A është shqipja “kushërirë” me anglishten?

2865
Sigal

Përparim Rexhepaj

Shqipja është degë e veçantë në trungun e gjuhëve indoeuropiane, pa qenë pjesë e ndonjë grupi/familje të madhe, si ato gjermanike, sllave e latine. Por një numër përkimesh të shqipes me anglishten, mund të dëshmojnë lidhje të hershme të parailirishtes ose ilirishtes së lashtë (paraardhëse e shqipes) me grupin e gjuhëve gjermanike. Këtë e ka vënë në dukje edhe Eqerem  Çabej, kur përmend “ lidhjet e ngushta të shqipes me disa gjuhë të Evropës veriore (baltosllavishtja, gjermanikishtja, keltishtja)”. Mbase, parailirishtja ose ilirishtja kanë pasur kushërinj të afërt, jo si shqipja, bija e saj, e mbetur e vetme.  Përkimet e fjalorit të shqipes me anglishten i kanë vënë re fillimisht disa udhëtarë anglezë. Njeri prej tyre, Henri Swinburn (Henri Swinburn), në vitet ’70 të shekullit XVIII, bëri disa vizita në Italinë e Jugut, ku pati kontakte  me arbëreshët e Kalabrisë. Në një kapitull të veçantë të veprës së tij “Udhëtime në dy Siçilitë”, ai jep disa mendime të shkurtra për shqipen. Swiburn habitet që disa fjalë të gjuhës angleze përdoren në të njëjtin kuptim edhe në gjuhën shqipe, por pa dhënë shembuj konkretë. Atij i bëri përshtypje edhe shqiptimi i ngjashëm grykor tek shqipja dhe anglishtja (Shpëtim Mema “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Tiranë, 1988). Për Bajronin, i cili njihet për  kontaktet e shumta me shqiptarët dhe arvanitët, gjuha shqipe tingëllonte si kelte. Duke parë fustanellën, që mbanin veshur shqiptarët dhe arvanitët, tiparet e trupit dhe fytyrës, Bajroni thekson se ata janë shumë të ngjashëm me banorët e maleve të Skocisë. Me shpresën se nuk do të biem në pozitën e shpjegimeve amatore, po japim disa shembuj të përkimeve leksikore të shqipes me anglishte, pa pretenduar vërtetësinë e plotë të tyre. Po e fillojmë me përemrin dëftor, Ju, që në anglisht shqiptohet njësoj (Ju), por shkruhet You. Këtë e ka evidentuar për herë të parë Ismail Kadareja tek novela e tij e njohur “Muzgu i perëndive të stepës”.  Në gjuhët kryesore evropiane, nuk evidentohet kjo formë e e këtij përemri, me përjashtim të shqipes dhe anglishtes, me ndryshimin se anglishja e përdor në veten e dytë njëjës dhe shumës, kurse shqipja-vetëm në vetën e dytë shumës. Fjala shqip, qaj, forma dialektore veriore -kjaj, çamërishte -klan, ka gjegjësen në anglisht -cry (kraj). Don’t cry. Mos qaj. Pra, shumë e ngjashme nga shqiptimi dhe kuptimi. Fjalët shqipe me dekë, vdekje, etj.  kanë gjegjëset tek fjalët anglisht dead, death, etj. ( I kemi veçuar këto fjalë sepse na duken më kryesoret nga moria e sinonimeve, që kanë të dyja këto gjuhë për këtë dukuri). Shihet qartë se rrënja e tyre e përbashkët është de. Vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze fjala me dekë është njësoj, në ndryshim nga gjuhët e tjera evropiane (neolatine, gjermanike, sllave,  etj.) që përdorin fjalët mort,  mërtv, Tod etj. Italishtja ka  fjalën decesso-vdekje (e përdor edhe anglishtja, me siguri të marrë nga latinishtja ose frëngjishtja), por ajo nuk ka çerdhen e vet të fjalëve në italishten e sotme, si  fjala mort, që përdoret si emër, mbiemër, folje e ndajfolje. Sipas Sami Frashërit,  gjuha latine ka marrë mjaft fjalë nga etruskishtja, e ngjashme me ilirishten, prandaj sipas tij, kjo është një nga arsyet e ngjashmërisë së një togu të fjalëve shqipe me latinishten. Në shqipe përdoret fjala mort, por vetëm si emër dhe jo si folje, mbiemër, ndajfolje, gjë që tregon se  kjo fjalë është e huazuar vonë në shqipe nga latinishtja, pasi ajo nuk ka mundur të krijojë çerdhen e vet të fjalëve. Thuhet, p.sh i shkuan në mort, e hëngërt mortja, por nuk thuhet morti (për vdiq), i mortuar (për i vdekur), etj. Një shqiptar i thotë syrit sy, si, kurse një anglez thotë see-sii ( me shikue). Edhe fjala anglisht show shpjegohet fare mirë me shqipen shoh, dukje, shfaqje. Fjala shqipe nesër duket se ka shumë ngjashmëri me fjalën angleze nextday (nekstdej) e që përkthehet nesër, dmth dita pas ditës së sotme. Shqipja ka fjalën nesërdej, e përdorur në të folurën e jugut të Shqipërisë, që duket se nga shqiptimi dhe kuptimi është si nextday. Shqipja ka ruajtur edhe formën më të shkurtër të  fjalës nextday tek gjegjësja “Nesër”, që është ruajtur në formën më të vjetër tek arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë, si “nestër”.