A duhet shkarkuar nga detyra juristi i Prefekturës Korçë?

901
Nga Vepror Hasani

Prefekti nuk informohet nga administrata e tij
Korçë- Para dy ditësh trokitëm në zyrën e Prefektit të Qarkut Korçë Pandi Papando. U interesuam për dy vendime të Këshillit të Bashkisë Maliqi, të cilat janë marrë në kundërshtim të hapur me ligjin. Njëri prej vendimeve të këtij Këshilli shpërbleu me 148 rroga 35 këshilltarë dhe ish-këshilltarë pa kryer asnjë lloj pune, ndërsa vendimi tjetër lejoi që njëri prej këshilltarëve të saj të ishte edhe kryeplak, kur kjo gjë është e papranueshme me ligjet e vendit, pasi të qenit në të njëjtën kohë edhe kryeplak dhe këshilltar çon në konflikt interesi. Në raste të tilla, kur konstatohen shkelje të ligjit, Institucioni i Prefektit e çon çështjen në gjykatë, pasi është roja që i shërben zbatimit të ligjit. Mirëpo, ndërsa çështjet e mësipërme ia parashtruam prefektit Pandi Papando, konstatuam se ai nuk ishte aspak në dijeni çfarë kishte ndodhur me vendimmarrjen e Këshillit të Bashkisë Maliq dhe as me hapat që ishin ndërmarrë nga institucioni që ai drejton. Madje, vetë prefekti, pranoi që nuk ishte në dijeni të këtyre çështjeve, pasi vendimet mund të ishin marrë para se ai të bëhej prefekt dhe për këtë arsye nuk ishte në dijeni nëse dy vendimet do të çoheshin në gjykatë ose jo. 
Administrata e prefektit
Edhe kështu mund të ketë ndodhur, por prefekti, sipas ligjit nr. 8927, datë 25.7.2002, neni 19 “Për ushtrimin e funksioneve dhe plotësimin e përgjegjësive e të detyrave, ka administratën e vet. Struktura dhe detyrat e administratës së prefektit, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, miratohen nga Kryeministri”, që do të thotë se administrata e tij, duhet ta mbajë në korrent titullarin e institucionit, pasi në të kundërt nuk mund të ketë qëndrim institucional për asnjë çështje; institucioni shndërrohet në anarki, ndërsa qytetarët humbasin besimin kur konstatojnë padijeni të prefektit. Në rastin konkret, prefekti Papapando, duhej të ishte mirinformuar nga juristi i institucionit, Dorjan Kacori, por mesa kuptohet kjo gjë nuk ka ndodhur. Dhe nëse prefekti nuk informohet, atëherë gjithçka mbetet në dorë të vartësve të tij, pasi ai anashkalohet prej tyre. Veç sa më sipër, për dy vendimet e mësipërme të Këshillit të Bashkisë Maliq, prefekti i qarkut Korçë duhej të ishte i informuar edhe për faktin që çështjet vijojnë të jenë të pambyllura, sepse vendimmarrja i takon titullarit. Cila është përgjegjësia konkrete e juristit Dorjan Kacori dhe a duhet shkarkuar nga detyra, kjo vendimmarrje i takon vetë prefektit, sepse nuk është aspak e këndshme, që titullari i institucionit të gjendet në pozicionin e të paditurit, dhe aq më shumë, kur sipas nenit 3, të ligjit të sipërcituar, “Prefekti është përfaqësues i Këshillit të Ministrave”.
Misioni i prefektit
Një prefekt i painformuar nuk mund ta kryejë dot misionin që i ngarkon ligji, kur dihet që, sipas neni 6 prefekti kujdeset, ndjek dhe merr masa për plotësimin nga të gjitha institucionet në nivel qarku të detyrimeve që ata kanë për të garantuar sovranitetin, rendin kushtetues dhe shëndetin publik; mbikëqyr, kontrollon dhe bashkërendon veprimtarinë e institucioneve qendrore në nivel vendor; drejton veprimtarinë e strukturave administrative shtetërore, të cilat, me akte ligjore e nënligjore të veçanta, janë caktuar në varësinë e tij të drejtpërdrejtë; bashkërendon veprimtarinë e institucioneve qendrore në nivel vendor, si dhe të këtyre me organet e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qark; është i vetmi institucion administrativ që verifikon ligjshmërinë e akteve të miratuara nga organet e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qark, në përputhje me dispozitat e kreut III të këtij ligji. Prefekti ushtron kontroll financiar mbi këto organe në mënyrën dhe limitet e përcaktuara me ligj. Por a mund të jetë efektiv një prefekt që nuk informohet?!
Afatet ligjore
Tashmë po u referohemi dy çështjeve konkrete që prezantuam në krye të këtij shkrimi: Pagesën e 35 këshilltarëve dhe ish-këshilltarëve pa kryer asnjë lloj pune dhe lejimin e njërit prej këshilltarëve të jetë edhe kryeplak në të njëjtën kohë. Këto dy çështje duhet të ishin zgjidhur në kohën e duhur, pasi ligji përcakton afate konkrete. Sipas nenit 13, ndërmjet prefektit dhe organeve të qeverisjes vendore nuk ka marrëdhënie varësie. Kjo do të thotë se për çdo rast duhet zbatuar ligji dhe vetëm ligji. Çdo organ i qeverisjes vendore është i detyruar të depozitojë te prefekti të gjitha aktet me karakter normativ, brenda 7 ditëve nga data e shpalljes së tyre. Marrja dijeni nga prefekti për aktin e depozituar nga organi i qeverisjes vendore vërtetohet me regjistrimin e tij në zyrën e protokollit të prefektit. Dhe jo vetëm kaq: për çdo akt të regjistruar në zyrën e protokollit, prefekti detyrohet të shprehet për ligjshmërinë e tij brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit, sipas procedurave të parashikuara. Për më tepër, në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të qeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura dhe në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, i drejtohet gjykatës, nën juridiksionin e së cilës është organi i qeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti, por deri më sot, asnjë prej çështjeve të mësipërme nuk është çuar në gjykatë, kur çështja e njërit prej anëtarëve të këshillit që është në të njëjtën kohë edhe kryeplak, e ka zanafillën së paku që nga prilli i vitit 2016.
Zbatimi i ligjit zvarritet
Atëherë, juristi i Institucionit të Prefektit, Dorjan Kacori, a mund të na japë një përgjigje konkrete, nëse janë tejkaluar afatet ose jo dhe përse nuk janë çuar në gjykatë, që ligji të mos shkelet nga askush, qoftë ky edhe nga një këshill bashkie, që shpërblen këshilltarët e vet pa punuar. Prefekti ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti, pasi në rastet kur vëren shkelje ligjore në akt dhe vlerëson se kthimi i aktit organit të qeverisjes vendore nuk do të jetë i frytshëm, prefektit i lind e drejta që, pa ndjekur procedurën e përcaktuar, të kërkojë pavlefshmërinë e aktit drejtpërdrejt në gjykatë, nën juridiksionin e së cilës ndodhet organi i qeverisjes vendore dhe në çastin kur kërkon pavlefshmërinë e aktit në gjykatë, prefekti njofton organin e qeverisjes vendore. Por, në të vërtetë, asgjë nga këto nuk ka ndodhur: lëshimet dhe toleranca për moszbatimin e ligjit janë flagrante. Pyetja që kërkon përgjigje është: A duhet shkarkuar nga detyra juristi i prefekturës Korçë? 
Sigal