A është korrupsion t’i bësh dhuratë drejtorit, një gjel deti për vitin e ri?

796
Një pyetje e tillë, as nuk u sajua dhe as nuk u hamendësua nga askush, por në një bisedë mes shokësh në një kafene, lindi natyrshëm. Njëri ndër të pranishmit e bisedës, veç pyetjeve të tjera shtroj edhe pyetjen: A mund të konsiderohet korrupsion që të bësh dhuratë një gjel deti për vitin e ri? Përgjigja e kësaj pyetje padyshim që vuri në pozitë të vështirë të gjithë njerëzit e pranishëm në tryezën e kafenesë. Njëri nga të pranishmit iu drejtua personit që drejtoj pyetjen duke i thënë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Ai u përgjigj: Që drejtori të më mbajë në punë, më duhet t’i bëji një gjel deti si dhuratë për vitin e ri. Njëri nga të pranishmit ia ktheu duke i thënë se përse nuk i jep lek në dorë por një gjel deti? Nuk mund t’i jap lek pasi dhënia e lekëve përbën korrupsion të hapur, ndërsa për dhënien e një dhurate, siç është rasti i një gjeli deti, nuk mendoj se përbën korrupsion. Po të jetë për korrupsion, si dhënia e lekëve në dorë ashtu dhe bërja dhuratë e një gjeli deti, konsiderohet njësoj, iu përgjigj bashkëbiseduesi. Atëherë meqë qenka njësoj, më mirë po i bëj dhuratë për vitin e ri, një transaksion në një nga bankat që nuk pranon lek, por vetëm euro, dhe minimalisht vlera më e ulët të mos jetë më pak se njëmijë euro. Çfarë thua i tha bashkëbiseduesi, se me njëmijë euro ti mund të blesh 30 gjela deti dhe mund të bëni dhuratë për 30 drejtorë të tjerë! Unë një drejtor kam, dhe këtë që kam, ama e kam me rrënjë të forta dhe ia vlen për t’i bërë një dhuratë të majme, iu përgjigj ai. Po sikur drejtori të ndërrohet, ia ktheu tjetri. Nuk ka problem, pasi ky drejtor që unë kamë bërë mik, është me LSI dhe nuk e heq njeri nga puna deri sa ai të dali në pension! Atëherë ti qenke në rregull, iu përgjigjën të gjithë njëzëri të pranishëm në tryezën e kafenesë. Po ne të tjerët që nuk kemi as gjel deti, as euro dhe as mik tek LSI, çfarë duhet të bëjmë? Nëse jeni nga ata njerëz që nuk i keni as njërën nga këta kushte, atëherë ju duhet t’i thoni “lamtumirë” këtij vendi të…korruptuar!
Sigal