(Emanuele Giordano-“Fjalor i Arbëreshëve të Italisë”, 1963 dhe “Netët pellazgjike” të Ardjan Klosit). Me kalimin e kohës, sipas ligjeve të fonetikës së shqipes së sotme, me prirje të shkurtojë fjalën, k-ja ka rënë dhe tani shqiptohet nesër.  Intriguese duket edhe ngjashmëria e pjesës mohuese në shqip dot me gjegjësen në anglisht don’t. Ne shqiptarët përdorim nganjëherë dy fjalë mohuese ose pohuese për të theksuar mohimin apo pohimin e një veprimi apo mendimi. P.sh nuk e bëj dot. Pra, dy fjalë mohuese nuk dhe dot. Të trashëgohet fare. E vrau fare. Pjesëza Dot duhet të jetë një reminishencë në shqip e fjalës anglisht don’t, që përdoret për të theksuar mohimin. Disa gjuhëtarë e shpjegojnë këtë pjesës, si një fjalëz parazite, pa kuptim, por gjuha është një organizëm i gjallë që nuk mund të pranojë të mbajë gjëra të kota dhe që nuk i shërbejnë. Lista e fjalëve të ngjashme është e konsiderueshme. Po citoj disa prej tyre, duke vënë në fillim fjalën shqipe dhe pastaj atë anglishte, pa dhënë shqiptimin në anglisht, pasi supozoj se lexuesi ka një nivel minimal njohurie: darkë-dark (errësirë), shko-go, çun–son(bir), cullt-child (a pa ta hanë bukën cullt), përrua-brook, edhe–and, burrë-boy, grua- girl, mëngjez-morning, derë-door, mjaft-enought, frikë-fear, një fije-few, i marrë-mad, midis-middle, natë-night, pjek-bake, pite-pie, rrënjë-root, besoj-belive, etj. Duke qenë se shqipja dhe anglishtja i përkasin trungut indoevropian dhe se të dyja këto gjuhë kanë pasur ndikime të ndjeshme nga latinishtja, është e natyrshme që do të kenë përkime leksikore mes tyre. (Gjuhëtarët e klasifikojnë anglishten si 40 për qind gjermanike, 40 për qind latine dhe vetëm 20 përqind autoktone, brite). Fjalori i shqipes është i ndikuar edhe nga gjuhë të tjera për shkak të kontakteve historike, territoriale apo bashkëjetesës së shqiptarëve me popuj të tjerë, si me rumanishten, latinishten, turqishten, sllavishten. Por ajo ka përkime edhe me gjuhët balltike, armenishten, iranishten etj. Nëse përkimet leksikore të shqipes me rumanishten, latinishten, sllavishten apo turqishten janë të shpjegueshme, për shkak të afërsisë gjeografike ose lidhjeve historike, këtë nuk mund ta themi në rastin e anglishtes, por edhe te gjuhëve baltike, armenishten, etj. Ka autorë që supozojnë se fise anglo-saksone, që banonin fillimisht në perëndim të Gjermanisë, në Saksoninë e sotme  dhe që andej pushtuan jugun e Anglisë, në një periudhë të parahistorisë kanë jetuar pranë fiseve parailire, të vendosur në juglindje të Gjermanisë, pas mbërritjes së tyre nga veriu i Evropës. Eqerem Çabej, në konferencën e parë të studimeve albanologjike (Tiranë, më 15-21 nëntor 1962), në kumtesën e tij: “Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe”, trajtoi edhe opsionin e prejardhjes se ilirëve nga viset e Evropës Veriore ose më saktë djepin paraballkanik të shqiptarëve, duke vënë në dukje karakterin relativ të autotoktonisë së ilirëve, ashtu siç ka ndodhur edhe me popujt e tjerë në Evropë. Sipas Çabejt “Çështja e lidhjeve të afërsisë, si një çështje që bën pjesë në prehistorinë shqiptare, ka të bëjë me djepin paraballkanik të shqiptarëve. Mbi dëshminë e lidhjeve të ngushta të shqipes me disa gjuhë të Evropës veriore (baltosllavishtja, gjermanikishtja, keltishtja) këtë djep, me sa duket, me të drejtë e kanë lokalizuar në Evropën Veriore. Norbert Jokli, duke marrë në shqyrtim edhe disa huazime të lashta, që ka shqipja, më një anë prej iranishtes, më anë tjetër, prej finugrishtes, këtë djep e ka vendosur në në një mënyrë më të prerë në një trevë të Evropës verilindore. Në lidhje me këtë është për të vënë re se, nga të gjitha gjuhët indoevropiane, që janë të gjalla sot, shqipja është e vetmja që është në gjendje të shpjegojë emrat e dy vargmaleve me rëndësi të Evropës Qendrore-lindore, Karpatet e Beskidet, me mjete e saj e pikërisht me fjalët “karpë” “Shkëmb” e me “bjeshkë”. Kjo për prehistorinë e popullit shqiptar do të thotë se pellgu i Karpateve, në mos një djep relativ i të parëve të tij, ka qenë pakmos një stacion në shtegtimin e tyre për në Evropën jugore. Disa elementë etnografikë duket se e mbështesin këtë mendim. Veçse koha e këtij shtegtimi dhe e vendosjes së tyre në Gadishull nuk mund të caktohet më qartë as historikisht, as me mjetet e arkeologjisë”. Sipas  këtyre teorive, fiset parailire në shtegtimin e tyre nga Veriu i Evropës në perëndim të gadishullit ballkanik, kanë pasur si një stacion të përkohshëm trevat matanë lumit Danub dhe kanë banuar në fqinjësi me fiset saksone dhe se mundet që ilirët e morën këtë emër (ilir) nga lumi Yler, që ndodhet në territorin e Austrisë së sotme, në kufirin me Karpatet ose e kundërta, ata i dhanë emrin Yler këtij lumi. Duke u mbështetur tek kjo referencë e Çabejit mund të hamendësojmë se interferencat e përkimeve leksikore të shqipes me anglishten, por edhe me gjermanikishten, veç origjinës së përbashkët indoevropiane, shpjegohen me faktin se një stacion i përkohshëm i shtegtimit të parailirëve nga Evropa Verilindore drejt Gadishullit të Ballkanit ka qenë territoret në Juglindje të Gjermanisë së sotme, në afërsi të Karpateve ose fiset ilire kanë qenë në një vazhdimësi territoriale me fiset gjermanike, andej dhe këtej Danubit. Popujt, fiset, ashtu si dhe njerëzit, kur vendosen në një territor të ri të banuar, preferojnë të jenë pranë njeri tjetrit, mbi bazën e afërsisë në gjuhë, tradita etj., duke krijuar një vazhdimësi të pandarë, si renditja e popujve sllavë (rusët, bjellorusët, ukrainasit, polakët, çekët, sllovakët etj). E njëjta gjë duhet thënë edhe për popujt gjermanikë (gjermanët, danezët, anglezët, etj), ose keltët (galët, britët, skocezët, irlandezët, uellsianët), etj. Mund të supozohet se edhe parailirët ose ilirët e lashtë të kenë qenë një degëzim i trungut të lashtë gjermanikisht, që zgjatej deri në Ballkanin Perëndimor, nga i cili më vonë, për shkak fillimisht të dyndjeve të mëdha kelte, gote dhe më pas sllave, i shkëputën lidhjet territoriale dhe gjuhësore. Vështirësia e argumentimit të një dukurie të tillë është shumë e madhe, pasi krahasimi i këtyre përkimeve mes shqipes dhe anglishtes bëhet në kohën tonë, kur dihet se në rrjedhën e shekujve shumë fjalë të vjetra vdesin dhe në vend të tyre lindin të reja. Nëse do të kishim diçka të shkruar nga gjuha ilire e periudhës para pushtimit romak, të periudhës pasuese, apo të gjuhës arbërore, deri në vitin 1555, kur u botua “Meshari i Gjon Bzukut” apo një fjalor të periudhës paramesjetare të shqipes, por edhe të anglishtes së vjetër, ndoshta numri i përkimeve anglisht-shqip do të ishte edhe më i madh. Ende nuk janë gjetur tekste të shkruara në gjuhën ilire, me përjashtim të toponimeve të vendeve, qyteteve, lumenjve etj., edhe këto të publikuara në gjuhën helene ose romake, duke u fiksuar sipas natyrës dhe veçorive të këtyre gjuhëve. Perandorët e shumtë ilirë në perandorinë romake dhe atë bizantine nuk lanë diçka të shkruar në gjuhën ilirishte dhe më pas, në atë arbërore. Edhe feudalët mesjetarë shqiptarë, duke përfshirë edhe Gjergj Kastriot Skënderbeun nuk lanë ndonjë dokument të shkruar në gjuhën arbërore. Të mos përmendim 43 kryeministrat shqiptarë të Perandorisë osmane, Ali Pashë Tepelenën dhe Bushatllinjtë e Shkodrës që asnjë investim nuk bënë për gjuhën e tyre amtare, shqipen. Ky shkrim është një investigim modest për qëllimin e tij. Që të konfirmohen dhe vërtetohen lidhjet midis rrënjëve të vjetra të ilirishtes së lashtë, arbërishtes dhe shqipes me anglishten e vjetër dhe të re etj., apo nëse parailirishtja dhe ilirishtja e lashtë mund të ketë qenë pjesë e familjes së gjuhës gjermanikishte, duhet një punë studimore, komplekse, nga të gjitha degët e shkencave, jo vetëm ajo gjuhësore, si dhe një investim shumë i madh, por mbi të gjitha, duhet kohë.  “Sa e nevojshme është koha për vepra, që duhet ta mundin kohën” thoshte arbëreshi Engjëll Bazile, mik i ngushtë i Jeronim De Radës. Këtë mund ta bëjnë në të ardhmen brezat e rinj të studiuesve shqiptarë…