A do ta mbajë Edi Rama fjalën për një përmendore për tragjedinë e Otrantos

82

Ata ikën nga një tmerr i pa fund, për të përfunduar, në një fund të tmerrshëm

Një  tragjedi  nuk  vdesë  kurrë, se  do të jetë  gjithmonë  dikush  që do ta kujtojë

 Kanë kaluar plot 17-vjet nga tragjedia më e madhe në kanalin e Otrantos. Ishte 28 mars 1997 kur rreth orës 16:00, u nis nga Porti i Vlorës, Kateri i Radës  me 115 persona në bord. Dhe rreth orës 18:50, pas shumë manovrash të ndryshme nga 5 anije luftarake të marinës italiane, Kateri i Radës, u godit nga Sibila. Sipas dëshmive të të mbijetuarve Sibilia italiane e goditi 2 herë në pak minuta, anijen e shkatërruar shqiptare, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë, jo vetëm për familjarët, por edhe për Qytetin e Vlorës dhe për Shqipërinë. Duke u mbytur në 800 m thellësi në pak minuta, ajo mori jetën e shumë fëmijëve, burrave, grave dhe nënave. Humbën jetën gjithsej 81 persona, nga të cilët vetëm 57 do të nxirreshin pas 6 muajsh të po atij viti, ndërsa 24 persona nuk u gjetën kurrë dhe vetëm 34 mundën të mbijetonin. Kjo do të ngelet si një nga tragjeditë më të mëdha jo vetëm për numrin e viktimave, por edhe për faktin se në bordin e anijes së vogël  ishin 31- fëmijë nën 16-vjeç, kishte midis tyre edhe fëmijë 6-muajsh apo 1-vjeç  por edhe gra shtatzëna. Po ashtu do të kujtohet se  ishte një tragjedi e ardhur jo nga natyra, siç vijnë zakonshëm tragjeditë, por e ardhur nga njerëzit. Të gjithë ishin nisur me një shpresë për të lënë pas vendin e tyre që ishte në prag të një lufte civile e shkaktuar nga firmat piramidale dhe me një iluzion për të gjetur një jetë më të mirë. Gjithmonë lind pyetja se si është e mundur që të ndodhi, si  ishte e mundur që një anije e Marinës Italiane me shumë ekspertë me përvojë në bordin e saj të ishte shkaku i një tragjedie të tillë?!

Këto janë pyetje që edhe sot pas 17-vjetësh kanë ngelur anonime.

