A e di shteti “socialist”, se çfarë është burgu dhe çfarë individësh prodhon?

624
Të gjithë e kemi të freskët frazën “burg për abuzuesit!” E deri këtu nuk ka asgjë të keqe apo për tu ankuar, pasi çdo njeri i drejtë dhe që sheh drejt të ardhmes kërkon drejtësi. Por mendjet e mbyllura mendojnë se izolimi sjell drejtësi. Jo, nuk është aspak e vërtetë. Izolimi, nga cilado formë e mundshme të jetë, nuk sjell integritet, nuk sjell përparim, nuk sjell ndryshim. Nga detyrat e shumta që ka shoqëria evidentohen dy të tilla, në përshtatje me argumentin; a) të parandaloj të keqen, b) të inkurajoj, duke i shpërblyer të mirës. Me “burg për abuzuesit”, cila nga këto dy detyra realizon shoqëria shqiptare? Mbase mundohet t’i plotësoj të dyja, mbase po përpiqet avash-avash, apo mbase nuk i njeh aspak këto dy detyra të saj. Autori Wzhen Sy e quan qelinë si një “grumbullim”. Ky grumbullim, shprehet ai, në vend që ta përmirësoj e bën të keqen më të rëndë, në vend që të shërojë sëmundjet e lehta morale, i bën ato të pashërueshme. Duke i futur të gjithë në një kategori, pra, “kriminelëve” u jep mundësi të bëhen me të vërtetë të tillë. Kështu veteranët e burgut, u japin leksione fillestarëve. Kështu rrit kriminalitetin me një përkujdesje cilësore, nëse të gjithë “abuzuesit” shkojnë në burg. Kjo vjen si pasojë e mos ndarjes mirë për kategori të ndryshme. Sigurisht që ka një ndarje në bazë të shkallës së veprës penale që ke kryer. Kështu një turmë kriminale e bërë bashkë është shumë më e fortë se po të ishte vetëm edhe pa mbështetës. Madje August Seti e ka identifikuar burgun me çakallin. Kafsha, e cila ha ushqim, pasi ka vjellë. Dhe kështu ka mjaft raste kur nëpër media dëgjojmë lajme të tipit: “X.Y ka qenë më parë në burg për Z vepër kriminale, por u lirua nga gjykata”. Është mjaft e qartë që nuk ka një organizim të institucioneve të izolimit dhe prodhimtaria e personave që rikthehen në burg me vepra penale më të rënda e tregon mjaft qartë këtë. Në burg ata që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike, në burg biznesmeni, i cili mban punonjës në të zezë. Madje edhe prindi, i cili mban fëmijën e vet në biznesin familjar, në burg e ka vendin, sipas shtetit socialist që kemi. Burg për të tërë. Dhe këta shkelës të ligjit, që në fakt, të parët nuk i kanë vjedhur askujt, thjesht nuk paguajnë faturat të energjisë elektrike, pasi nuk kanë të ardhura. Të dytët, janë një mundësi e mirë për të çuar ca para në shtëpi, për të mbijetuar. Janë kalkuluar llogaritje se sa është kostoja e një të burgosuri. Rreth 500 mijë lek të vjetra në muaj! Sa persona që nuk kanë paguar një faturë të energjisë elektrike janë? A i kalon 500 mijë lek të vjetra në muaj një faturë e papaguar nga një familjar? Mbase nga ndonjë biznes i kalon. Kundërshtarë të këtyre mendimeve dhe veprimeve i mbrojtën ata, të cilët nuk kishin paguar faturat elektrike. Ambasadori i Britanisë së Bashkuar, Nicholas Cannon është shprehur në media: “Është shqetësues fakti që vepra me rrezikshmëri më të ulët dënohen me burgim. Është me rëndësi, sepse sistemi i burgjeve është i mbipopulluar dhe i mbushur me shkelës ligji për vepra më me pak rëndësi në vend të shërbejë për burgosjen e individëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kjo do të thotë që hapësirat bëhen më të pakta dhe pakësohen burimet financiare. Arsyeja e dytë më e rëndësishme është se këto individë që burgosen për vepra me më pak rrezikshmëri mund të shkojnë drejt veprave me të rënda penale. Ndonjëherë nuk ka tjetër alternativë për shkelësit e ligjit. Mund të jetë rasti, kur një person përsërit një vepër penale, edhe pse e një rëndësie dytësore si për shembull refuzon të paguajë gjobat. Një tjetër shembull është kur shkeljet bëhen mbizotëruese dhe shoqërisë duhet dhënë një mesazh se për këto shkelje do merren masa. Shembulli më i qartë në Shqipëri është vjedhja e energjisë elektrike. Në të tilla raste, dënimi me burgim duhet të jetë një sanksion i përdorur më rrallë”. Të gjithë u bënë njësh me problemin e individit. Kjo është sjellje anonimati, por përgjithësimi në turmë bëri të mundur që të gjithë, kush më shumë e kush më pak të dilte anonim dhe të fliste në emër të turmës. Në turmë, qenia njerëzore pushon së funksionuari në nivelin racional dhe i kthehet atij primitiv, e saktëson Gustav Le Bon. Dhe kjo është mjaft e kuptueshme që të gjithë reaguam kundër urdhrave diktatorialë që solli socializmi në Shqipëri. U pushtuan mediat nga lajmi “në burg për shkelësit, për abuzuesit”. Po kush është shkelës dhe kush është abuzues? Dua të bëj një ndërhyrje të vogël; mos u gënjeni se keni një shtet social, shteti social i vërtetë është shumë larg këtij shteti fallco që kemi ne, por thjesht emrin i kemi huazuar. Sipas Thomas Humphrey Marchall, “politika sociale konsiston në përdorimin e pushtetit politik për të zëvendësuar, plotësuar ose ndryshuar mekanizmat e sistemit ekonomik me synim për të arritur rezultate që sistemi vet nuk mund t’i arrinte”. E meqë shpesh përmendet që Shqipëria synon të jetë mes shteteve Europiane, duhet të sillemi si shtetet, që janë tashmë pjesë e BE-së. Të bëjmë përpara me hapat që bëjnë shtetet e BE-së, është e vështirë për shtetin tonë 103- vjeçar, i cili nuk është rritur sa për të përballuar shumë gjëra. Përse të shpenzojmë para për të mbajtur të burgosur ata që nuk kanë paguar faturat, por t’i ndihmojmë?! Të zbardhet minimumi jetik në Shqipëri! Dhe duke u zbardhur, ka edhe më shumë lehtësira. Kjo është një urë lidhëse mes qeverisë dhe qytetarit. Qeveria i cakton qytetarit një shumë parash për të mbijetuar dhe jo duke u dhënë ndihma sociale, të cilat janë lekë xhepi. Dhe kështu qytetari të jetë korrekt kundrejt asaj që i jep qeveria dhe e di se sa duhet të shpenzoj për nevojat bazike. Por kur shteti nuk të plotëson nevojat bazike, më çfarë të drejte kërkohet llogaria? Përpara se të japësh ndëshkimin, jep mundësinë e zgjidhjes. Sipas OECD, “Një politikë sociale efikase ndihmon individët të jetojnë pa ankthe. Në të kundërt, një politikë e keqe sociale është sinonim i mbetjes në varfëri ose i përjashtimit social”.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal