A do ta zbatojë ministri i Brendshëm, vendimin e datës 15 shkurt 2017, për orët e punës shtesë që bëjnë policët?

145
Arjan ZADRIMA
Këto të drejta të mohuara edhe brutalisht me presione ndaj punonjësve të policisë, i ka denoncuar kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit 
Punonjësit e Policisë së Shtetit me grada e pa grada, me uniformë apo civilë, drejtues e jo drejtues, vazhdojnë të gjenden përballë shkeljes së të drejtës së tyre ligjore, lidhur me mos pagimin e shpërblimeve dhe përfitimeve për orët e punës jashtë detyrimit ligjor kohor të 40 orëve në javë. Me një bllokazh të bërë prej ministrit Tahiri, deri sot atyre nuk po u paguhen orët e natës, orët e shërbimeve speciale në aksione, orët jashtë kohës së detyrueshme të shërbimit ditor e javor, ditët e pushimit zyrtar, festave që mbahen e thirren në punë, si dhe shumë përfitime të tjera që ministri nuk i jep nga xhepi i tij, por që ia detyron ligji për t’ua paguar. Kujtojmë, që këto të drejta të mohuara, të shkelura edhe brutalisht me presione ndaj punonjësve të policisë, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta, ka kërkuar pagesat e detyrimeve me një seri letrash, ankesash, peticionesh e protestash zyrtare deri tek krerët e lartë të shtetit dhe institucionet partnere policore e sindikale ndërkombëtare, por ministri Tahiri nuk e ka zbatuar detyrimin, madje ka bërë presion edhe duke urdhëruar që t’i bllokohet edhe Kontrata e Punës e Nivelit të Parë. Mirëpo edhe pse nuk ka zbatuar deri tani asnjë detyrim për pagesat suplementare dhe orët shtesë të punonjësve të policisë, për të bërë demagogji me ndërkombëtarët dhe me policët shqiptarë, i ka propozuar kryeministrit Rama një projekt-vendim financiar, të cilin kryeministri Rama e ka bërë vendim në datën 15 shkurt 2017. Vendimi ka këtë objekt: “PËR KOHËN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË POLICINË E SHTETIT”. Nuk e dimë, nëse ky vendim i marrë në mesin e muajit shkurt 2017 është “bonus” demagogjik në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017, por dimë faktin që ky vendim është marrë e nuk është zbatuar 4 herë në këto afro 4 vite. Pyetja është kjo: A do ta zbatoje ministri i Brendshëm, vendimin e datës 15 shkurt 2017, për orët e punës shtesë që bëjnë policët?

Ja vendimi i përsëritur 4 herë, i pa zbatuar asnjëherë

Kohëzgjatja e punës/shërbimit.
1. Koha normale e punës/shërbimit për punonjësit e Policisë së Shtetit është 40 orë në javë.
2. Për efekt të llogaritjes së pagës (orare) muaji llogaritet, mesatarisht, me 174 orë pune. 
3. Punonjësit të Policisë i sigurohet një pushim ditor i pandërprerë, prej 11 orësh, para marrjes së shërbimit/punës. 
4. Shërbimet e Policisë, si rregull, organizohen sipas një planifikimi 24 orësh, me turne, nga tetë orë secili.
5. Kohëzgjatja e punës natën nuk mund të jetë më shumë se 8 orë pa ndërprerje. Ajo duhet të paraprihet ose të pasohet me pushim ditor të menjëhershëm.
6. Punonjësi i Policisë që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale ditore të punës, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:
a) 20 % për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00.
b) 50 % për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00.
c) 25 % për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.
7. Shtesa mbi pagë, sipas pikës 6, të këtij vendimi, paguhet bashkë me pagën mujore, brenda një muaji nga dita kur është kryer shërbimi.
8. Për nevoja pune/shërbimi, me urdhër të titullarit të njësisë shpenzuese, punonjësit të Policisë mund t’i ndërpritet koha e pushimit ditor/javor duke urdhëruar zgjatjen e kohës së punës/shërbimit. 
9. Zgjatja e kohës së punës/shërbimit, urdhërohet nga titullari i njësisë shpenzuese pas kërkesës së eprorit të drejtpërdrejtë të punonjësit të Policisë. Në rrethana të jashtëzakonshme, eprori i drejtpërdrejtë mund të urdhërojë zgjatjen e kohës së punës/shërbimit, por ai duhet të njoftojë titullarin e strukturës përkatëse brenda 2-4 orëve.
10. Urdhri për kohën shtesë të punës/shërbimit mbi kohën normale duhet të përcaktojë:
a) arsyen e zgjatjes së orëve të punës/shërbimit; 
b) kohën e fillimit dhe të përfundimit; 
c) numrin e punonjësve; 
ç) koston financiare.
11. Orët shtesë të punës/shërbimit, kompensohen me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune, apo me orët shtesë plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00-6:00. Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës dhe shërbimit bëhet brenda 2 muajve nga dita kur janë kryer ato.
12. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës/shërbimit me pushim, punonjësi i Policisë kompensohet me shtesë page në masën e përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi.
13. Procedurat standarde të punës për mënyrën e pagesës së kohës shtesë të punës/shërbimit mbi kohën normale të punës, miratohen me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
Pushimet vjetore.
1. Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë:
a) 40 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Drejtues” deri “Drejtues Madhor”.
b) 35 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Nënkomisar”, “Komisar” dhe “Kryekomisar”.
c) 30 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Inspektor”.