80% e “shërbestarëve” të qendrave të votimit, janë shpërblyer me vende pune

475
Punësimi në zyrat dhe shërbimet publike, qoftë edhe si pastruese e roje në institucionet dhe pushtetin lokal e qendror, nuk kalon së pari nga treguesit profesional e arsimor, por nga një “CV” tjetër që ka lidhje me politikën. Pas çdo mandatimi pushtetit lokal e qendror, nis “operacioni” i punësimeve politike, duke graduar militantë e “kontribuues financiar, besnikë të “byrosë politike të partisë në pushtet në qark, rreth, qytet, fshat e lagje. Ky “rregull” është zbatuar edhe për komisionerët, numëruesit e vëzhguesit që partitë politike i caktojnë në qendrat e votimit, por edhe si “grupe të gatshme” në hyrje të në ditët kur bëhen zgjedhjet vendore e qendrore!


 Sipas një raporti konfidencial dërguar kryeministrit nga Departamenti i Administratës Publike për praktikat dhe preferencat politike të të punësuarve në “punë shteti”, rezulton se brenda institucioneve të ministrive, shërbimeve, të drejtorive qendrore, rajonale e lokale, prefekturave, doganave, tatimeve, porteve, aeroportit, diplomacisë, qarqeve e bashkive janë punësuar edhe individët që kanë shërbyer në qendrat e votimit si komisionerë, numërues, vëzhgues e “gardistë” në qendrat e votimit! Sipas raportit konfidencial që DAP i ka paraqitur kryeministrit, rezulton se 80% e atyre që akne qenë “shërbestarë besnik, vigjilentë e trima” të partive politike nëpër qendrat e votimeve, janë të punësuar në të gjithë nivelet e zyrave të pushtetit qendror e lokal, në pushtetet dhe “parcelat” e pushteteve që kanë partitë politike! Në bashkitë që drejtohen nga koalicioni qeverisës aktual, janë të punësuar ish-komisionerë të këtij koalicioni sipas partie përkatëse. ndërsa në bashkitë dhe qarqet që drejtojnë partisë e opozitës, janë punësuar ish-komisionerë të partive që i përkasin këtij krahu politik! 

Po kështu edhe nëpër ministri, prefektura, qare drejtori rajonale, gjen të punësuar ish-komisionerë të krahut politikë qeverisës. këta janë punësuar për të vetmen “meritë”, se kanë ruajtur votën. Por nëpër zyra të koalicionit qeverisës gjen edhe afro 30% të ish-komisionerëve të partive të opozitës, të cilët kanë qëndruar në vendet e punës që i kanë zënë në pushtetin e tyre, për “aftësinë” se kanë ditur ta dredhin duke shitur votat e partisë së tyre, tek kundërshtari politikë! Ky pozicionim dhe shpërblim me poste e vende pune deri shoferë institucionesh, bodigardë shtetarësh, policë, pastruese e roje ka krijuar tek njerëzit, bindjen se angazhimi si komisionerë votimesh gjatë zgjedhjeve qoftë edhe si “shitës votash”, të siguron një vend pune në shtet e në pushtetin lokal edhe si zyrtar e drejtues i lartë nëse ke një diplomë universiteti. Ky është fakt dhe ka një evidencë konkrete, që pasqyron këtë realitet anormal. Ndaj dhe militantë të partive politike bëjnë “luftë” brenda llojit politikë deri në familje, fise, lagje, qytete e fshatra, që të jenë kryetarë, sekretarë, anëtarë, numërues, vrojtues e madje edhe rojtarë fizikë votash! dhe këta luftojnë të jenë të përhershëm në këto qendra votimi në çdo palë zgjedhje. Ata e përdorin qenien si anëtarë komisioni votimi, si “diplomë” për vende pune në çdo pushtet, ndaj dhe shumica prej tyre, kur shikojnë që nuk fiton partia e tyre “e dredhin” duke shitur me pazare falsifikime votat për kundërshtarin politik, siç ka ndodhur në disa zona ku komisionerët janë arrestuar e dënuar nga drejtësia! Pse? Që këtë “detyrë e kontribut” ta fusin në “CV” e tyre të kërkesës për punësim! 
Ja evidenca e punësimit të ‘sillove” të qendrave të votimit në zgjedhjet e 23 qershorit 2013
1. Qarku Tiranë: 74%
2. Qarku Vlorë: 66%
3. Qarku Berat: 82%
4. Qarku Kukës: 90%
5. Qarku Durrës: 79%
6. Qarku Elbasan: 88%
7. Qarku Dibër: 90%
8. Qarku Shkodër: 75%
9. Qarku Lezhë: 92%
10. Qarku Fier: 90%
11. Qarku Korçë: 90%
12. Qarku Gjirokastër: 80%
Sigal