I vetmi që ka arritur ti japë një shpjegim këtyre pyetjeve dhe ta përshkruajë deri në detajin më të vogël, me një guxim të vërtet është gazetari  investigativ italian, Alessandro Leogrande me librin e tij  “Naufragio”. Ai do të shprehet se, tragjedia e Otrantos nuk është vetëm mbytja e disa njerëzve, por është edhe mbytja jonë kolektive. Në këtë libër ai pas shumë intervistash me të mbijetuar, familjarë e  oficerë të Marinës Italiane, të cilët me kurajo nuk pranuan të gënjenin, por treguan se ky ishte një nga operacionet më të këqija të bëra nga marina italiane në historinë e saj. Në këtë libër tepër shprehës, ai ka treguar edhe për shumë avokatë që janë përplasur me të fortët. Ndër ‘ta ai veçon avokat Antonio Bamffa që humbi jetën duke u aksidentuar së bashku me asistentin e tij në mënyrë misterioze, duke shkuar për në një nga seancat gjyqësore të kësaj tragjedie. Në këtë libër, autori ka përshkruar edhe ata familjarë që nga varfëria kanë marrë një shpërblim mospërfillës për  mos të bërë zë, por edhe për ata që pa zë kërkojnë drejtësi për fëmijët e tyre. Faktet kanë ndodhur, por  ja vlen që t’i kujtojmë dhe mos t’i harrojmë edhe pse vitet kalojnë  Pas 17-vjetësh dalëngadalë po shuhen edhe prindërit e atyre fëmijëve që jeta dhe ëndrrat e tyre do të ndërpriteshin nga një dorë gjakatare. Vetëm pak ditë më parë u nda nga jeta  Dalip Maliqi, babai i Mimoza Maliqi Xhavarës dhe gjyshi i Kamela Xhavarës  që  ishte vetëm 10-vjeçe dhe i dy binjakëve nga 5-vjeç Gerardit dhe Majlida  Xhavarës. Pa zë siç ishte, si një ushtarak i vjetër që i  kishte shërbyer vendit të tij gjithë jetën, edhe ai si një nga viktimat e tjera të kësaj tragjedie, kohët e fundit kishte vetëm një dëshirë, për të vajtur pranë tyre. Ai nuk besoi kurrë në një drejtësi të vërtet. Ai më thoshte shpesh: “Një drejtësi e mohuar që në fillim, nuk fitohet kurrë”. Një gjyq që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që ka qenë një tallje për ne familjarët, duke dhënë një dënim qesharak për ata që s’patën meshirë, as për nenat e shkreta as për femijët me buzeqeshje të ngrirë. Por ironia e fatit është se ky gjyq nuk nxori asnjë përgjegjës kryesor, pra atë apo ata që urdhëruan  operacionin “Harassment” që do të thotë një urdhër para- ushtarak, me veprim kinematografik si të filmave të Hollivudit. Për më tej, nuk doli askush përgjegjës se kush i kishte fshirë shiritat e regjistrimit të bisedave të radios ndërmjet Marinës qendrore në Romë dhe Kapitenerisë së Tarantos. Ne jemi të ndërgjegjshëm se drejtësi  nuk do të ketë për këtë  tragjedi, por ne e dimë qysh në fillim që shkaktarët e vërtetë të kësaj tragjedie janë politikat raciste të disa politikanëve të djathtë që nga foltoret e Parlamentit italian vetëm pak ditë para se të ndodhte tragjedia, bërtisnin që t’i mbysnin shqiptarët në det. E tillë ishte Irena Piveti deputete e Lega Nord, apo si përfaqësuesi i opozitës Silvio Berlusconi  që derdhi lot përpara të mbijetuarve, duke harruar që shtypi i tyre kishte muaj që fliste me një racizëm të paparë për shqiptarët. Por jo më pak fajtorë  janë edhe  politikanët e majtë italianë që qeverisnin Italinë në atë kohë, me në krye Romano Prodin që nuk patën kurajo  që të shkonin në Brindizi për të takuar  të mbijetuarit, por edhe  politika e Europës, e një Europe të fortë si kështjellë për emigrantët, që nuk reaguan sa dhe si duhet për këtë tragjedi të paparë. Kjo tragjedi është e pashembullt, pasi është shkelur në mënyrë flagrante Konventa Ndërkombëtare  e vitit 1974 për shpëtimin e jetëve njerëzore në dete, e mbajtur  në Londër  në datën 1 Janar 1974 dhe e firmosur edhe nga Italia më 11 Qershor 1980 dhe që hyri në fuqi në shtator 1980. Kjo tragjedi për ne familjarët nuk do të harrohet kur, se në qoftë se do ta harrojmë atëherë ne nuk e kemi kuptuar se ka ndodhur dikur. Për ne familjarët edhe pse kanë kaluar 17 vjet zemrat  tona janë akoma më afër me të tyret.

 Të braktisur

Ne deri tani jemi të braktisur nga Shteti  ynë dhe s’ka si mos të ndodhë ndryshe. Në fund të fundit përpara se t’i kërkojmë llogari të huajve dhe që do t’ja kërkojmë deri në një për gjakun e motrave, vëllezërve (por mbi të gjitha të fëmijëve të pafajshëm), ne duhet t’i kërkojmë llogari edhe politikanëve shqiptarë sidomos ish- Presidentit Sali Berisha që e çojë vendin afër një lufte civil, në atë kohë. Nuk duhet të harrojmë se si u rizgjodh përsëri  President, sesi ngriti avionët luftarake për të bombarduar mbi Jugun, por falë dy pilotëve nuk ndodhi asgjë. Kjo ishte dhunë nga Shteti i kalbur që pasi ju vodhi të gjitha kursimet e tyre, i detyroi shumë shqiptarë që të largoheshin  nga vendi  së bashku me fëmijët. Ashtu siç e kemi shkruar edhe ne në varrezat e Otrantos “Ikën nga një tmerr i pa fund, për të përfunduar, në një fund të tmerrshëm”.

Janë këta politikanë që ne i harruam shumë shpejt dhe ata me politikat  e tyre do të shkaktonin përsëri tragjedi të papara. Pak ditë më parë duke shfletuar dokumentet e Dalipit, gjeta të gjithë artikujt e shkruar ndër vite për tragjedinë e Otrantos.

 Tragjedinë, Rama si ministër i Kulturës e quajti “Titaniku i të varfërve”

 Dhe ndërmjet tyre lexova dhe një artikull të shkruar nga Rudina Xhunga për  një vizitë  të z.Edi Rama me të mbijetuarit dhe familjarët në Vlorë në kohën, kur ky i fundit ishte ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit. A propozoi për krijimin e një fondacioni dhe në emër të këtij fondacioni do të kërkohej ndihmë nga shteti, i cili po simbolikisht do të kontribuonte, si dhe nga shteti italian e Komuniteti Europian. Nëse të gjithë do ndihmojmë nga pak, diku afër bregut vlonjat, nga u nis anija e tmerrit, do vendoset një memorial “Jo më si provë cinizmi e kohës që jetojmë, por si simbol i dëshirës që shqiptarët kanë për bashkëjetesën në paqe me vetveten e fqinjët”. Një tjetër ide ishte mundshmëria e realizimit të një filmi dokumentar, që do t’i kushtohej asaj nate tragjike. Një film, ku për skenarin e përfunduar të të cilit Rama ka shkruar; “Titaniku i të varfërve”. Vitet kalojnë dhe ne harrohemi, tragjedia   e  Otrantos harrohet, jo nga ne, por nga këta politikanë, që japin premtime dhe me marrjen e pushtetit, shikojnë karriget dhe jo hallet e popullit. Në këtë artikull (gazetarja e mirënjohur dhe e falënderuar nga ne, për punën e madhe, kontributin dhe ndihmën morale që na ka dhënë Rudina Xhunga), ka theksuar se:“Sa dashuri kishte ministri i Kulturës për njerëzit që takoi në Vlorë, kjo do të mësohet ditën, kur në Skelë, do të shkojë të inaugurojë Memorialin e Otrantos, apo do të presë shiritin e kinemasë në të cilin vlonjatët do të shohin një ditë “Titanikun” atëherë do të marrë kuptim fjalëza e ngarkuar emocionalisht dhe do pranohet se “ndryshe” do të thotë, të duash. Vetëm nëse e do tjetrin, e ke të vështirë ta gënjesh…

 Koha për një përmendore

Edi Rama tani si i Kryeministër është iniciatori dhe ideatori i një shëtitoreje që do të quhet “Lungo Mare”. Shumë bukur, ne nuk jemi kundër, sepse është një investim që i mungonte qytetit të Vlorës dhe vlonjatëve. Por mendojmë se tashmë është momenti që Rama të kujdeset edhe për një memorial për këtë tragjedi, të cilën edhe shkrimtari ynë Ismali Kadare në prill të ‘97-s, do të shprehej, se: “Tragjedia në detin Adriatik është nga më të dhimbshmet tragjedi, që mund të përfytyrohen. Nuk ka shqiptar në botë, që të mos ketë ndjerë dhimbje të thellë, që të mos ketë qenë pranë popullit të Vlorës në këto orë të vështira për vlonjatët. Ishte një kurban i rëndë, që pagoi Vlora. Një memorial  në këtë “Lungo Mare” do të zinte një vend të vogël, por me peshë shumë të madhe për ne, por edhe për brezat e ardhshëm, që ta kuptojnë se demokracia në vendin tonë erdhi me shumë vuajte dhe sakrifica dhe se fqinjët tanë apo kjo Europë që ne ëndërrojmë, nuk na i ka hapur dyert aq lehtë. Ky moment duhet të përjetësohet në memorien e çdo shqiptari.

 Robert   Maliqi