Kombëtare Shqiptare” ?!. Ndoshta një aspekt i korrigjimit të këtij kursi “antishqiptar” dhe i fillimit të luftës kundër korrupsionit, pastrimit të drejtësisë, të qeveritarëve, deputetëve dhe i politikanëve me “duar të pista”, është “Reforma në Drejtësi”.

Qeveria i ka duart e Pastra

Kryeministri Rama dhe Portali “Shqipëria që Duam”

Manovrat e emisarëve të kryeministrit për t’u paraqitur “administratorë me duar të pastra” po iu del boja dhe po denoncohen çdo ditë. Pushteti i socialistëve është bërë arrogant, imponues dhe djallëzor. Ministrat, drejtorët e institucioneve Qendrore e Lokale po tentojnë të kapin drejtësinë dhe t’i imponojnë asaj vullnetin e tyre arrogant e antiligjor. Në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, punohet shkel e shko. Mjerë qytetari që paraqitet në sportelet e tyre për të lidhur “Pensionin e Pleqërisë” pasi odisea e shkresurinave dhe e kontakteve me inspektorët nuk mbaron. Një inspektore e re në moshë, duke qeshur të thotë: – Xhaxha unë po të ndihmoj …..Xhaxhai një burrë fisnik dhe i duruar ia ktheu: -Nuk kërkoj ndihmë, kërkoj që të kryesh detyrën e nëpunësit që paguhesh dhe merr rrogën nga shteti etj.,…etj. Marrim një shembull tjetër: Ministria e Transporteve dhe Autoriteti i Administrimit Rrugor, e kanë kthyer autostradën Tiranë-Durrës “një varkë peshkimi që tund e përkund automjetet që lëvizin përgjatë saj”. Drejtori i këtij autoriteti z. Afrim Qëndro pasi përmbyti “Tiranën e Re” nga hapja e Digës së Liqenit Artificial, tashmë i ka kthyer rrugët në “lumenj me dallgë” nga mballomat e asfaltuara keq e mos më keq. Edhe Institucionet e tjera qeveritare, për shembull Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes Territorit apo Portali “Shqipëria që Duam”, nuk funksionojnë siç propagandon Kryeministri, sipas ligjeve në fuqi dhe parimeve të së drejtës kushtetuese, por me allishverishe për të “goditur armiqtë apo kundërshtarët politikë dhe për të mbrojtur miqtë apo të afërmit e tyre”.

I nderuar miku im. Ka shumë për të thënë, por po e lemë për njëherë tjetër. Populli thotë: “Merre me lëng se mishi u mbarua”.