A janë njëlloj fjalët “dashuror” dhe “dashnor”?

2344
Sigal

Nga Sevo Tarifa

Është një pyetje, së cilës i jepen dy përgjigje: “Po” dhe Jo”. Me “po”, që janë njëlloj, me “jo”, që ndryshojnë. Në të vërtetë keto dy fjalë të përbashkët kanë dy rrokjet e para “dashu”, por rrokja e fundit “uror” dhe “nor” u jep tjetër kuptim, u ndryshon tërësisht përmbajtjen. Këtu nuk është fjala thjesht gjuhësisht, te dy rrokjet e fundit, por te ndryshimi esencial, rrënjësor i dy fjalëve “Dashuror” dhe “dashnor”.

Nuk duhen ngatërruar as barazur këto dy fjalë, sepse  nuk janë njëlloj. Kur burri ka gruan e tij të dashur dhe shkon me një grua tjetër, krijon lidhje intime, si me gruan e tij, atëherë kjo grua e dytë është dashnore, ose siç thuhet, “mikeshë” e tij. Për analogji, një grua që ka burrin e saj dashuror dhe krijon lidhje intime me një burrë tjketër tjetër, këtë të fundit e ka dashnor, se dashuror ka burrin me të cilin është martuar, ndoshta kanë bërë dhe fëmijë.

Në themel të dashurisë së vërtetë qëndrojnë sinqeriteti dhe besnikëria e ndërsjelltë midis burrit dhe gruas. Në përgjithësi morali ynë i shëndoshë nuk e pranon lidhjen jashtëmartesore të burrirt me grua tjetër, dhe anasjelltas, i konsideron këto tradhti bashkëshortore. E kundërta ndodh me moralin borgjez, ku kjo lidhje jashtëmartesore nuk bën shumë përshtypje. Por era e liberalizmit borgjes që fryn sot në vendin tonë çon në lidhje  jashtëmartesore këtë ose atë burrë e grua. Analiza gjen edhe shkaqe të ndryshme: kur burri e gruaja janë larg njëri-tjetrit për një kohë të gjatë, kur ka të çara në marrëdhëniet midis tyre, kur njëri ose tjetri tërhiqet nga dikush që i pëlqen më shumë; kur ndodh që burri bëhet impotent, tjetra ose rtjetri hiperseksual etj.  Prandaj, forcimi i dashurisë së sinqertë burrë-grua çon në forcimin e familjes.

Marrëdhëniet me dashnorë nuk lindin githnjë menjëherë. Kalojnë në një proces. Shenjat e para janë ato që në gjuhën juridike quhen “Vepra lluksuri”. Ky burrë apo ajo grua  nisen duke parë njëri- tjetrin sy më sy dhe vazhdojnë: një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një kompliment i tepruar, një dhuratë e papritur, një shtrëngim dore, një gotë pije, një kafe, një përqafim, një  puthje dhe pastaj… “Drita që të lëshon syri/ më verbon apo më flet…/ Dallgën që të fryn te gjiri/ vetëm deti mund ta ketë”  (Izet S. Çulli)

Por nuk ngjet gjithmonë kështu. Ka që procedojnë më shpejt, shkojnë drejt e “në thela”… Në marrëdhënie prej dashnori kanë rënë edhe personalitete të lartë, që s’ta merr mendja, të cilët tregojnë nga “përvoja” e tyre, ose kanë shkruar letra dhe këto u janë gjendur ose janë botuar pas vdekjes së tyre. Në letrën e njërit thuhet: “Nëse një burrë i shkruan letër adhuruese një gruaje, ai po përgatit terrenin, mbi të cilën më vonë do të synojë t’i prishë mendjen. Dhe nëse gruaja i mban fshehura këto letra, këtë e bën ngaqë fshehtësia e sotme ka lidhje me aventurën e nesërme. Nëse i ruan më tepër këto letra, do të thotë se ajo grua është gati ta jetojë këtë aventurë të ardhshme si një “dashuri”.

Një tjetër e shpreh copë: “Unë kam pasur letërkëmbim me një grua dhe ishim bërë gati të festonim vitin e parë të letërkëmbimit tonë. Asaj i dukej sikur më në fund ia kishte behur çasti që ta takonim drejtpërdrejt shoqi- shoqin. Në letrën e fundit ajo më drejtohet për herë të parë me “ti” dhe ka psherëtitur…”

Po kështu edhe një tjetër, shkruan: “Duke bërë hapin e gabuar të tradhtisë, hyra në një rrugë ku çdo hap tjetër, qoftë ky në thelb edhe i ndershëm, për mua bëhet i pandershëm. Kjo rrugë për mua ishte drejt greminës”. Kurse në një “letër dashurie” shënohet dhe figurativisht: “Fjalët më përndizeshin në kokë, aq sa këtë dashnore zura ta thërres: syri im i prushëzuar, buzët e mia njomëzake, nisa ta krahasoja me vesën e mëngjesit, kuvendoja me të për gjëra fsheharake, të trishta e imtësore”. Fillesat me dashurorë apo dashnorë i gjejmë në dy periudha:

Paramartesës. Për këtë periudhë e ka fjalën një shkrimtar i huaj, i cili tregon per veten e tij: “Për herë të parë në jetën time të vrullshme, po flija dhe po zgjuhesha me të njëjtën grua. Kënaqësia që të shtyn drejt së resë kishte bërë që dikur, pa u menduar shumë, t’i zëvendësoja me shpejtësi dashnoret”.

Pas martesës, kur burri ka gruan e vet dhe lidhet edhe me një tjetër, dashnore, ose gruaja ka burrin e saj dhe lidhet me një dashnor. Njëri ose tjetri marrin iniciativën, të përsëritin lidhjet e paramartesës, siç shkruhet në një roman: “Ajo mori e para iniciativën dhe iu dha atij pa frikë, pa dhimbje, me ngazëllim e me aventurë deti. Të dy kaluan mirë, gati si një mrekulli dhe vazhduan ta kalonin mirë netëve e ditëve që pasuan dhe merreshin vesh si dy dashnorë të vjetër”.

Shkurt, ku ndryshon dashurori nga dashnori? Kësaj pyetjeje i përgjigjet një seksolog: “Ndryshimi midis gruas dhe dashnores, është se me gruan shtrihesh në krevat pa ndjenjën e epshit. Martesa është ndjenjë pikërisht, sepse në të epshi zbehet. Gratë e talentuara për dashuri janë skllave të saj. Ato janë dashnore të shkëlqyera, por bashkëshorte të papërshtatshme. Trajtoje dashnoren si gruan tënde dhe ajo ka për t’u larguar, trajtoje gruan tënde si dashnore dhe ti do kesh në shtëpi një të dashur të vërtetë”.

Ata ose ato që kanë dashurorë dhe dashnorë, u duket sikur kalojnë çaste “qejfi”, sikur janë në një kopsht gjithë lule, në një punishte me ëmbëlsira, por vjen një ditë që aventura e tyre del në shesh dhe atëherë, ato çaste u dalin nga hundët e, në vend të ëmbëlsirave me sheqer, i  kanë dhënë vetes ëmbëlsira me zeher apo me piper të zi ose të kuq. “Kënaqësia është e pandarë nga dhimbja”- thoshte Sokrati i lashtësisë.